• |
ide | kryesore

Nje skandal dhe gjashte manipulime

Arkiva, Ide
999787_10101859553347140_2042948498_n.jpeg



 

 

 

 

Autoritetet po bombardojnë publikun me detaje që rreken të krijojnë shijen se kapja e avionit ka qenë e organizuar. Duke i treguar publikut pamje proceduriale kamerash sigurie që s'kanë asnjë vlerë, ato po mundohen të japin idenë se e kanë pasur situatën nën kontroll dhe kanë ndjekur hap pas hapi gjithçka. Ky është manipulim dhe publiku shqiptar nuk e meriton këtë.

 

 

 

Nga ana tjetër, opozita po luan rolin e te traumatizuarit nga zbulimi që në Shqipëri trafikohet drogë. Ajo po mundohet t'i thotë opinionit se kjo gjendje (e cila, meqë ra fjala, ka 20 vjet që vijon) nuk durohet, ndaj duhet rebelim. Ky gjithashtu është manipulim dhe publiku shqiptar nuk e meriton këtë.

 

 

 

Më poshtë janë 6 çështje nga të cilat mekanizmat manipuluese të të dyja forcave duan të largojnë vëmendjen për të shpëtuar ata që duhet të paguajnë e të japin llogari.

 

 

 

1 – Nuk është problem që Xhorxho Riformatos i është bërë kontroll fizik i xhepave të pantallonave në momentin e hyrjes në Rinas. Problem është që Xhorxho Riformato ka marrë leje të hyjë rehat rehat me avion në Shqipëri, ndërkohë që në Itali është i akuzuar për falsifikim liçence fluturimi. Për shkatërrimin e masave të sigurisë dhe kthimin e Shqipërisë në një han pa porta dikush duhet të paguajë.

 

 

 

2 – Nuk është lajm që Xhorxho Riformato kishte dy çanta bosh kur ka hyrë në Shqipëri. Asnjë trafikant në botë nuk vjen me qëllimin për të futur gjë këtu. Çështja është çfarë marrin me vete kur dalin. Për mendjelehtësinë dhe dembelizmin dikush duhet të paguajë.

 

 

 

3 – Nuk është çështja që policia ka organizuar "superoperacionin" pasi avioni i Riformatos s'ia vari rregullave dhe shkoi të ulej në plazh. Çështja është që superoperacion quhet ta detyrosh të ulet një avion trafiku, jo të ndjekësh me pallaskë në dorë një avion që bie vete. Për paaftësinë për t’u organizuar me efikasitet në një rast emergjence, dikush duhet të paguajë.

 

 

 

4 – Nuk është çështja që fuoristrada me drogë u kap pasi iu dogj motorri në Divjakë. Çështja është që fuoristrada kishte udhëtuar nëpër gjysmën e Shqipërisë e ngarkuar me gjysmë toni drogë, pa asnjë shqetësim, pa asnjë kontroll, pa asnjë problem. Me një fjalë, droga këtu kapet vetëm po i ndodhi ndonjë fatkeqësi e papritur natyrore apo teknike spaçiatorit, por jo sepse policia e ka bërë këtë vend të pakalueshëm për trafikantët. Për mungesën e kontrollit të territorit dhe lehtësinë e qarkullimit të kriminalitetit në të, dikush duhet të paguajë.

 

 

 

5 – Nuk është problemi që policia e kapi avionin dhe makinën me drogë. Puna është që policia i kapi ata si opcion i fundit. I kapi atëherë kur s'kishte mbetur gjë tjetër për të bërë dhe atehërë kur nëse nuk do t'i kapte do t'ia bënte muuu që ajo ose e toleron, ose s'ka takat të bëjë zap trafikun. Dhe për këtë, paaftësi, syleshtësi dhe ngathtësi, dikush duhet të paguajë.

 

 

 

6 – Së fundi, fakti që në Shqipëri organizohet trafik droge nuk është një gjë e re dhe fatkeqesisht jo skandaloze deri në pikën që opozita e sotme – pushteti i deridjeshëm – të ndjehet e fyer sa të mos e përmbajë dot indinjatën për t'u hedhur në protesta. Shqiptarët e uritur, të varfër e të zhgënjyer, ata që dje i quanin "kokëpalarë" e që sot pushteti u ka vënë nofkën "jeniçerë" kanë shumë arsye për të protestuar në të vërtetë. Por sigurisht, lufta e brendshme e dy karteleve që akuzojnë njëri-tjetrin për paaftësi organizative, është ajo e fundit. Dhe për këtë etje destruktive për pushtet, sigurisht, dikush duhet të paguajë – nëse nuk i ka mjaftuar ajo që ka paguar deri tani.