• |
ide | kryesore

Një medalje për Edi Ramën

Arkiva, Ide
Bellinzona1.JPG



Ironia e Ilir Metës se sms e Edi Ramës për Saimir Tahirin apo e këtij të fundit për vartësit e tij, rrinte si një medalje krenarie në gjoksin e ministrit, ishte gjetja më e goditur për situatën e rendit në Shqipëri. Madje më shumë se kaq. Ishte një metaforë e shkëlqyer që përmbledh filozofinë e qeverisjes në këto shtatë muaj. Në njërën anë paaftësia dhe dështimet, e në anën tjetër arroganca mediatike për t’i mohuar ato apo për t’ua vënë fajin të tjerëve. Nëse do të kishte një vlerësim për dikë që ka guximin e marrë të krekoset si gjel për dështimet e tij, atëherë ministri Tahiri e meriton vërtet një medalje në emër të të gjithë qeverisë.

Në fakt prej disa kohësh ministrit të Brendshëm i kanë rënë puplat dhe mesazhi që u zbulua në komisionin hetimor parlamentar shpjegon arsyet se përse ylli në ngjitje i Edi Ramës i privoi studiot televizive nga shkëlqimi i tij. Nuk ka rëndësi nëse është kryeministri ai që e trajton aq pa dinjitet vartësin e tij për treguesit e përkeqësuar të rendit apo është ministri që u flet në atë mënyrë drejtuesve të lartë të policisë. Në çdo rast, ajo që mbetet e qartë si drita e diellit është situata e rëndë e kriminalitetit në vend, të cilën si ministri ashtu dhe shefi i tij ua kishin shitur shqiptarëve për muaj me radhë si sukses. Eshtë mashtrimi i madh dhe arroganca e pushtetit për të mos pranuar asnjë të vërtetë, madje për të fajësuar ata që i thonë ato. Eshtë paaftësia për të bërë reforma themelore, profesionale dhe tendenca hileqare për ta mbuluar këtë paaftësi me kinezërirat kryeministrore se tani paskërka nisur një epokë e re meqënëse policia gjobit edhe zyratërt e lartë kur parkojnë gabim.

Përkundrejt kësaj euforie boshe, situata në terren i ka alarmuar si kryeministrin ashtu dhe ministrin. Por reagimi i tyre përsëri kanë qenë manovrat tinzare dhe jo përballja e drejtpërdrejtë me faktet dhe pritshmëritë e qytetarëve. Nuk mbeti njeri pa u bërë përgjegjës se po nxin e po saboton punën e palodhur të ministrit të lodhur. Gazetarët që gjoja ishin prekur nga gjobat e policisë, opozita që paskësh lënë një letër në shtyllën e tensionit që u hodh në erë, SHISH që nuk informonte për tritolin, presidenti që nuk merrte masa për gjyqtarët, drejtuesit e burgjeve që nuk lajmëronin kur u jepnin leje të burgosurve, e padyshim Sali Berisha që shkruante në facebook. Por gjithë këto energji për të mbuluar një dështim të qartë, u dogjën para syve të publikut nga një sms që vërtet shkëlqeu si një medalje për “punën’ e ministrit të Brendshëm. Sikur gjithë ky angazhim për të fshehur të vërtetën të përdorej për të përmirësuar situatën e rendit, ndoshta diçka do të kishte ndryshuar.

Një manovër tinzare dhe jo një reflektim ka qenë edhe tërheqja me bisht ndër shalë e Saimir Tahirit gjatë muajit mars e në vazhdim, ku vetëm vrasjet janë rritur dyfish në raport me një vit më parë. Ministri, që aq shumë e ka pasion krahasimin me para epokës së re, u zhduk nga prime time televiziv. Kryeministri Rama ka menduar se duke fshehur ministrin arrogant, do të mbulojë edhe dështimet e tij. Se duke i ikur ballafaqimit, mund të shmanget edhe e vërteta. Një e vërtetë, e cila deri në daljen në dritë të mesazhit, ishte dhënë e deformuar për qytetarët shqiptarë.

Ky mesazh është vërtet një medalje, jo vetëm në gjoksin e vogël të Saimir Tahirit por edhe të kryeministrit e gjithë qeverisë. Është një simbol i qeverisjes së tyre. Medalje mund të shpërndahen jo vetëm për rendin, por edhe për zyrat e punës që nuk punësojnë njeri, për konkurset ku fitojnë vetëm njerëzit e PS, për aksionet selektive të INUK, për emërimet e tenderimet që po u del era pa u mbushur viti në qeveri. Prandaj edhe kryeminstri Rama i doli zot ministrit të Brendshëm, duke e vlerësuar si një nga më të mirët e qeverisë së tij. Në një vend normal, manipulimi me gjendjen e sigurisë në vend, që e mbërtheu live si ngërç në fytyrë ministrin e Brendshëm, do të duhej të çonte në dorëheqjen ose shkarkimin e tij. Por Edi Rama nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Në radhë të parë largimi i Tahirit për motivin e mësipërm do të ishte ndëshkim për vetë frymën që Rama u ka injektuar ministrave të tij, ku demagogjia e tejkalon faktin. Dhe në radhë të dytë Saimir Tahiri nuk është thjesht Saimir Tahiri. Ai është modeli i rritur në inkubatorin e Ramës, të cilit duhet t’i ngjajnë të gjithë ata që duan të bëjnë karrierë në PS. Ndëshkimi i tij do të ishte demotivim për saimirtahirët e tjerë që kanë si tipar dallues imitimin e shefit. Prandaj ajo medalje do t’i shkonte më shumë vetë Edi Ramës.