• |
ide | kryesore

FMN test për qeverinë, jo për ekonominë

Arkiva, Ide
Besart-Kadia.jpg



Dje u bë me dije nga INSTAT se ekonomia në tremujorin e katërt të saj është rritur me 1.1% dhe me rritje vjetore të barabartë me 0.4%, niveli më i ulët në 16 vite. Para se të diskutojmë më në detaje këtë rritje të dobët të ekonomisë sonë, vlen të rikthejmë në vëmendje vlerën e marrëveshjes me FMN-në dhe raportin e prezantuar nga BERZH në Tiranë, të titulluar “Të Ngecur në Tranzicion”. Së pari, duhet thënë se ekzaltimet se marrëveshja me FMN tregon “pranverën” në ekonominë shqiptare, apo se “është shenjë e besimit në ekonominë tonë” duhen parë me rezerva.  Marrëveshja për një hua trevjeçare 300 milionë euroshe e ka vlerën e saj më tepër në imponimin që i bëhet qeverisë në politikat publike dhe në shlyerjen e detyrimeve financiare të papaguara, por edhe në perceptimin që ajo u ofron investitorëve ndërkombëtarë. Fundja me ta duhet të flasësh në gjuhën dhe me institucionet që ata kuptojnë dhe drejtojnë.

Së dyti, kjo marrëveshje duket sikur ka dhe “bekimin” e ekonomistëve ndërkombëtarë, siç ishte rasti i kryeekonomistit të BERZH-it, Eric Berglof. Kështu, në mungesë të një ligji apo rregulli të qartë fiskal, marrëveshja me FMN-në, thotë Berglof, i imponon qeverisë shqiptare një plan të qartë të uljes së borxhit publik gjatë katër viteve të ardhshme deri në 60% të PBB-së ose “austeritet”, shkurtim shpenzimesh me afro 250 milionë euro në vit. Por për të arritur këtë objektiv të vendosur nga FMN, qeveria shqiptare duhet të heqë dorë nga sovraniteti i saj për të bërë politika zhvilluese. Shenjat e para u vunë re me publikimin e marrëveshjes nga ana e FMN-së, ku ndër të tjera ajo sugjeronte implementimin e dhjetë taksave të reja, që i çorientoi opinionin publik dhe bizneset vendase akoma më shumë, duke ditur se impakti i taksës progresive dhe i rritjes së tatim-fitimit akoma nuk ka dhënë efektet e plota.

Por në këtë pikë vlen t’u rikthehemi edhe njëherë statistikave të fundit të publikuara nga INSTAT se gjatë tremujorit të katërt ekonomia u rrit 1.1% ose tri herë më shpejt se mesatarja vjetore e 2013-ës. Dhe pyetja lind: nga se vjen kjo rritje ekonomike dhe, a mundet të parashikojmë rritje të lartë për 2014-ën dhe vitet në vazhdim?

Së pari, të gjithë ekonomistët e njohin faktorin e konvergjencës në makroekonomi, ku vendet e varfra rriten më shpejt se vendet e pasura për një periudhë kohe (rasti i Shqipërisë ku 12-fishoi të ardhurat për frymë në 20 vjet), por duhet të tërheqin kapitale ndërkombëtare, të përmirësojnë cilësinë e teknologjisë që përdorin dhe të marrin pjesë në tregje ndërkombëtare për rritje afatgjatë. Por sipas BERZH-it, tranzicioni i Shqipërisë ka ngecur në vend qysh në fund të viteve 2000, duke e reduktuar potencialin e saj drejt rritjes afatgjatë. Shkaku, sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbetet mosavancimi me procesin e reformave dhe  ringjallja e tyre do t’i kthejë këto vende në rrugën e rritjes dhe konvergjencës me ekonomitë më të përparuara të Europës Perëndimore. Ndaj, si kusht kryesor marrëveshja me FMN dhe në koordinim me BERZH-in dhe Bankën Botërore ka reformën në energjetikë, në skemën e sigurimeve shoqërore dhe sistemin bankar.

Së dyti, gjatë krizës financiare globale Shqipëria ndoqi politika fiskale dhe monetare ekspansioniste, të cilat mundën të mbajnë ekonominë e vendit në rritje ekonomike pozitive. Për koincidencë, në fillimet e krizës globale u implementua dhe taksa e sheshtë, e cila është cilësuar si një politikë optimale për vende në krizë dhe me informalitet të lartë dhe mungesë të kulturës fiskale në popullatë. Duke qenë se taksa progresive si dhe rritja e tatim-fitimit ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti, atëherë kjo rritje ekonomike nuk tregon ende efektin e politikave të reja fiskale. Nga ana tjetër, pavarësisht krizës globale, publiku vendas akoma nuk është njohur me fjalën “austeritet”, e cila ka qenë dëmtuese për shumë ekonomi me borxh të lartë publik.

Së treti, pretendimet se shlyerja e borxhit ndaj bizneseve do të ketë efekt në rritje ekonomike duhen parë me rezervë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, 70% e detyrimeve shteti ua ka bizneseve që kanë ndërtuar infrastrukturën rrugore. Ndaj së pari, këto firma janë gjithsesi të varura nga buxheti i shtetit dhe në mungesë të projekteve të reja për ndërtim nga qeveria e re, ato nuk do të përkthehen në investime të reja. Së dyti, rritja ekonomike vjen në rast se infrastruktura e përmirësuar rrugore e zhvilluar vitet e fundit tërheq investime të tjera private e të huaja në bujqësi, prodhim etj. Rrugët kanë vite që janë ndërtuar, ndaj impakti i tyre sado që të jetë ka filluar të ndjehet në ekonomi. Rritja e kreditimit nuk mundet të vijë nga shlyerja e borxheve, por nga reforma në sektorin financiar dhe në adresimin e shumë problemeve të brendshme të saj. Aktualisht ky kreditim është sa 40% e PBB-së, ndër më të ulëtat në rajon, dhe ky indikator përmirësohet vetëm me reforma institucionale dhe nuk mund të lidhet me borxhet e pashlyera.

Së fundi, për të parashikuar rritjen e ekonomisë në vitet e ardhshme ne kemi akoma shumë të panjohura. Impakti i taksës progresive mbetet ende për t’u vlerësuar siç dhe shumë investime private janë në ngërç për shkak të reformës administrative-territoriale të nisur nga qeveria. Testi për ekonominë tonë do të vijë kur të dalim sërish në tregjet ndërkombëtare për të rifinancuar eurobondin me vlerë 300 milionë euro që maturohet në 2015. Marrëveshja me FMN-në nuk ishte një test për ekonominë, por për qeverinë.

Fqinjët tanë jugorë, ose ‘të sëmurët’ e zonës euro, më në fund do të dalin në tregjet ndërkombëtare me obligacione 10-vjeçare për të marrë 3 miliardë euro hua dhe me një normë mjaft të favorshme pas pesë vitesh krizë. Sido që të jetë, dalja në tregje është një shenjë dhe një test për reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit në Greqi, ashtu siç do të jetë për ekonominë shqiptare pas një viti në tregjet ndërkombëtare.