• |
ide | kryesore

Protesta globale dhe zemërim ndaj masakrës së djeshme ndaj palestinezëve në Gaza 

F1, Planet
Palestinë



Arena ndërkombëtare dënoi ashpër vrasjen e 59 palestinezëve ditën e djeshme në Gaza. Ky qëndrim u përshkallëzua sot, kur mijëra njerëz u mblodhën në zonën bregdetare të Gazës për të varrosur të vdekurit nga protesta e djeshme.

Vrasjet ndodhën të hënën gjatë demonstrimeve në gardhin e Gazës, e cila përkoi me ceremoninë e hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem nga administrata Trump, vendim që përmbysi dekada të tëra të politikës së jashtme të SHBA-ve.

Zyrtarë të lartë të OKB-së dënuan vrasjet e djeshme, duke i cilësuar si “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut“, dhe duke shtuar se u duk se ata që afroheshin në gardhin e Gazës ishin të detyruar të vriteshin nga ushtarët izraelitë. Irlanda thirri ambasadorin e Izraelit për të protestuar ndaj vrasjeve.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre për vrasjet e fundit nga ushtria izraelite të protestuesve kryesisht të paarmatosur në kufirin e Gazës. Protesta e djeshme pati bilancin më tragjik, që nga lufta e Gazës në vitin 2014.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se shumica e palestinezëve që vdiqën të hënën u qëlluan nga snajperë izraelitë. Sipas ministrisë së drejtuar nga Hamasi, mes të vdekurve ishte edhe një foshnje që humbi jetën pas thithjes së gazit lotsjellës, së bashku me tetë fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Të paktën 2,400 të tjerë u plagosën.

Lexo më tej nga Lapsi.al: 

Tmerri në Gaza/ Si u përshkallëzua konflikti që shkaktoi dhjetëra të vrarë 

Hapet ambasada e SHBA në Jeruzalem, mbi 40 palestinezë të vrarë në kufi me Gazën 

(VIDEO) Shikoni momentin se si gazetarja i shpëton plumbit nga snajperi izraelit 

Duke përmbledhur shqetësimin e shumë palëve, zëdhënësi i zyrës së të drejtave të OKB-së, Rupert Colville, u tha gazetarëve në Gjenevë:

“Fakti i thjeshtë se po i afrohesh gardhit (palestinezët) nuk është veprim që kërcënon jetë njerëzish, kështu që nuk justifikohen vrasjet. (nga ushtria izraelite)”

Zëdhënësi theksoi se ligjet ndërkombëtare që zbatohen për Izraelin e bëjnë të qartë se “forca vdekjeprurëse mund të përdoret vetëm si masë e fundit, jo e parë”.

“Nuk është e pranueshme të thuhet se protestuesit janë të Hamasit dhe prandaj vrasjet janë në rregull “, shtoi Colville, duke mos justifikuar veprimet e Izraelit.

Izraeli akuzon Hamasin, grupin islamik që kontrollon Gazën, se është pas protestave dhe thotë se ushtria thjesht po mbron territorin e saj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërhyri gjithashtu, duke thënë se shkalla e lëndimeve po kërcënonte të pushtonte sistemin shëndetësor tashmë problematik të Gazës.

Duke cituar shifrat nga Ministria e Shëndetësisë dhe një grup i agjencive të ndihmës, zyrtari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Mahmoud Daher i tha Associated Press të martën se 2.771 njerëz u plagosën gjatë trazirave të së hënës. (përktheu lapsi.al) Ai tha se shumica e atyre që u plagosën janë goditur në gjymtyrët e poshtëm.

Shefi i të drejtave të OKB-së Zeid Ra’ad al-Hussein tha: “Ata që janë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Funeralet do të mbahen të martën, që përputhen me ditën që palestinezët kujtojnë “Nakba”-n ose ndryshe katastrofën, duke përkujtuar më shumë se 700,000 njerëz që ikën ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre në luftën e vitit 1948, kur u krijua shteti i Izraelit.

Gjatë varrimeve, zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya, u zotua se protesta në Gaza do të vazhdojë sot, ndërsa në Bregun Perëndimor, presidenti palestinez, Mahmud Abbas, shpalli një protestë të përgjithshme pasi akuzoi Izraelin për “masakra”.

Skenat e tmerrshme të dhunës vdekjeprurëse të ditës së djeshme u shfaqën në faqet e para të shumë prej gazetave të botës, në krah të imazheve të përurimit të ambasadës së re amerikane në Jerusalem, vetëm 60 milje larg nga protesta tragjike.

Vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump, festoi hapjen e ambasadës me duartrokitje dhe brohoritje nga VIP-at e pranishëm izraelitë dhe amerikanë.

Kritikët e lëvizjes së ambasadës, të cilën Trump e përshëndeti si një “ditë të madhe” për Izraelin, paralajmëruan se mënyra si po shihet hapja e ambasadës dhe vdekjet në Gaza po dëmtojnë Uashingtonin.

“Tradicionalisht ne jemi përpjekur të luajmë rolin e zjarrfikësve në Lindjen e Mesme. Tani po luajmë rolin e zjarrvënësit “,– tha Ilan Goldenberg, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, iu bashkua SHBA-ve duke fajësuar Hamasin, grupin qeverisës palestinez në Gaza, për vdekjet. Ai mbrojti përdorimin e forcës nga vendi i tij, duke thënë: “Çdo vend ka detyrimin të mbrojë kufijtë e tij”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi “dhunën e forcave të armatosura izraelite kundër protestuesve” në një telefonatë me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas dhe mbretin e Jordanisë, Abdullah II. Emmanuel Macron kritikoi sërish SHBA-të për zhvendosjen e ambasadës së tyre në Jerusalem.

Vendimi i Donald Trump për zhvendosjen e ambasadës dhe njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit zemëroi palestinezët, të cilët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Qyteti i shenjtë ka qenë një nga çështjet më të diskutueshme në negociatat e kaluara dhe konsensusi i gjerë ndërkombëtar ka qenë që statusi i Jerusalemit do të zgjidhet nën një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve, edhe pse Trump ka thënë se Jeruzalemi tani është “jashtë diskutimeve”.

Izraelitët e kanë lavdëruar vendimin për të lëvizur ambasadën. Parulla “Bëni Izraelin e madh përsëri”, e ngjashme me atë të Trump gjatë fushatës, “Bëni Amerikën të madhe përsëri”, dhe flamuj të SHBA-së janë vendosur nëpër ndërtesa në qytet.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



1 Comment

  1. izraeli po ja vishtirson frumarrjen kombit vet,izraeli perpiqet te behet shtet kreativ,kete e ka filluar me sistemet e organizimit jetes ,ku i kan llene rezultate superioriteti,kurse tani ka kaluar ne kreativitet ,ku nuk pyet per asgje dhe nuk perfill asken ,kjo eshte pik e rrezikeshme mbasi ,gjith bota tani sapo fillon analizen dhe reflektimin sepse padrejtesin e urrejne te gjith dhe te drejten e tije e kerkon sejcili ,me veprimet e fundit ,izraeli perballe botes prej mbi 7 miliard njerezve ra ne kurthin e veprimeve te tije ku tashme bota jo vetem do ti kujtojne cdo padrejtesi,por analizat e thella do cojne izraelin ne kufizim ,ky eshte mendimi im ,rreth padrejtesise ,zhvillimeve dhe eklipsimeve, padrejtesia plotsoj kuptimet ,faktet qartesuan qellimet ,domosdoshmerit do bashkojn njerzit te frenojne dhe izolojne ket ecuri,ne unitet global,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *