• |
ide | kryesore

Parashikimi dhe ‘ftesat’ e Bashës për protestën e nesërme

Lajme, Të fundit



Pasi i shpërndau fletëpalosje qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pasditen e sotme, Lulzim Basha dha një deklaratë para mediave, që kryefjalë kishte thirrjen për qytetarët e shqetësuar nga qeveria e Edi Ramës dhe parashikimin se si do të rezultojë protesta e nesërme.

Sipas Bashës, me qeverinë e Ramës nuk do të ketë shpresë për hapjen e negociatave.

“Por nuk ka e nuk do të ketë një jetë më të mirë dhe as shpresë për shqiptarët dhe as bisedime për tu bërë anëtarë të familjes të madhe europiane sa kohë në krye të vendit ka politikanë të lidhur me krimin, sa kohë ligji nuk vepron njësoj por mbron të pushtetshmit, mbron politikanët e lidhur me krimin dhe ndërshkon të pafajshmit dhe të pamundurit.”

Më pas, kryedemokrati përshkroi se çfarë simbolizon kjo protestë.

“Protesta e nesërme është një protestë për drejtësi dhe të gjithë ata shqiptarë që duan drejtësi për veten e tyre, për familjen e tyre, për pronën e tyre, për çështjet e tyre…”

Basha tregon pse kjo është një ftesë për bizneset.

“Kjo është ftesa ndaj çdo biznesi e sipërmarrje, e në veçanti ndaj bizneseve të vogla, të cilët kanë protestuar prej një muaji e gjysëm me radhë kundër skemës vrastare të TVSh-së…”

Ftesa vlen edhe për studentët, shqetësimi më i madh i të cilëve është garancia për vendin e punës.

“Nëse do universitet me tarifa të përballueshme, nëse do siguri për vendin e punës pasi të mbarosh shkollën e lartë, apo gjimnaznistëve nëse doni që ëndrrat tuaja për të marrë degën që kërkoni, të mos hidhen në erë nga një qeveri e papërgjegjshme, ejani dhe bashkohuni nesër protestës kombëtare, për një jetë më të mirë dhe për shpresë për çdo shqiptar.”

Edhe fermerët, sipas Bashës, kanë çdo arsye për të protestuar nesër.

“Kjo ftesë i shkon mijëra fermerëve shqiptarë që janë braktisur si kurrë ndonjëherë në këto 30 vite nga një qeveri e cila as që do tia dijë dhe nuk ka harxhuar asnjë sekondë të dëgjojë, kuptojë e jo më tu vijë në ndihmë fermerëve.”

Sipas Bashës, edhe kauzat e intelektualëve kanë rënë në vesh të shurdhër. Kjo është një arsye për ta që t’i bashkohen protestës së thirrur nga opozita.

“Natyrisht një ftesë të veçantë kam për elitën e vendit, për intelektualët, profesorët, akademikët, artistët, të cilët kanë protestuar për kauzat e tyre të drejta që nga Teatri Kombëtar e deri kauzat e tjera që kanë të bëjnë me arsimin e lartë universitar të bashkohen nesër në protestën tonë kombëtare.”

Lulzim Basha parashikoi sot një reagim të jashtëzakonshëm nga shqiptarët. Protestën e cilëson “marshim kombëtar”. 

“Ndaj në këtë reagim të jashtëzakonshëm të qytetit të Tiranës dhe jam i sigurtë të mbarë Shqipërisë duan tju ftoj të gjithë bashkëqytetarëve të mi, të rinj dhe të reja por po kështu edhe prindërit dhe të moshuarit; le të bashkohemi të gjithë së bashku me qindra e mijëra shqiptarë nesër në orën 11.00 në marshimin kombëtar…” – u shpreh Lulzim Basha.

 

©LAPSI.AL 



2 Comments

  1. O MALOK SHIKO LAJMET TEK FAX NEWS NJOFTIMI I ORES SE 015MINUTA DT 26 -06-2018 SE KESHILLI EUROPIANE NUK I JEP SHQIPERISE DRITEN JESHILE PER NEGOCIATAT NE BASHKIMIN EUROPJANE PER KORRUPSION TE LARTE NE VENDIN .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *