• |
ide | kryesore

Letër me ke çu…

Arkiva, Ide
foto edit.jpg



Që kur ajo gruaja socialiste e Beratit ishte e gatshme të rrinte pa bukë vetëm t’i shihte bashkë Nanon me Metën, madje më tutje akoma, që para 20 vitesh kur Gili këndonte “le të puthen socialistë e demokratë”, patetizmat, mallëngjimet apo edhe predikimet për takime pajtuese që do të na shpëtojnë të gjithëve nuk kanë rreshtur. Ato janë shndërruar në episode folklorike që në momente të caktuara zëvendësojnë ligjin, Kushtetutën, madje edhe frymën e votës së sovranit. Fjala e burrave del më e fortë se të gjitha mekanizmat e demokracisë së re. Deri në njëfarë kohe, sepse pastaj zbulohet se njëri ia kishte me hile tjetrit, marrëveshja prishet, nisin mallkimet, grevat, bojkotet… e vjen përsëri nevoja për një tjetër takim në odën e burrave. Ky cikël replikohet periodikisht.

Këtë herë, meqënëse kryeministër është Edi Rama, koha thirri në skenë letrat e hapura, një pasion i vjetër i tij. Kryetari socialist i kërkon kryetarit demokrat që të bëjnë kuvend bashkë, të shihen sy më sy, të buzëqeshin dhe t’i japin zgjidhje ata të dy hallit të madh që ka Shqipëria. Të bëjnë me konsensus reformën territoriale (për të cilën i madh e i vogël nuk po vë gjumë në sy nga shqetësimi) dhe t’i hapin rrugë kështu një epoke të re bashkëpunimi. Në këtë sfond të dalë boje të tranzicionit shqiptar, edhe kryetari i opozitës i ktheu një letër kryeministrit, ku sigurisht ishte i gatshëm për takim (nuk refuzohet dot lehtë një parje sy më sy) por nëse ky i fundit plotësonte disa kushte, një prej të cilave edhe e drejta e vetos në Kuvend për reformën territoriale. Mbi këtë temë, ashtu siç pritej, pati vëmendje të madhe dhe diskutime ku një pjesë ishin pro takimit e një pjesë jo. Një pjesë i rekomandonin Bashës të shkonte e një pjesë të refuzonte. Disa vlerësonin tolerancën e Ramës (që ndonëse i ka votat tregohet zemërgjerë me opozitën), ca të tjerë mundësinë që po i jepte vetë kryeministri kundërshtarit të tij për t’u ndjerë partner i barabartë me të dhe për rrjedhojë edhe kryetar i vërtetë i PD.

Përgjigja e Bashës, që në thelb nuk guxonte t’i thoshte një jo të prerë letrës demagogjike të Ramës, është dëshmi e ndikimit të fortë që ka fryma e lartëpërmendur. Duket si herezi nëse një lider refuzon një ftesë për takim, qoftë edhe kur ky është pa kuptim. Lulzim Basha duhet t’i kishte thënë jo ftesës së Edi Ramës pikërisht për të shembur një traditë të keqe ku takimi i dy njerëzve është kthyer në mit, në formulë magjike që gjen zgjidhje për çdo gjë, ndërkohë që në fakt është një lojë plot hile që mban në jetë një mentalitet primitiv se e mira do të vijë nga lart, nga ata, nga liderët dhe jo nga zbatimi i ligjit dhe respektimi i rregullave demokratike. Basha duhej të refuzonte të bëhej aktor në një teatër hipokrizie që luhet prej më shumë se 20 vjetësh e që vetëm bashkëpunim politik nuk ka sjellë. Shprehje të tilla si takimi i dy dinosaurëve të politikës, elefantëve, krokodilëve apo rinocerontëve, kanë përbërë skenografinë e kësaj pjese absurde që zhvillohet në emër të pajtimit por në fakt ka konfliktit si akt të fundit.

Bashën nuk e bën lider letërkëmbimi me Edi Ramën, por e kundërta, ndërprerja e kësaj praktike provinciale. Kryetari i ri i PD do të bënte diferencën me pjesën tjetër të politikës duke dalë nga ky zakon demode i tranzicionit shqiptar. Kështu ai do të veçohej, do të sillte një ndryshim cilësor dhe do të hidhte një hap drejt politikës moderne, ku fatet e qytetarëve nuk varen në një shtërngim duarsh. Duke i thënë një jo të fortë një takimi që po serviret si zgjidhje e problemeve mes pozitës dhe opozitës, Basha do të shënonte një pikë kthese dhe do të merrte tiparet e një lideri modern. Që nuk refuzon dialogun, por nuk e koncepton atë në kuadrin folkloristik të tranzicionit shqiptar, që nuk orientohet nga letrat e stilit kalorsiak por nga akte konkrete e transparente për sytë e publikut. Që mund të pijë kafe, të takohet në opera, stadium apo kudo që të qëllojë me kundërshtarin politik, por të refuzojë të shkojë në një takim të cilit jepet peshë mbi institucionet e vendit e bëhet sa për sy e faqe. Kryetari i opozitës ka qenë i qartë se këtë takim Edi Rama e kërkon edhe si një lloj alibie për vendimin e BE në qershor. Se mungesa e bashkëpunimit dhe e konsensusit politik është pika më e dobët që mund ta penalizojë përsëri Shqiëpërinë. Se jo më kot kryeministri u shfaq në Top Story më i butë me Presidentin e Republikës, kryetarin e SHISH apo e ka ulur disi ritmin në aksionin e kapjes së institucioneve të pavarura. E një shtërngim duarsh me liderin e opozitës do të ishte si një qershi mbi tortën butaforike të dëshirës për konsensus. Basha e di që një takim i tillë nuk e zgjidh konfliktin e krijuar këto gjashtë muaj mes qeverisë dhe opozitës dhe nuk mund të jetë provë reale për Brukselin. Ai nuk i mbulon dot aktin normativ, përplasjet me INUK, presionin ndaj drejtësisë, presidentit e shërbimit sekret dhe plot sjellje abuzive e arbitrare. Prandaj takimi do të ishte një fasadë për të mallëngjyer ca e për të gënjyer ca të tjerë. Siç ka ndodhur rëndom në këto dy dekada.

Lulzim Basha nuk duhej të kishte hezituar asnjë çast për t’i thënë jo ftesës bajate, duke i dhënë fund kështu një hipokrizie të shpifur dhe një praktike të dëmshme që ka zëvendësuar mekanizmat normalë të një republike parlamentare.