• |
ide | kryesore

Dënohet me 5 vite burg drejtori i burgjeve, mori ryshfet për ushqimin e të burgosurve

Arkiva



 

Ish Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto u dënua me 5 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për korrupsion. Ish Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kishte marrë para nga biznesmenët që fituan tenderin e ushqimeve të të burgosurve dhe si sekser përdori zv.drejtorin, që u rrëfye para prokurorisë. Organi i akuzës kërkoi per 5 vite burg për zv.drejtorin Iljaz Labi, por ai përjashtohet nga vuajtja e dënimit.

Ndërkohë që për biznesmenët Ylber Kalaja janë kërkuar 3 vjet dhe po kaq edhe për Shemisi Sinanin, Elidjon Leskaj dhe Nexhmi Balla. Kujtojmë që Kalaja dhe Sinani janë sipërmarrës që merrnin tendera për ushqimin në burgje.

Ish-zv/drejtori i Burgjeve, Iljaz Labi gjatë procesit gjyqësor mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, dhe në një nga seancat u përball me ish-shefin e tij për aferën e vitit 2016 me ushqimet në burgje.

DËSHMIA PËR PROKUROREN

Prokurorja: Në janar-korrik 2016, çfarë funksionesh keni pasur? Çfarë pune keni bërë?

Iljaz Labi: Kam filluar punë në Drejtorinë e Burgjeve që në vitin 2009. Në 2016-n kam qenë zv.drejtor i Burgjeve, i cili ka pasur disa funksione, si Drejtorinë e Personelit dhe të Financave, si edhe Prapavijën. Në fillim të vitit 2015, ka pasur një ndryshim ligjor për këto që thashë më lart, të cilat i kalonin në kompetencë drejtorit të përgjithshëm. Pas këtyre ndryshimeve është bërë edhe statusi i zv.drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, ku mbetën vetëm Drejtoria e Financave dhe e Prapavijës. Këtë detyrë e kam mbajtur deri në korrik të vitit 2016, kur edhe jam arrestuar.

Prokurorja: Për çfarë jeni arrestuar?

Iljaz Labi: Jam arrestuar për korrupsion në një proces ndërmjetësimi për ushqimet në burgje, që lidhej me vezët dhe bulmetin.

Prokurorja: A keni pasur ju dijeni për një procedurë prokurimi në datën 31.05.2017?

Iljaz Labi: Unë nuk kam pasur dijeni për prokurimet. Ato kryheshin nga drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto. Ka qenë ky i fundit që më ka vënë në dijeni të kësaj procedure. Unë isha i fundit që mora dijeni për këtë procedurë ndërmjetësimi. Ai vetë merrej me të gjitha këto dhe nuk kisha pse të vihesha në dijeni unë. Vetë Zoto më ka thënë të takoja një biznesmen me emrin Ylber Kalaja.

Prokurorja: Të ndalemi pak te ky moment, si jua komunikoi këtë gjë, me telefon apo në zyrë?

Iljaz Labi: Më thirri në zyrë, pasi i kishim shumë afër. Nuk e mbaj mend se si, por më tha eja në zyrë dhe unë shkova. Më tha se unë isha i pastër dhe se do të merresha me këtë punë. Kemi pasur pak fërkime më parë, për çështje pune.

Prokurorja: Çfarë ju tha më konkretisht pasi ju thirri në zyrë?

Iljaz Labi: Më vuri në dijeni të faktit për këtë procedurën e ndërmjetësimit për vezët dhe bulmetin. Më tha do të merresh ti, siç e sqarova më parë, dhe unë i thashë se pa problem, merrem unë me këtë gjë. Procesi ishte më i thjeshtë se tenderët, pasi ishte brenda për brenda institucionit. Ai më porositi që të takoja Ylber Kalanë dhe se do të merrja 20 % nga kjo punë. Me Ylberin kisha folur edhe disa herë më parë. Unë i thashë se ishte “OK” për mua dhe se mund ta bëja këtë gjë.

Prokurorja: Çfarë biseduat me Ylber Kalanë, e takuat?

Iljaz Labi: Po, e takova sipas porosisë së Zotos. Ai më tha se Zoto i kishte hapat e mëdhenj. Unë i thashë se dua të jem në rregull me drejtorin, të tjerat s’më interesojnë dhe se nuk dua probleme. Më pas kemi biseduar disa herë me Ylber Kalanë për lekët dhe ai më tha se do të m’i jepte dikush tjetër. Më tha se ishte lidhur me Shemsi Sinanin që punonte me të dhe s’kishte lidhje në tenderin. Ata punonin bashkë në këtë gjë. Jam takuar dy herë me Shemsiun dhe kemi diskutuar për pagesën lidhur me procesin. Jemi takuar diku në ish-Bllok, ku edhe më ka dorëzuar paratë.

Prokurorja: Sa para ju dha Shemsi Sinani?

Iljaz Labi: Ishin 2 milionë lekë të rinj. Unë nuk isha pjesë e pagesës. Isha thjesht korrier. Unë thjesht hyra në këtë gjë për drejtorin. U tregova naiv.

Prokurorja: Si vepruat më pas?

Iljaz Labi: I shkova në zyrë dhe i dorëzova paratë. Nga kjo shumë, supozohej të përfitoja edhe unë diçka.

Prokurorja: Keni pasur komunikim në telefon me zotin Zoto?

Iljaz Labi: Jo, nuk kemi pasur, pasi më kishte thënë se ishte nën përgjim. Këtë ma tha në zyrë kur më thirri herën e parë dhe më shpjegoi pse duhet ta bëja unë këtë punë, se sipas tij isha i pastër.

Prokurorja: Po numrin e Ylber Kalasë kush jua dha, Zoto?

Iljaz Labi: Të mos gënjej, më duket se e kam pasur vetë në telefon. Ishte një prej personave që kishte punë me tenderët në burgje. Vinte shpesh.

Prokurorja: Po me Shemsi Sinanin, si jeni njohur?

Iljaz Labi: Jam njohur pas një problematike me gazin që kemi pasur në burgje. Nuk kisha kontakt me të, por ai do të merrte gazin. Ka qenë një problematikë me ngrohjen.

Prokurorja: Si i keni pasur marrëdhëniet me zotin Artur Zoto?

Iljaz Labi: Ai marrëdhëniet i krijonte sipas interesit të tij. Nuk më përfshinte shumë mua në këto punë. Ishin marrëdhënie pune. Marrëdhëniet personale i kishim shumë të mira.

Prokurorja: Keni pasur ndonjë dijeni për një procedim disiplinor ndaj teje?

Iljaz Labi: Nuk e mbaj mend mirë kohën, por kisha një procedim nga SHKB-ja për korrupsion. Erdhën edhe ata të Ministrisë së Drejtësisë dhe u procedova me avokat. Në fund fare pastaj nuk u mor asnjë masë ndaj meje dhe unë vazhdova punën. Dua të them që kjo që kam bërë është një vepër penale dhe mbaj përgjegjësi për këtë. Nuk ka pse të më vijë turp.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *