• |
ide | kryesore

Buzëqeshja elektorale e Thaçit

Arkiva, Ide
foto edit.jpg



Hashim Thaçit nuk i ka lëvizur asnjë milimetër buzëqeshja kur disa studentë lëshuan fjalë fyese ndaj tij ndërsa po dilte nga një drekë me sfond elektoral në mensën e tyre. I qetë, ai ka përsëritur premtimet e forta për përgjysmimin e shpenzimeve studentore, pjesë e një fushate që tashmë ka nisur de facto në Kosovë.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, që ka mundësi të mbahen në fund të majit, kryeministri i Kosovës duket i pandjeshëm ndaj konsumimit 6 vjeçar në pushtet dhe i etur për një mandat tjetër në drejtimin e qeverisë. Buzëqeshja përpara kamerave dhe injorimi i akuzave, si shprehje e strategjisë elektorale të Thaçit, e kanë një shpjegim.

Entusiazmi me të cilin kryeministri ka hyrë në këtë parafushatë, më shumë se nga të arriturat e tij buron nga dobësia e kundërshtarit. LDK duket disa hapa larg nga ndezja e motorrëve elektoralë, ndërkohë që opozita normalisht do të duhej të ishte shumë më e motivuar dhe energjike. Isa Mustafa, i cili humbi personalisht Prishtinën, por riktheu partinë e tij në disa qytete të mëdha në zgjedhjet vendore të para pak muajve, duket se shpresat për fitore i ka varur në rënien e PDK dhe jo në ngritjen e LDK.

Mungesa e energjisë së ndryshimit po e kthen LDK jo në parti ku duhet të shkojë shpresa e fitores, por në parti ku grumbullohet pakënaqësia ndaj qeverisjes. Këtë hapësirë që partia më e madhe opozitare po e lë bosh, ka shumë gjasë ta mbushë Vetëvendosje, së cilës energjitë nuk i kanë munguar asnjëherë, madje i ka patur me tepri.

Në këto kushte, elektorati opozitar ka nevojë për një riorientim të votës së tij duke i dhënë kështu përparësi PDK, votat për të cilën janë shumë më të përcaktuara. Prandaj Hashim Thaçit i intereson buzëqeshja si shprehje e sigurisë ndaj të vetëve dhe premtimet shokuese si motiv për një fushatë të ndezur elektorale.

Për ta ruajtur buzëqeshjen dhe për të injoruar akuzat, kryeministrit nuk po i vjen në ndihmë vetëm plogështia e LDK dhe paraqitja e saj e mplakur në parabetejën zgjedhore. Skandalet në komunën e Prishtinës gjatë 14 viteve të fundit, po krijojnë gjithnjë e më shumë idenë se edhe LDK nuk është më mirë se qeveria kur është fjala për administrimin e pasurisë publike. Disa inspektorë e zyrtarë të lartë u vunë nën arrest e po hetohen për shpërdorim të detyrës dhe abuzime me ndërtimet pa leje.

Të tjera dosje thuhet se do të bëhen publike këto ditë, duke e vënë seriozisht në pikëpyetje besueshmërinë e LDK si opozitë dhe të kryetarit të saj, i cili ka drejtuar kryeqytetin. Mosdistancimi i LDK dhe mosmbajtja qëndrim ndaj individëve që kanë abuzuar me detyrën e tyre, e lëkund edhe më shumë këtë besueshmëri duke i dhënë një avantazh falas Hashim Thaçit.

Isa Mustafës iu desh shumë mund për të shkarkuar nga supet e partisë së tij barrën deformuese që ajo kish marrë mbi vete gjatë bashkëqeverisjes me PDK dhe tani hijet e dyshimit po rikthehen përsëri. Nëse në epokën e Sejdiut njolla e korrupsionit preku edhe LDK, por Isa Mustafa mundi ta pastrojë në sajë të drejtimit të tij, menaxhimi që ai po i bën tani aferave në komunën e Prishtinës lë shije të keqe.

Në vend të distancimit nga rastet e korrupsionit, LDK po mundohet të bindë opinionin dhe qytetarët e Prishtinës për pastërtinë e njerëzve të saj, ndërkohë që kryeqytetasit janë dëshmitarë të gjallë të asaj që ka ndodhur në qytetin e tyre. E në këtë rast nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë të pandjeshëm kryeministrin Thaçi ndaj akuzave që i drejtohen atij.

E me siguri që kjo pandjeshmëri i është shtuar më shumë, kur ka parë këshilltarët e LDK në komunën e Prishtinës, që si reagim ndaj hetimeve zgjodhën sulmin kundër kryetarit të ri, Shpend Ahmeti. Në 100 ditë punë si kryetar, ata e akuzuan atë për nepotizëm, shkelje të ligjit, punësim të militantëve, bllokim të mësimdhënies, etj.

Këto akuza tingëllojnë si hakmarrje e pastër ndaj goditjes që iu bë inspektorëve të Isa Mustafës pas ardhjes së Ahmetit në krye të komunës. A ka rrethanë më të favorshme për një qeveri në prag të zgjedhjeve se sa lufta e ndërsjelltë mes dy partive kryesore opozitare?

A ka arsye që Hashim Thaçi të mos buzëqeshë kur dëgjon LDK që të njëjtat akuza që ia ka bërë atij ia bën edhe Vetëvendosjes? Dhe të mendosh se ky është vetëm fillimi me atë çka pritet të ndodhë me hetimet në komunën e Prishtinës, ndërkohë që zgjedhjet afrojnë.

Këtë çorientim opozitar, ku votuesit futen në dilema se cila do të ishte zgjidhja më e mirë, Thaçi nuk mund të lërë pa e shfrytëzuar. Ndaj e ka shtuar zhurmën e premtimeve të tij elektorale dhe është nisur në garë përpara të tjerëve. Ai ka një rast për të kapërcyer konsumin 6 vjeçar të qeverisjes dhe po e shfrytëzon atë. Duke buzëqeshur edhe kur e shajnë.