• |
ide | kryesore

Gëzim hipokrit për Mustafin. A është vërtet i yni? A ja vlen të krenohemi?

Arkiva, Sport
shkodren-mustafi11.jpg



Që në mëngjesin e kësaj të hëne, kur në rrjetet sociale ka shpërthyer një histeri për të komentuar dhe shpërndarë foton e kampionit më të ri të botës, Shkodran Mustafi, që e ka mbivendosur simbolin e patriotizmit shqiptar, të krijuar me duart e tij, mbi kupën e botës të fituar nga Gjermania,(foto poshte) shumë shqiptarë janë ndjerë krenarë, dhe pjesë të fitores së një kombi tjetër. Ky është në fakt vetëm apogjeu i një histerie që ka kohë që zgjat. Që në fillim të kupës së botës, shumë gazeta shkruanin me tituj të mëdhej: "9 shqiptarë në kampionatin e Brazilit", aq sa dukej sikur ne shqiptarët, ishim vërtet pjesmarës në këtë festë të madhe të futbollit. Në fakt jo. Ne nuk ishim. Aty ishte Gjergji Kone, që luante për Greqinë dhe as nuk do t'ia dëgjojë emrin vendit ku ka lindur. Aty ishte Shqairi, që me golin e tij kundër kombëtares shqiptare, dha edhe ai një dorë që ne mos të ishim në Brazil. Aty ishte Adnan Januzaj, që as nuk deshi t'i përfillë thirrjet e mijra shqiptarëve për të luajtur me kombin e tij. Aty ishte Shkodran Mustafi, që këndonte përpara cdo sfide himnin e Gjermanisë. Këta të rij profesionistë kanë bërë zgjidhjen e tyre që s mund ta diskutojë askush. Një zgjidhje profesionale dhe të diktuar nga karrierra e tyre. Si shumë të ngjashëm të tyre në botë, përpara kombit, ata kanë vendosur fatet profesionale dhe për këtë askush nuk ka të drejtë t'i vërë përpara gijotinës mediatike.

Por, ata nuk kanë qenë krenarë të luajnë për ngjyrat shqiptare, nuk i kanë preferuar ato, ndaj askush nga ata që është mësuar të bëjë tifo për skuadrën kuq e zi, (të gjithë ata që bëjnë me duar, para cdo ndeshje shqiponjën para gjoksit të tyre, ashtu si Mustafi nw foton poshte), nuk ka arsye pse të ndihet krenar, për Mustafin dhe shokët e tij. Ka me miliona gjermanë që ndihen sot krenarë për të. Ashtu si qindramijra zvicerianë që ndihen krenarë, për Berhamin, Xhakën apo Shaqirin. Fatkeqësisht ne nuk jemi pjesë e tyre. As pjesë e gëzimit, as e hidhërimit.

Asnjë nga gazetat e Francës, nuk ndihej këto ditë, krenare për suksesin e Higuainit, për mbërritjen në finale të botërorit, të sulmuesit Argjentinas që mban dy shtetësinë, që ka lindur në veri të Francës, por që zgjodhi një dekadë më parë, të luante për Argjentinën. Gjithashtu, për të shkuar më larg, as vetë argjentinasit, nuk ndiheshin krenarë, për një nga futbollistët më të mëdhej të të gjitha kohrave, Di Stefanon e famshëm, që zgjodhi një ditë të luantë për Spanjën, megjithëse dikur kish luajtur disa ndeshje për kombëtaren bardh e kaltër.

Ka plot raste që tregojnë se si veprojnë kombet e tjerë, me ata që i kanë "trdhëtuar" njgjyrat e skuadrave të tyre? Po ne shqiptarët pse kërkojmë me dhunë të bëhemi pjesë e sukseseve që nuk na përkasin? Nga kompleksi i inferioritetit? Nga vesi ynë i lashtë për tu identifikuar me më të mëdhejtë? Nga mania e provincialit për të qenë prezent në vitrinën e botës?

E gjithë kjo histori ngjan me ato përrallat e 30 vjetëve më parë, që kur bota mrekullohej nga golat e Zikos, në thashethemet që gëlonin në Shqipërinë e izoluar komuniste, thuhej se ai ishte shqiptar. Ajo ngjan gjithashtu me ato premierat e rralla në TV Jugosllav, kur ndonjehere dilte ndonjë film i ri me De Niron, dhe përsëritej sërish i njëjti refren.

Duket sikur historia e kompleksit tonë përsëritet edhe me këta djem, që ua dimë vërtet origjinën, por që fatkeqësisht jua dimë edhe preferencat. Të paktën si futbollistë ata nuk janë shqiptarë. Dhe ne mund të krenohemi me gjithshka përmes tyre, por jo përmes futbollit. Mund t'i duam për mënyrën se si ndërtojnë familjet, si rrespektojnë baballarët, si mbajnë ramazan, apo si bëjnë ndonjë qokë humanitare etj. Por, vetëm për një gjë nuk mund të krenohemi me ta. Me imazhin e tyre si futbollistë. Si të tillë fatkeqësisht nuk na përkasin. Madje na kanë braktisur me përbuzje.

Kjo nuk do të thotë se për këtë duhen "dënuar me vdekje", sic bëri një organizatë e fshehtë kosovare, pak ditë më parë, me Adnan Januzajn. Jo deri më sot bota nuk ka shpikur dënime për mungesë dashurie. Dhe ata thjeshtë, si futbollistë, nuk na duan. Tani na takon ne ti bëjmë pyetjen vetese se përse vazhdojmë të bëjmë sikur i duam?