• |
ide | kryesore

Analiza/ Pse formimi i një qeverie populiste në Itali është kërcënim për Eurozonën

F1, Planet



Qeveria e re e Italisë, e cila ka gjasa të konfirmohet zyrtarisht brenda ditëve të ardhshme, vendos një precedent të rrezikshëm për Brukselin: do të shënohet hera e parë që një nga vendet anëtare themeluese të BE-së do të udhëhiqet nga forca populiste anti-BE.

Nga këndvështrimi i BE-së, koalicioni i partisë anti-establishment Lëvizja 5 Yjet dhe Legas, e ekstremit të djathtë, duket kokëfortë dhe i paparashikueshëm. Projektet e bëra publike deri tani për një qeveri mes tyre përfshijnë edhe dispozitën për një “Komitet Pajtimi”, që do të ketë për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjet e pritshme.

Situata duket kryesisht alarmante. Të dyja palët ulën retorikën e tyre të ashpër kundër BE-së gjatë fushatës zgjedhore, duke hequr dorë nga thirrjet e mëparshme për një referendum mbi qëndrimin në BE. (votat popullore mbi traktatet ndërkombëtare janë të ndaluara nga kushtetuta italiane në çdo rast). Por, ndërsa ata i afrohen pushtetit, euroskepticizmi historik i Lëvizjes 5 Yjet dhe i Legas po rishfaqet.

Një version i hershëm i rrjedhur në media i marrëveshjes mes tyre bënte thirrje për rinegociimin e traktateve të BE-së, një reduktim të kontributit të Italisë në buxhetin e BE dhe anulimin e borxhit të qeverisë italiane prej 250 miliardë eurosh.

Udhëheqësit e partive, Luigi Di Maio i Lëvizjes 5 Yjet dhe Matteo Salvini i Legas (i cili numëron Marine Le Pen dhe Viktor Orbán si aleatët e tij), nxituan të thonin se ky version i marrëveshjes ishte i parakohshëm dhe se një version i mëvonshëm i kontratës së tyre përsa i përket Europës ishte shumë më i thellë.

Largimi nga euro nuk konsiderohej më, dhe politikat monetare ishin shënuar me ngjyrë të kuqe, që do të thotë se partitë nuk kishin rënë dakord ende. Por, ky draft nxiti një debat mbi paktin e BE-së për stabilitetin dhe zgjerimin, dhe një denoncim të politikave shtrënguese që imponon Bashkimi Europian.

Koalicioni gjithashtu mund të bjerë ndesh me Brukselin mbi planet që ka për të ndaluar emigracionin dhe për të anuluar të gjitha sanksionet ekonomike mbi Rusinë. Por, një shqetësim shumë më i madh në kryeqytetet e vendeve të BE-së është një grupim politikash ekonomike dhe sociale të uljes së taksave, rritjes së mirëqënies dhe buxhetit, të cilat mund të shkaktojnë probleme serioze në eurozonë.

Në fushatë, të dyja partitë premtuan të hedhin poshtë ndryshimet që iu bënë pensioneve në vitin 2011. (përktheu lapsi.al) Ata thuhet se planifikojnë të paraqesin një taksë të sheshtë prej 15-20% dhe një formë të të ardhura minimale bazë. Të dyja këto mund të mos realizohen, por është pothuajse e sigurt se do të ketë ulje taksash dhe rritje të mëdha të shpenzimeve për mirëqënien.

Të dy partitë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se nuk kanë nevojë të respektojnë angazhimet evropiane në zbatimin e programit të tyre qeverisës.

Të ngopur me rënien e gjatë ekonomike të vendit, papunësinë e lartë dhe krizën e refugjatëve, votuesit italianë u kthyen në qendrën politike që ka qeverisur, ose më saktë dështoi t’i qeverisë, që nga vitet 1980-të.

Por, disa analistë kanë frikë se nëse qeveria radikale e re do të vazhdojë përpara me politikat që ka premtuar, rezultati mund të jetë një krizë bankare dhe borxhesh e stilit grek, por në Itali, në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës.

Italia ka një borxh tejet të lartë, më i larti në Europë pas Greqisë. Nëse koalicioni nis të kthejë pas reformat e bëra së fundi dhe të mos grumbullojë më deficitet, tregjet mund të humbasin shpejt besimin se Italia ka aftësinë për t’i shlyer. Dhe nëse kjo ndodh, situata mund të bëhet shumë e keqe, shumë shpejt.

Frika më e madhe e Europës dhe sidomos e eurozonës është se mos Italia bie në një lloj krize ekonomike, që në Greqi ishte shumë pranë përmbysjes së rregullave të eurozonës, dhe tërheqjes nga përdorimi i monedhës euro. Dhe duhet të kujtojmë se Greqia atëhere udhëhiqej nga një qeveri radikale e majtë.

Edhe pse krahasimi me Greqinë nuk është i përsosur, as Lëvizja 5 Yjet dhe as Lega nuk duket se duan që të luftojnë atë lloj lufte që Syriza greke dikur kërkonte. Ndërsa BE-ja nuk dëshiron që të përballet me një krizë të stilit grek, në një shkallë si ajo e Italisë.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *