• |
ide | kryesore

A duhet t’i besojë Partia Demokratike Arta Markut?

Blog



Një tentativë për t’i përvetësuar të dhënat personale të qytetarëve nga qeveria ka sjellë deputetët e opozitës në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme, për herë të parë që pas zgjedhjes së Arta Markut në detyrë.

Skandali përfshin dy ministret, Lindita Nikolla e Arsimit dhe Ogerta Manastirliu e Shëndetësisë. E para përdori mësuesit që nëpërmjet nxënësve të shkollave t’i marrin prindërve numrat e kartave të identitetit, emailet dhe numrat e celularit. E dyta përdori mjekët për t’i detyruar të sëmurët të dorëzojnë të dhënat personale në qendrat shëndetësore.

Pasi denoncoi skandalin në media dhe detyroi qeverinë të tërhiqet, Partia Demokratike kallëzoi penalisht dy ministret dhe kryeministrin Edi Rama duke kërkuar pezullimin e tyre.

Që nga zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme në detyrë po bëhen 7 muaj, por protesta e opozitës ditën që u votua Arta Marku mbetet e freskët në kujtesë. Një situatë kaotike, ku nuk munguan përplasjet fizike, tymi i flakadanëve dhe goditjet mes deputetëve. Në fund, Arta Marku u votua me 69 votat e socialistëve.

Që nga ajo ditë, për Edi Ramën nisën të vijnë lajme të mira nga prokuroria.

Në fillim u lirua nga burgu Orest Sota biznesmeni i 863 mijë eurove dhe dy patentave të ish ministrit. Pastaj Tahirit iu rikthye pasaporta dhe karta e identitetit, që ishin bllokuar me vendim gjykate. Në fund, për një “mungesë komunikimi” mes prokurorëve u ekstradua në Itali i arrestuari i vetëm i çështjes, Nezar Seiti.

Nënshtrimi i Arta Markut ndaj qeverisë doli hapur pas protestës në Kalimash. Gadishmëria për t’u rreshtuar në anën e policisë menjëherë pas përplasjes me qytetarët, mbyllja e syve përballë abuzimit të uniformave blu, pranimi i procesverbaleve të falsifikuara dhe kërkesat maksimale për t’i lënë në burg kuksianët ishin dëshmi e qartë se prokuroria ishte nën urdhrat e kryeministrit.

Fillimisht Lulzim Basha paralajmëroi arkivimin e një sërë dosjesh si ajo e Qazim Sejdinit, Vangjush Dakos, Ilir Beqës etj. Pastaj denoncoi shpërbërjen e dosjes Tahiri, presionet ndaj prokurorëve dhe paralizimin e hetimeve. Në fund, në rastin e arrestimit të protesuesve kuksianë, Basha e quajti prokurorinë e Arta Markut si “hetuesia politike e Edi Ramës”.

Për të gjitha këto, janë të paqarta arsyet që e çuan Partinë Demokratike në derën e Arta Markut këtë të mërkurë. Realisht, as vetë deputetët e opozitës nuk besojnë se kallëzimi i Edi Ramës mund të shndërrohet në një hetim serioz me pasoja për kryeministrin. Jo më kot, pritshmëritë për pezullimin e tij nga detyra tingëlluan sa qesharake, aq edhe një tallje për ata që i dëgjonin.

Më shumë sesa një kërcënim për Ramën, trokitja në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme dukej një akt besimi, që opozita i dëshmoi Arta Markut, në kulmin e diskutimeve për arrestimin e Saimir Tahirit. Mbetet për t’u parë, nëse prokuroria do ta justifikojë besimin e opozitës apo kjo do të rezultojë në një gafë të Partisë Demokratike, që për momentin i ka harruar akuzat për kapjen e prokurorisë./Lapsi.al



2 Comments

  1. Prokuroria punon me prova jo me mikrofon ku mund te besh hatane duke akuzuar pa fakte kedo.Arta marku eshte e vleresuar nga USA dhe nuk ka nevoje ta vleresoje PD.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *