• |
ide | kryesore

I zhytyri Sarko

Arkiva, Ide
economist.gif



Nuk ekziston kurrë një kohë e përshtatshme për një ish-president që të merret në pyetje nga policia gjyqësore. Por koha për NikolasSarkozy, i shoqëruar nga divizioni i antikorrupsionit të policisë gjyqësore në Nanterre më 1 korrik, ishte veçanërisht e çuditshme. Kjo kthesë e fundit e një serie investigimesh vjen pikërisht në momentin kur po përflitej se zoti Sarkozy po përgatiste rikthimin e tij në politikë. Edhe pse kjo ngjarje nuk i përjashton planet e tij politike, i bën ato shumë më të pasigurta.

Sarkozy është thirrur një ditë pas avokatit të tij dhe dy gjyqtarëve të lartë, të cilët u mbajtën gjithashtu për t’u marrë në pyetje në Nanterre, vetëm pak larg Parisit. Hetimi, i udhëhequr nga dy zyrtarë të prokurorisë, ka të bëjë me përpjekjet e dyshuara për të shkëmbyer informacion të brendshëm gjyqësor nga një prokuror i rangut të lartë, në këmbim të një pune në Monako. Ish-presidenti Sarkozy, njësoj edhe si personat e tjerë të dyshuar, i ka mohuar akuzat.

Hetuesit e lëshuan këtë “bombë” pas një investigimi të ndarë mbi financimin ilegal nga ish-regjimi libian i fushatës së suksesshme elektorale të Sarkozisë në vitin 2007. Si pjesë e hetimit, janë përgjuar edhe telefonat celularë të ish-presidentit Sarkozy dhe avokatit të tij, Thierry Herzog. Kjo në vetvete shkaktoi një skandal të vogël në fillim të këtij viti, kur përgjimi, i autorizuar sipas ligjit francez, u shfaq për herë të parë. Gjithë sa u dëgjua, u përmblodh prej gjyqtarëve hetues si përpjekje për të tregtuar favore. Në atë kohë, zoti Herzog deklaroi se akuzat ishin absurde dhe se e gjithë çështja ishte “një aferë politike”. Kjo nuk është çështja e parë e Sarkozisë me hetimet gjyqësore.

Një numër dyshimesh janë përqendruar në aktivitetet gjatë kohës së tij në detyrë, ose para saj. Një rast tjetër kundër tij, ai i “abuzimit me dobësinë”, në të cilin është pretenduar se shfrytëzoi Liliane Bettencourt, trashëgimtaren miliardere të perandorisë kozmetike “L’Oreal” për të siguruar financimin e fushatës për zgjedhjet e vitit 2007, u rrëzua tetorin e shkuar. Hije të tjera dyshimi në proces kanë të bëjnë me përdorimin e faturave të rreme gjatë financimit të fushatës elektorale të vitit 2012. Në çdo rast, Sarkozy e ka bërë të qartë se ai nuk dinte asgjë për asnjë abuzim.

A do ta ndalojë kjo dosje e fundit rikthimin e zotit Sarkozy?

Është pa asnjë mëdyshje e paprecedentë që një ish-president të jetë ndaluar nga policia, edhe pse ai nuk është i vetmi kryetar shteti që ka pasur probleme me ligjin. Zhak Shirak, ish-presidenti Golist u dënua në vitin 2011 për keqpërdorim të fondeve publike, gjatë kohës së tij si kryetar i Bashkisë së Parisit. Akuzat kundër zotit Sarkozi janë serioze dhe nëse vërtetohen, parashikojnë një dënim prej disa vitesh burg dhe gjobë të rëndë. Hetuesit mund ta mbajnë atë deri në 48 orë në komisariat, e më pas duhet ta lëshojnë ose të ngrenë akuzën. E nëse një gjë e tillë do të ndodhë, çështja mund të zvarritet për muaj me radhë e pse jo dhe vite, deri në vigjiljen e fushatës presidenciale të vitit 2017.

Sarkozi, nëpërmjet miqve të tij argumenton se rasti është i motivuar politikisht. Çdo herë që ai përgatit rikthimin në politikë- thonë ata, gjyqtarët bëjnë një ndërhyrje të profilit të lartë. Ata janë duke shpresuar që era e skandalit nuk do ta prishë imazhin e tij aq shumë, sa të ketë ndikim tek ndjekësit e tij. Përveç kësaj çështjeje, gjërat nuk kanë qenë edhe aq në favor të rikthimit të Sarkozisë që prej kohës kur ai u largua nga Presidenca dy vite më parë. Presidenti François Hollande është thellësisht jopopullor. Por opozita ka mbetur pa lider, pasi humbi zotin Cope. Një trio ish-kryeministrash si François Fillon, Alain Juppé dhe Jean-Pierre Raffarin janë duke vepruar bashkërisht si kujdestarë të partisë që po shkon drejt kongresit të nëntorit për të zgjedhur liderin e ri. Sondazhet sugjerojnë që zoti Sarkozy do ta mundte Hollande nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot dhe se ai mund të vepronte shumë më mirë se presidenti aktual ndaj Frontit Nacional të Marine Le Pen.

Derisa të ngrihen akuzat, shanset janë që Sarkozy të mos frenohet, sado i pamundur të duket rikthimi i tij. Ish-presidenti është shumë më tepër i vendosur sesa me shpatulla pas murit.

“Ai e pëlqen aq shumë konkurrencën, sa edhe kur nuk ekziston, ai e krijon atë”,- tha një zyrtar i partisë së Sarkozisë.