• |
ide | kryesore

Shqiptarja dëbohet nga SHBA-të, bashkëshorti: Fëmijët janë traumatizuar, vetëm qajnë

Lajme, Të fundit



“Dua që njerëzit të luten për ne. Nuk kemi bërë asnjë krim. Erdhëm në këtë vend për të pasur një jetë më të mirë dhe edukim më të mirë për fëmijët. Kjo është arsyeja e vetme pse jemi këtu dhe i lutem Zotit që çdo gjë të funksionojë”.

Kështu është shprehur një nënë emigrante shqiptare me tre fëmijë të lindur në Amerikë dhe pa asnjë precedent të mëparshëm kriminal për mediat amerikane kohë më parë përpara se të deportohej për në Shqipëri të mërkurën. Ndërsa bashkëshorti i saj thotë që nuk pati mundësinë t’i thoshte mirupafshim.

Cile Precetaj, 46 vjeç, u arrestua në 26 Prill kur po shqyrtohej dosja e saj në një gjykatë në Detroit.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Pete Gojcaj, shprehet se fëmijët e tyre janë të traumatizuar.

“Fëmijët e mi janë të shkatërruar. Vetëm qajnë. Ata janë traumatizuar”, tha Pete Gojcaj për Detroit Free Press.

Gojcaj thotë se gruas së tij nuk i është dhënë mundësia që të përshëndetet me fëmijët e tij dhe mësoi se ajo ishte larguar vetëm kur e telefonoi nga Gjermania, rreth orës 4:00 të mëngjesit të së enjtes, ku i tha se ishte duke u kthyer në Shqipëri me dy agjentë të zyrës së Emigracionit dhe Doganave (ICE).

Mirëpo, Khaalid Walls, zyrtar nga nga ICE, tha për Daily Mail se familja e saj ishte lajmëruar për dëbimin e shqiptares.

“Familja u lajmërua për deportimin  disa ditë më parë dhe ata sollën bagazhet dhe gjërat e saj personale në zyrat e agjencisë”, u shpreh Walls.

Sipas tij, Precetaj është urdhëruar nga një gjyqtar federal i emigracionit që të largohet nga SHBA-të që në vitin 2005.

Por Precetaj e ka apeluar vendimin në vazhdim. Përgjatë viteve 2007 – 2018, ajo ishte e lënë që të jetonte në SHBA pasi çështja ishte në gjykim.

Më 26 Prill të këtij viti, ajo kërkoi në Gjykatën e Apelit qëndrimin pasi nuk ishte kriminele, por ICE kërkoi arrestimin e saj sepse sidoqoftë ishte një person që kishte thyer ligjin dhe ishte qytetare e paligjshme.

Sipas agjencisë, të gjithë ata që thyejnë ligjin e emigracionit duhen arrestuar dhe mbajtur në paraburgim derisa të bëhet i mundur deportimi i tyre.

Kur u mor vendimi përfundimtar për deportimin e saj, Gojcaj tha se ajo kishte pësuar një krizë ankthi. Precetaj ishte dërguar në spital për 2-3 orë pasi mendonte se do të vdiste, thotë bashkëshorti i saj.

Bashkëshorti i Precetaj është një emigrant që ka jetuar në SHBA për 30 vjet. Ai zotëron një restorant dhe ka tre fëmijë me Cile Precetajn që janë të moshës 8, 10 dhe 16 vjeç.

Ndërkohë mësohet se Cile aplikoi për herë të parë për azil në vitin 2000 me justifikimin që disa kriminelë të rrezikshëm në Shqipëri donin ta rrëmbenin dhe ta shfrytëzonin për prostitucion./abcnews



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *