• |
ide | kryesore

Miti i kriminelit si simbol kombëtar, antishqiptarizëm

Arkiva, Ide
mero.jpg



Ka një përpjekje të dytë për të bërë politikë në Shqipëri me një rast mizor torturash ndaj një krimineli shqiptar në Greqi. Një grup qytetarësh, të indinjuar nga ajo që i ka ndodhur një bashkëkombësi tonë në qelitë e një burgu në Greqi, vendosën të protestojnë para ambasadës greke në Tiranë.

Në të vërtetë Shqipëria ka nevojë të ketë një shoqëri të gjallë dhe reaguese ndaj çdo fenomeni, por në rastin në fjalë, nëse policia nuk do ta kishte tejkaluar me ushtrimin e dhunës, protesta do të viktimizonte qytetarët e keqpërdorur. Kësisoj ajo u nis si një protestë ndaj shtetit grek, por në fakt po bëhet popullore si një protestë ndaj shtetit shqiptar dhe policisë së tij. Si e tillë, mendoj se ia ka arritur qëllimit. Por si një protestë ndaj shtetit grek, është e dështuar.

Është e dështuar pasi shteti grek nuk ka shfaqur asnjë hezitim për të dënuar dhe gjykuar ngjarjet. Të gjithë ne që bëjmë sikur eksitohemi si nacionalistë, në fakt jemi duke parë atë çfarë na servir shteti grek, media greke, drejtësia greke dhe qytetarët grekë. Skenat janë me të vërtetë brutale dhe tregojnë anën e errët të një sistemi të kalbur burgjesh, dominuar nga racizimi dhe paligjshmëria, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë shkakun e këtij reagimi. Heroi ynë në këtë rast është thjesht një kriminel, që meritonte të dënohej nga ligji dhe jo nga vetëgjyqësia.

Por vetë ai i mori jetën me vetëgjyqësi një gardiani, dhe pak muaj më parë theri me xham një çift për t’i vjedhur 100 euro. Kjo gjë nxit në Greqi urrejtje ndaj shqiptarëve, shumë herë më tepër se sa eksitimi turbofolk në Rrugën e Kavajës.

Nëse një grek në Shqipëri do kishte bërë atë që viktima jonë ka bërë në Greqi, gardianët tanë, jam i sigurt se do silleshin më keq, por ne gazetarët dhe politikanët akoma dhe më keq. Ne do heshtnim, pasi ai ishte krimi ynë.

Greqia nuk po hesht, dhe në këtë kuptim, nuk gjej motiv real për të shkuar para ambasadës greke.

Rruga më normale për një protestë që bëhet në Shqipëri është të protestohet para qeverisë shqiptare. Nëse qeveria shqiptare ka përgjegjësi për vdekjen e Karelit, duhet protestuar atje. Para një ambasade të huaj mund të shkohet në raste ekstreme, kur shteti në fjalë ka bërë gjeste në emër të tij kundër shoqërisë sonë. Në rastin konkret nuk kemi asnjë gjest antishqiptar nga shteti grek, dhe motivi për të ngritur një kauzë nacionaliste mbi fatin e një krimineli, është një mënyrë e ndyrë për të diskredituar patriotizmin shqiptar.

Nacionalizmi është vërtet një strehë horrash, por në rastin konkret është dhe një kult kriminal. Nëse ka një mënyrë se si mund të diskreditohet patriotizmi shqiptar, është që media greke të botojë viktimën tonë me flamurin kombëtar dhe disa pseudonacionalistë me flamuj kombëtarë, që mbajnë lart nderin e një njeriu, që nuk e nderon asnjë sekondë Shqipërinë, as me jetën dhe as me vdekjen e tij.

Kësisoj protesta e sotme kishte kuptim si protestë politike kundër qeverisë shqiptare. Por meqë kur nisi nuk pati shumë motive, u gjet gjatë rrugës teprimi i dhunës nga policia shqiptare, e cila duhet të zhdukë nga mentaliteti i saj idenë, që kur ke një shkop në dorë, duhet ta përdorësh patjetër. Ajo ka dhunuar mes të tjerësh dhe gazetarë dhe e ka tepruar pa nevojë me ata dhjetëra vetë për t’i shpërndarë me forcë. Por policia jonë ka bërë dhe më keq, kur kujtojmë 21 Janarin, ndërsa manipulatorët e patriotizmit shqiptar kanë bërë gjënë më të keqe të mundshme duke identifikuar patriotizmin shqiptar me një kauzë fyese për të.

Dhe në fund dua të them se kjo lojë vulgare nuk mbron as shqiptarët në Greqi dhe as dinjitetin e shtetit tonë. Kjo nuk është as lëvizje spontane dhe as qytetare. Ky është një instrumentalizim i shoqërisë përmes një krimi, nga disa pseudonacionalistë që mendojnë se duke u bërë antipodët e ca idiotëve grekë, do të bëhen popullorë në Shqipëri.

Kjo vetëm sa forcon idenë në Greqi se “modeli Kareli” është një mit në Shqipëri dhe kjo institucionalizon krimet e tij si pjesë e identitetit tonë. Dhe nuk më duket se ka ndonjë gjë më antishqiptare se kjo.