• |
ide | kryesore

Macron ka nevojë për më shumë se sharmi për të joshur Trump

Arkiva, Ide



Për shekuj, Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë miq, aleatë dhe konkurrues. Të dyja kanë qenë fuqi botërore, të dyja modele të demokracisë liberale dhe të dyja kanë arritur demokratizimin përmes revolucionit. Në fakt, Franca ishte aleatja e parë e SHBA-së së re, pasi ofroi mbështetje ushtarake gjatë Luftës Revolucionare Amerikane – e para nga shumë herë kur vendet bashkëpunuan ushtarakisht.

Në udhëtimin e tij të fundit në Uashington DC, presidenti francez Emmanuel Macron u përpoq të përdorë këtë histori për të forcuar marrëdhënien bilaterale, duke i dhënë potencialisht Francës më shumë influencë mbi administratën e paparashikueshme të presidentit amerikan Donald Trump. Por dashamirësia e Macron dhe mirësia e tij nuk mund të errësojnë faktin se dy vendet po operojnë në rrethana shumë të vështira krahasuar me të shkuarën, me më pak siguri dhe mbështetje nga administrata Trump.
Gjatë Luftës së Ftohtë, gjenerali Charles de Gaulle donte që Franca të shërbente si urë mes Perëndimit dhe Lindjes. Kjo nënkuptonte besnikëri ndaj aleatit SHBA, në kohë të mira dhe të këqija, ndërsa vepronte si shok i Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Sot, Macron do që Franca të shërbejë si një urë brenda Perëndimit: mes SHBA dhe Europës. Kjo mund të duket një detyrë e thjeshtë, duke qenë se të dyja palët kanë histori dhe vlera të përbashkëta. Pikërisht këtë histori dhe këto vlera Macron u përpoq të përçojë, teksa e përcaktoi veten si mbrojtës të demokracisë liberale dhe internacionalizmit, me gjuhën dhe vizionin e shënuar nga optimizmi i stilit amerikan.
Nuk është hera e parë që një president francez ka vepruar si një lider amerikan. Por Nicolas Sarkozy – i cili e pagëzoi veten si “Sarko Amerikani” – ishte më i etur të ngjante me George W. Bush, veçanërisht te politika e jashtme. Macron, përkundrazi, është duke përçuar vlerat dhe duke përshtatur retorikën e Barack Obamës.

As nuk ka shumë të përbashkët me Trump, i cili ne fjalët e ish-drejtorit të FBI James Comey, sillet më shumë si një bos mafie sesa si president amerikan dhe duket se nuk ka interes në ruajtjen e lidershipit global të SHBA. Sfida përpara Macron mund të rezultojë të jetë edhe më e vështirë se ajo me të cilën përballej De Gaulle.

Nëse vizita e Macron do të qe një lojë futbolli, do të kishte përfshirë disa pjesë të ekzekutuara bukur – si fjalimi i Macron përpara Kongresit Amerikan – për të përfunduar në barazim. Poshtë petkut të afeksionit të përbashkët që u shfaq në Uashington, vizita e Macron u shënua nga mosmarrëveshje të thella, përfshirë ato mbi ndryshimin klimatik dhe marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Deklarata e Macron se “nuk ka planet B” nuk e nxiti Trump të ribashkohej me marrëveshjen e Parisit. Dhe pavarësisht përmendjes së një marrëveshje të re, të zgjeruar me Iranin, Trump vazhdoi të përqafojë vizionet radikale të sekretarit të ri të shtetit, Mike Pompeo dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare, John Bolton.

Duke krijuar një raport publik miqësor me Trump, Macron mund ta ketë vënë edhe veten në rrezik. Në fund të fundit, nuk ngjan mirë nëse Macron afrohet me një Trump që merr vendime katastrofike apo përfundon në dhëmbët e sistemit amerikan të drejtësisë. Trump është thjesht shumë i paparashikueshëm për një marrëdhënie të afërt në vend të vizitave politike.

Nëse kjo afërsi – që i përshtatet vanitetit të Trump – do të prodhonte rezultate pozitive përgjatë rrugës, përpjekjet e Macron do t’ia vlenin. Por të lajkatosh Trump është diçka dhe të marrësh dakordësi të rëndësishme diplomatike dhe tregtare nga ai është diçka tjetër. Dhe Macron duket se e ka gjetur suksesin vetëm në një prej këtyre fronteve.

Duke u pozicionuar si një zë i arsyes, moderimit dhe përgjegjësisë, Macron u përpoq të shtronte rrugën për shfaqen e tij si një agjent i vërtet ndryshimi. Ai nuk do që trashëgimia e tij të mbetet vetëm te fjalimet e fuqishme; ai do të zgjidhë çështjet reale që prekin Francën, Europën dhe botën. Por mbetet e paqartë nëse taktikat e tij do të funksionojnë, veçanërisht te Trump.

Pyetja është nëse qasja alternative ndaj Trumpit – më pak miqësore, e ngjashme më tepër me qasjen e të bërit biznes të kancelares gjermane Angela Merkel – do të provojë rezultate më të mira. Ka pak gjasa, por shpesh kur vjen puna te sigurimi i dakordësive reale, të paktën Merkel nuk ka ku të shkojë më keq.

Trump Macron/ Beteja e gjesteve dhe simboleve mes dy presidentëve

Puthja Macron Trump që po çmend Amerikën (Foto+video)

Del FOTO/ Zonjat e Para Trump dhe Macron, në një mënyrë që nuk i keni parë asnjëherë

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *