• |
ide | kryesore

Biznesi për rininë, sa po rrezikojnë shqiptarët me botox

Stil



Tashmë nuk është më sekret, për shqiptarët, rimodelimi i hundës është preferenca e parë e kirurgjive plastike, shifrat e të cilave po rriten çdo vit. Tendenca që po rritet edhe më shumë është përdorimi i botox për rrudhat, si dhe mbushësve për buzët. Shifrat e importit tregojnë rritje të ndjeshme të vlerës së tyre në vitin 2016. Kjo tendencë mbështetet nga lëvizja “anti-plakje” që po ndodh kudo në botë. Aktorët kryesorë të tregut thonë se tregu informal po dëmton shëndetin e shqiptarëve, në përdorimin e produkteve të pakontrolluara…

Në Itali, përdorimi i silikonit për fryrjen e buzëve është ndaluar që në vitin 1992, por dr. Skerdilajd Faria thotë se në vendin tonë ka ende raste që kryhen pa kriter në sallone bukurie dhe që klientët e pakënaqur u drejtohen klinikave të mira në fund, me shpresën për të korrigjuar, atë që shpesh është e pakthyeshme. Dr. Skerdi shton se mungesa e një kuadri ligjor të mirëpërcaktuar e bën këtë sektor të ekspozuar ndaj personave jo të kualifikuar që të kryejnë ndërhyrje të tilla. Ata që në fund dëmtohen janë gjithnjë klientët, shpesh të painformuar ose të joshur nga një çmim më i lirë.

Megjithatë, mendësia e shqiptarëve ka ndryshuar dhe pjesa më e madhe e tyre u drejtohen klinikave kryesore të specializuara në vend për ndërhyrje estetike plastike. Dr. Irena Savo, nga Klinika Vivia, pohon se përveç mendësisë, edhe informimi ka ndikuar në rritjen e kërkesave të shqiptarëve për ndërhyrje të tilla. Sipas saj, janë më të informuar edhe për produktet që përdorin, ndaj dhe aplikimet e injeksioneve të fytyrës për anti-plakje, janë shërbime që bëhen me më pak komplekse.

Në klinikën Keit, departamenti i statistikës tregon për kryerjen e 8,000 ndërhyrjeve në muaj, shifër e cila tregon rritjen e tregut të ndërhyrjeve plastike. Nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe të huajt që kërkojnë shërbime të tilla në vendin tonë. Arsyeja është e thjeshtë: çmimi më i lirë. Në vendin tonë po strukturohet, gjithnjë e më i organizuar, turizmi shëndetësor. Klinikat bëjnë tërheqjen e klientëve të huaj, në formën e paketës gjithëpërfshirëse: ndërhyrja, post-operacioni, hoteli, ushqimi etj.

Kërkesat, në rritje

Është rritur prirja e përdorimit të trajtimeve kundër plakjes dhe kërkesa për të qenë dhe për t’u dukur më të rinj, janë nxitësit kryesorë për rritjen e tregut. Duke i kushtuar kujdes pamjes së jashtme, gratë janë ato që përbëjnë 91% të klientelës së klinikave të ndryshme. Megjithatë, si trend botëror, edhe numri i ndërhyrjeve të kryera në meshkuj po rritet me shpejtësi. Rritja e ndërgjegjësimit të ndërhyrjeve të ndryshme të fytyrës, teknikave të reja dhe efekteve të menjëhershme në pak kohë, shihen si arsye të rëndësishme që po nxisin rritjen e tregut. Lojtarët kryesorë të këtij tregu tashmë janë të shumtë, që nga spitali shtetëror “Nënë Tereza” deri te spitalet private, klinikat më të vogla të orientuara vetëm te ndërhyrjet plastike e në fund te disa sallone që, në mënyrë formale apo informale, bëjnë ndërhyrje në buzë apo trajtime anti-rrudhë.

Nga klinika Euromedica pohojnë se dy janë kërkesat më të shpeshta në fushën e kujdesit estetik, fillerat apo mbushësit kozmetikë, si dhe botox. Sipas tyre, injeksionet anti-rrudhë me botox kërkohen më së shumti pas moshës 30, në zonat ku mimika luan rol për forcimin apo shfaqjen e tyre para kohe. Zonat ku aplikohen më tepër janë në mes të vetullave, zonat anës syve, anës buzëve, si dhe balli. Ndërsa fillerat janë injeksione mbushëse të rrudhave dhe kërkohen kryesisht në zonën e ballit dhe syve. Dr. Silvana Vishaj thotë se vitet e fundit, zhvillimi teknologjik dhe përdorimi në mënyrë efikase me metodat më të fundit, i jep jetëgjatësi ndërhyrjes. Sipas saj, përdorimi i acidit hyaluronic, i cili është një acid që e prodhon trupi, është një ndër arritjet më të mëdha të fushës së estetikës plastike, që i jep mundësi njerëzve që të marrin shërbimet më të mira, pa risqe.

“Me bumin e madh të shkencës së kirurgjisë plastike dhe mjekësisë estetike, një pjesë e mirë e ndërhyrjeve që dikur kryheshin nëpërmjet bisturisë, sot kryhen me metoda që nuk dhembin dhe aspak invazive të cilat i ofrojnë pacientit komoditet të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet këtyre metodave kaq të shpejta të cilat nuk shkaktojnë dhimbje mund të arrihet rinimi dhe perfeksionimi i portretit. Favori tjetër i këtyre metodave është që nuk kërkojnë rikuperim, zgjat 30-45 minuta dhe pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetin e tij të zakonshëm, pa pasur nevojë për pushime. Këtu bëjnë pjesë korrigjimi i rrudhave nëpërmjet injeksioneve, zmadhimi dhe rimodelimi i buzëve, i mollëzave, rikonturimi i fytyrës dhe të gjitha trajtimet e rinimit të lëkurës”,- thotë dr. Vishaj.
Ajo shton se botoxi po eliminon diferencën e brezave dhe po nis të aplikohet që pas moshës 25-vjeçare, deri në moshën 65-vjeçare.

Importet

Drejtuesit e klinikave kryesore në vend tregojnë që produktet e tyre janë kryesisht me origjinë nga Italia. Klinikat zgjedhin Italinë duke marrë në konsideratë që aktiviteti i tyre lidhet me vendin tonë fqinj. Po ashtu, edhe stafi mjekësor vjen nga Italia.
Nga të dhënat e dy viteve të fundit të Doganave (Co mtrade), vihet re rritjen e ndjeshme në vlerë e importit të produkteve që përdoren për ndërhyrje estetike plastike të fytyrës kryesisht. Në vitin 2016 janë importuar rreth 595 mijë dollarë produkte ‘botox, filler dhe të tjera’, me një rritje prej thuajse 52% nga viti i mëparshëm i raportuar. Sa i përket peshës së tyre, diferenca mes viteve është po ashtu në rritje, por vihet re një ndryshim i lehtë, gjë që konfirmon rritjen e çmimeve për produkte të tilla.

Partneri kryesor tregtar për importet e këtyre produkteve është Danimarka, në të dyja vitet e raportuara 2015 dhe 2016, me më shumë se gjysmën e peshës së importeve. Ndërsa të tjera vende janë Franca, Gjermania, Italia, si dhe SHBA, gjë që tregon edhe angazhimin për përfshirjen në treg të produkteve më cilësore se më parë në fushën e kirurgjisë plastike. Një diferencë ndihet nga viti 2013, ku importohej dhe nga India.

Tregu informal

Nuk përbëjnë më habi sallonet apo qendrat e bukurisë që ofrojnë fryrje të buzëve apo edhe më shumë procedura, në fushën e mjekësisë estetike. Në disa raste janë evidentuar se operojnë në informalitet, duke mos përdorur materiale të kontrolluara.
Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. Mjekët tregojnë se mbetet sfidë për ta që të përpiqen që të ofrojnë një ndihmesë post-ndërhyrje për të tillë individë që bien ‘pre’ e salloneve informale, të cilat në rastin më të mirë përdorin materiale të lira, ndërsa moment i pakthyeshëm mbetet aplikimi i silikonit në to, tërësisht i ndaluar nga mjekësia kudo në botë.

Dr. Faria thotë se për këtë ndikon mungesa e një ligji që do të mund të rregullonte tregun dhe do të sillte stabilizim dhe vendosje standardi në këtë sektor. “Duke qenë se mungon ligji, gjithçka mbetet evazive. Është e habitshme në ditët e sotme, por ndodh. Ka sallone apo qendra që operojnë në informalitet të plotë dhe që u injektojnë klientëve produkte shumë të dëmshme për shëndetin si silikoni. Veprim totalisht i pakthyeshëm, nuk kemi çfarë të bëjmë në këto raste”,- thotë ai, duke shtuar se jo pak herë, këto sallone kanë kërkuar “kurse” nga spitalet private në vend.

Rreziqet

Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. Mjekët tregojnë se mbetet sfidë për ta që të përpiqen që të ofrojnë një ndihmesë post-ndërhyrje për të tillë individë që bien ‘pre’ e salloneve informale, të cilat në rastin më të mirë përdorin materiale të lira, ndërsa moment i pakthyeshëm mbetet aplikimi i silikonit në to, tërësisht i ndaluar nga mjekësia kudo në botë.

Pse shqiptarët zgjedhin botox?

Botox përdoret në kirurgjinë estetike për të eliminuar rrudhat e fytyrës të shkaktuara nga tkurrja e muskujve të mimikës, duke zbutur kështu ose duke eliminuar rrudhat midis vetullave, rrudhat e ballit dhe përreth syve. Sipas ekspertëve të fushës, është ndërhyrja joevazive më popullore dhe me më –pak efekte anësore, e shpejtë dhe efektive për të marrë rezultatin e kërkuar.

Dr. Ireva Savo, estetiste dermatologe pranë Klinikës Vivia, thotë për “Monitor” se përdorimi i botox është përhapur me shpejtësi kudo në botë, duke qenë se rezultatet me aplikimin e tij fillojnë të duken shumë shpejt, ndonjëherë 3 ditë pas trajtimit, ndërsa efekti me një dozë zgjat deri në 6 muaj. Sipas saj, është një veprim i kthyeshëm, që do të thotë se n.q.s. klienti vendos të mos e përdorë më, gjithçka kthehet në normalitet, ndërsa gjatë kohës që zona e fytyrës ka qenë në efektin e botox, janë parandaluar rrudhat e radhës.

“Në momentin që ju vendosni të mos e vazhdoni trajtimin me botox, ktheheni në gjendjen që ishit para trajtimit ndërkohë, keni shmangur krijimin e rrudhave të reja gjatë kohës që keni qenë nën efektin e botox-it”, – thotë ajo, gjë që ndryshon shumë nga përdorimi i materialeve të dëmshme.
Dr. Savo thotë se një ndër pyetjet kryesore që i bëhen, duke marrë shkas nga stereotipat e dikurshëm, është se a do të ndryshojë mimika e fytyrës. “Pavarësisht se rezultatet e botox-it janë të dukshme, mimika e fytyrës suaj nuk ndryshon në mënyrë radikale. Shprehja e fytyrës mbetet natyrale por tashmë me më pak rrudha”, – thotë ajo.

Ndër kërkesat më të mëdha nga klientët, sipas saj, janë edhe mbushësit kozmetikë kanë si bazë acidin hyaluronic, një substancë organike që lidh ujin në qeliza. Përdoren për trajtimin e rrudhave të moderuara ose të thella, gropave, rritjen e volumit të buzëve, konturimin e fytyrës. Sipas saj, efektet janë të dukshme menjëherë pas injektimit të substancës mbushëse dhe zgjasin deri një vit.

Rritja e tregut

Përparimet e shpejta në teknologji, ndërgjegjësimi në lidhje me procedurat estetike, rritja e kërkesës për përdorimin e teknikave minimale invazive dhe numrit të personave të moshuar janë disa nga faktorët që zhvillojnë tregun.

Presioni i “së përkryerës”

Të gjithë të rriturit kanë pasiguri rreth plakjes dhe kështu ata shndërrohen në klientë potencialë. Nga ana tjetër, të rinjtë janë gjithnjë e më tepër nën presionin e “së përkryerës”. Psikologia Dr. Arjana Muçaj thotë për “Monitor” se trendi i kohëve ka qenë dhe mbetet bukuria, e thënë ndryshe të jesh gjithmonë i ri.

“Kur flasim për grupmoshën e mesme, aty ku shenjat e para të rrudhave bëhen më të dukshme dhe lëkura nuk ka shkëlqimin e saj të dikurshëm fillojmë të bëhemi të ndërgjegjshëm që mosha bën të veten. Sipas gjinive në kohët e sotme nuk është se shohim një dallim shumë të madh për sa i përket kujdesit për t’u dukur më të rinj se sa janë në të vërtetë.

Dhe kjo tregohet dhe nga qendrat estetike të cilat vizitohen si nga meshkujt dhe nga femrat. Nuk ka asgjë të keqe të dukesh bukur. Kur të bën të ndihesh mirë me veten, për aq kohë sa nuk i bën dëm shëndetit tënd, por thjesht përmirëson gjendjen tënde psikologjike. Për sa i përket moshave të reja dhe pikëris ht adoleshentëve dhe të rinjve, kjo më shumë është një keqpërdorim i bukurisë sesa një rregullim. Edhe pse pjesa më e madhe nuk bëjnë rregullime estetike të cilat rekomandohen nga një specialist, por thjesht kërkojnë të rrisin vitet. Po të shihni nëpër rrugë do të shihni adoleshente të shndërruara tërësisht, ku botoksi është më se i dukshëm. Kjo për të tërhequr sa më shumë vëmendjen”.

“Ndikimi psikologjik bëhet më i madh sa herë që presioni i shoqërisë është i pranishëm, ashtu siç janë tatuazhet në kohën e sotme. Mendoni një trëndafil të çelur në dorën e një të reje, por a mendoni si do dukej ky trëndafil kur të jemi në moshë të vjetër? Pra ndryshimi brenda normës mund t’i bëjë të ndihen mirë edhe në të ardhmen por tejkalimi do t’u shkaktonte konflikt psikologjik midis asaj që kanë dashur dhe asaj që janë bërë”,- përfundon znj. Muçaj

Shtohen kërkesat nga meshkujt

Lëvizja për t’u dukur dhe për t’u ndier e bukur dhe e re, vijon të jetë një biznes i madh, me një numër në rritje klientësh. Ka kërkesa në rritje edhe nga meshkujt. Rrjetet sociale dhe rritja e pasigurisë tek të rriturit kur nisin të plaken janë arsye të rëndësishme që ndikojnë në përqafimin e këtyre tendencave

Turizmi i kirurgjisë plastike

Ndërhyrjet plastike në vend po ofrohen gjithnjë e më shumë me standardet më të mira europiane dhe aktorët e tregut pohojnë se të pasurit kirurgë, kryesisht italianë, tërheq më shumë vizitorë të huaj, për disa arsye. E para, ‘fjalët’ që qarkullojnë në mesin e kirurgëve dhe personave të tjerë përreth. Nga ana tjetër, edhe modeli që marrin kur shohin një produkt të përfunduar.
“Ne po ecim në rrugën e shtruar nga të tjerë para nesh, atë të zhvillimit të turizmit mjekësor”, – pohon Skerdilajd Faria, drejtuesi i klinikës “Keit”.

Ai shton se klinika e tij po e ofron këtë shërbim si paketë të plotë: hoteleri, ushqim, operacion dhe faza post-operacioni. Se pse Shqipëria është tërheqëse në këtë pikë, ai u përgjigjet me faktin se çmimi sigurisht është stimulin kryesor. Z. Faria tregon rastin e dy amerikanëve, të cilët erdhën nga SHBA për të kryer operacionin e hundës. Ata përfituan një paketë që në total u kushtoi 2000 euro, operacion dhe qëndrim. Ndërsa në vendin e tyre ndërhyrja do t’u kushtonte rreth 10,000 dollarë.

Të gjitha klinikat e ndërhyrjeve plastike në kryeqytet tregojnë se kanë si synim shndërrimin e Tiranës në një pikë turizmi për kirurgjinë plastike, ku shumë të interesuar, sidomos të rinj italianë, vijnë në vendin tonë për të marrë shërbim me të njëjtën njëjtën cilësi, por me çmim sa një e treta e atyre italiane. Klinikat tregojnë që të huajt e tjerë që kërkonin shërbime të tilla vijnë kryesisht nga Ballkani: Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria etj.

Trendi i buzëve

Dr. Panajot Pano nga Klinika Diva, tregon për “Monitor” që në nisje të operacioneve plastike në vendin tonë, VIP-at shqiptarë ishin të parët të interesuar, por tani po vijnë më shumë kërkesa nga të rinjtë, sidomos për fryrjen e buzëve. “Tashmë, me ndryshimin e mentalitetit, të shumtë janë të rinjtë shqiptarë, të jetës së përditshme, që duan të kryejnë një ndërhyrje dhe e bëjnë atë pa pasur komplekse si më parë. Ulja e çmimeve të shërbimeve, frekuentimi edhe i shërbimit shtetëror i ka bërë më të prekshme ndërhyrje të tilla edhe për pjesën e gjerë të popullsisë. Ndërhyrjet më të kërkuara vijojnë të jenë hunda dhe buzët”,- pohon dr. Pano.

Tregu botëror

Sipas raportit më të fundit të Technavio, tregu botëror i estetikës së fytyrës pritet të tejkalojë 5.5 miliardë dollarë deri në vitin 2020, duke u rritur me 10% se sa parashikimi.”Tregu global i estetikës së fytyrës po rritet me një ritëm të qëndrueshëm për shkak të rritjes së ndërgjegjes për të bukurën në mesin e konsumatorëve dhe një ndryshim në preferencat nga procedurat invazive në minimale ose jo invazive”, thotë Amber Chourasia, analist pranë Technavio. Sipas raportit për 2017-2023, tregu është i segmentuar në tre rajonet në vijim:

a. Amerika: tregu më i madh për estetikë të fytyrës

Tregu i estetikës së fytyrës në Amerikë pritet të rritet me mbi 8%. Tregu u dominua nga Amerika në vitin 2015 dhe rajoni do të vazhdojë të udhëheqë tregun, me Amerikën e Veriut si kontribuuesi kryesor. Përparimet e shpejta në teknologji, ndërgjegjësimi në lidhje me procedurat estetike, rritja e kërkesës për përdorimin e teknikave minimale invazive dhe rritja e numrit të personave të moshuar janë disa nga faktorët që zhvillojnë tregun.

Popullsia e njerëzve të moshës 60 vjeç e lart zgjedhin kirurgji kozmetike, veçanërisht për procedurat kirurgjikale minimale dhe jo invazive. Botox është procedura më e përhapur që përdoret për trajtimet estetike, parashikimi është që të jetë i njëjti trend deri në vitin 2020. Për shkak të reduktimit të efekteve anësore, çmimeve konkurruese, rritjes së komoditetit të pacientit, kohëve të shkurtra të procedurave dhe rezultateve të menjëhershme. Burrat janë duke u bashkuar gjithnjë e më shumë në bazën e konsumatorëve, duke zgjedhur Botox, mbushës të lëkurës së fytyrës (filler) dhe estetika të tjera të fytyrës.

Vendet në Amerikën e Jugut po raportojnë rritje të lartë ekonomike, e cila nga ana tjetër do të çojë në një rritje të fuqisë shpenzuese, duke bërë të mundur që njerëzit të përballojnë procedurat estetike mjekësore, disa prej të cilave konsiderohen të shtrenjta.

b. EMEA: produkte inovative dhe ndërgjegjësim publik për të nxitur rritjen

Tregu i estetikës së fytyrës në rajonin EMEA pritet të rritet me pothuajse 10%. EMEA është segmenti i dytë më i madh në tregun e estetikës së fytyrës globale, me të cilin Europa është kontribuuesi kryesor. Përparimet teknologjike në estetikë të fytyrës kanë çuar në zhvillimin e produkteve inovative. Rritja e ndërgjegjësimit publik për këto produkte inovative dhe përfitimet e tyre ka çuar në një rritje të numrit të njerëzve që u nënshtrohen procedurave të trajtimeve estetike. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite po bëhen destinacione popullore për turizëm mjekësor.

Kërkesa për estetikë mjekësore joinvazive është në rritje në këto vende dhe njerëz nga e gjithë bota po udhëtojnë në këto vende për t’iu nënshtruar operacioneve mjekësore estetike dhe për të parandaluar efektet e plakjes. Kostoja e këtyre operacioneve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë është më e vogël se ajo për të njëjtat procedura në SHBA dhe Britani të Madhe.

c. APAC: tregu me shpejtësi në rritje për estetikën e fytyrës

Tregu i estetikës së fytyrës në APAC pritet të rritet me mbi 13%. Tregu në APAC do të rritet me shpejtësi gjatë periudhës së parashikimit për shkak të mundësive të mëdha rritjeje për ofruesit e këtyre shërbimeve. Japonia, Koreja e Jugut, Singapori, Australia, India dhe Kina janë kontribuuesit më të mëdhenj të tregut në këtë rajon. Rritja e të ardhurave të disponueshme të njerëzve në këto vende po rrit mundësinë e përballimit të produkteve luksoze dhe shërbimeve të tilla si operacionet estetike të fytyrës.

Përveç kësaj, rritja e ndërgjegjësimit publik për operacionet kozmetike do të çojë në rritjen e përdorimit të Botox dhe mbushësve të fytyrës në lëkurë nga spitalet dhe qendrat kirurgjikale. Mbushësit e lëkurës po raportojnë gjithashtu rritje të shitjeve, pasi konsumatorët po zhvendosen drejt trajtimeve estetike jo invazive, me kosto të ulët, anti-plakje.

Gjetjet kryesore të raportit:

• Segmenti i toksinës së botulinumit (botox) përbën pjesën më të madhe të tregut në tregun global të mbushësve të lëkurës, ndërkohë që segmenti i acidit Hyaluronic parashikohet të rritet me 13.0% gjatë periudhës së parashikuar nga 2017-2023.
• Segmenti i trajtimit të korrigjimit të linjës së fytyrës përbën pjesën më të madhe të tregut sa i përket mbushësve të lëkurës sipas kërkesës, ky treg pritet të arrijë në 4,3 miliardë dollarë në vitin 2023
• Tregu i Amerikës pritet të arrijë në 3,7 miliardë $ në 2023/Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *