• |
ide | kryesore

Ish-futbollisti i famshëm turk i Interit: Mund të isha bërë ministër, por tani laj pjatat

F1, Sport



Është një kafene në Palo Alto, në Kaliforni ku një burrë i gjatë, pak më shumë se të 40-at, përshëndet ata që hyjnë, tregon menynë, mbledh pjatat dhe gotat e boshatisura në tavolina dhe ndodh që edhe i lan ato. Janë të paktë ata në Palo Alto që e kanë idenë se për kë bëhet fjalë. Dhe ndoshta edhe italianët që futbollin e përdorin për të shoqëruar paninen e mëngjesit, e kanë të vështirë të njohin një nga talentet më të mëdha të futbollit të kohëve të fundit. Hakan Shukur.

Përplasja me Erdogan

Por çfarë bën kampioni turk në “Tuts Bakery and Cafe”,në Palo Alto? Përse merret me një lokal dhe shërben në tavolina dhe nuk bën analistin në ndonjë studio televizive? Shukur, mes viteve 90 dhe në fillim të viteve 2000 bëri të madh, Galatasaray-in dhe i dhuroi vendin e tretë në Botërorin e Koresë së Jugut, Turqisë. Luajti edhe në Itali me bluzat e Torino, Inter dhe Parma. U detyrua të lërë vendin e tij për çështje politike, siç ka rrëfyer në një intervistë për New York Times, e para që kur mbërriti në SHBA në vitin 2015.

Kundër tij, qeveria e presidentit Erdogan, ka lëshuar një mandat arresti. Babai i tij ka përfunduar në burg prej më shumë se një viti. Pasuria e tij, nga shtëpitë te llogaritë bankare janë sekuestruar të gjitha nga regjimi. Pavarësisht se kur hyri në politikë në vitin 2011 bënte pjesë në partinë e Erdogan. Me famën që kishte nuk e pati të vështirë të zinte edhe një vend në parlament, por lufta që Presidenti nisi kundër klerikut Gulen, të cilin Shukur e pëlqente e shtyu futbollistin të jepte dorëheqjen.

“Nga ai moment çdo lëvizje që bëja më nxirrte probleme administrative dhe të çdo lloji” –rrëfen ai. Erdogan nuk e toleronte opozitën. Shukur e di mirë se nëse do të ishte sjellë ndryshe “do të kisha një jetë të bukur, nëse do të kisha thënë ato që ata donin do të isha bërë ministër. Në fakt unë tani shes kafe, por të paktën nuk kam humbur respektin për veten”.

Në kërkim të lirisë

Kështu në vitin 2015, pasi vizitoi disa miq vendosi të transferohej në Kaliforni duke marrë me vete gruan dhe 3 fëmijët. “Kohë e bukur, jetë e bukur. Pastaj, unë dua që fëmijët e mi të jenë të lirë dhe të jenë persona të pavarur. Dua të që vizitojnë vende të tjera, që të mësojnë kultura të ndryshme, të takojnë njerëz të ndryshëm nga ata dhe të rriten të pavarur si individë. Kur gjërat në Turqi nisën të shkonin për keq, menduam që ishte momenti i duhur”.

Shukur nuk ishte pjesë e grushtit (të dështuar) të shtetit në 2016-ën dhe nuk e provoi represionin që pasoi. Por, për lidhjet me Gulen ishte i dyshuar se ka bërë pjesë.

“Turqia mbetet vendi im. I dua njerëzit e mi, edhe pse ideja që kanë për mua u ka ndryshuar për shkak të lajmeve që përhapin mediat. Por nuk do të jetë gjithmonë errësirë. Unë besoj se një ditë drita do të kthehet dhe ndoshta edhe unë do të kthehem aty për të përqafuar prindërit e mi që tashmë i shoh vetëm në FaceTime”.

Futbollin nuk e ka harruar. Luan në një skuadër lokale dhe miqtë, të paktën ata e dinë kush është ky njeri që shërben petulla në një kafene. Një gjë që gjithsesi nuk dëshiron ta bëjë përgjithmonë. Është në pritje të rinovimit të vizës (i skadon në 2020), por Shukur po kërkon financues për ndërtimin e një qendre sportive. “Nuk është e lehtë, pasi njerëzit kanë frikë të dalin në krah tim”. ©Përshtati nga Gazzetta dello Sport, LAPSI.al



3 Comments

  1. Me mire duke i sherbyer njerezve te thjeshte kafe se sa ti sherbeje atij monstres Erdogan ,diktatorit , hajdutit.

  2. Ok qe e keni pershtatur nga Corriere, po pse s’e permendni fare se ka origjine shqiptare dhe se e ka pohuar vete kete???
    Per ne qe po e lexojme shkrimin nuk eshte thjesht “futbollist i famshem turk”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *