• |
ide | kryesore

Nje propozim per reformen ne drejtesi

Arkiva, Ide
image.jpg



Jo, sipas meje drejtësia nuk vjen dot nga pushtetarët e radhës. Rrugët për të forcuar Drejtësinë duhet të jenë të tjera dhe duhen kërkuar ndryshe. Dhe në kërkimin e këtyre rrugëve një gjë më duket se duhet ta kemi të qartë. Politika më shumë e dëmton sesa e forcon Drejtësinë, prandaj na duhet një Drejtësi gjithnjë e më e lirë nga politika, dhe jo e kontrolluar prej saj.
Sistemi ynë i drejtësisë ka dy probleme: së pari, korrupsionin endemik nëpërmjet të cilit shumë individë që punojnë në të e shohin punën që kanë si mjet pasurimi personal nëpërmjet vjeljes së ryshfeteve qytetarëve; së dyti, pafuqinë e këtij sistemi për të goditur korrupsionin që na godet nëpërmjet vjedhjes së parave publike si dhe, më në përgjithësi, për të bërë të funksionojë shteti i së drejtës. Sipas meje, edhe pse këto dy forma korrupsioni të Drejtësisë vështirë se mund të ndahen, nëse do të përcaktonim prioritete, problemi i dytë është më i rëndi dhe ai që duhet ndrequr, i pari. Kjo do të thotë, pra, se reformat para së gjithash duhet të synojnë një Drejtësi sa më të pavarur nga politika, sepse është korruptimi i Drejtësisë nga politika, nëpërmjet garantimit të pandëshkueshmërisë së politikanëve ai që e ndihmon dhe garanton pastaj korrupsionin e Drejtësisë në kuptimin e parë, atë të marrjes ryshfete. Po të ndjekësh ngjitjen në nivelet më të larta të Drejtësisë të shumë të përfolurit Gjin Gjoni, do të vësh re se ai e ka karrierën e tij nga politikanët.
E përsëris, e vërteta e provuar këta njëzet vjet e kusur është se në thelb politikanët tanë nuk e duan një Drejtësi të pavarur e të pakontrolluar prej tyre, ashtu sikurse nuk duan edhe një media të pavarur e të pakontrolluar prej tyre, ashtu sikurse nuk duan edhe një shoqëri civile të pavarur e të pakontrolluar prej tyre; përkundrazi, i duan të kapur e korruptuar prej tyre. E duke pasur parasysh këtë, hapat e hedhur duhet të jenë të tillë që të sigurojnë sa më shumë pavarësi të Drejtësisë nga politika. Presioni duhet ushtruar që reformat e votuara prej tyre të garantojnë sa më shumë pavarësi. Nuk marr këtu përsipër të sugjeroj gjëra që njihen nga specialistët e Drejtësisë shumë më mirë nga unë, por po ngre shqetësimin se prirja nuk më duket kjo. Sepse sipas meje, një reformë e tillë duhet të kryhet së bashku me opozitën dhe me aktorë të tjerë dhe jo vetëm, madje kundër të tjerëve, siç po duken bathët. Për shembull, një reformë serioze në Drejtësi duket se duhet domosdo të prekë edhe Kushtetutën, pasi gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që mund të shërbejnë si një filtër shumë i rëndësishëm për gjykatat më të ulëta, zgjidhen nga Parlamenti vetëm me maxhorancë të thjeshtë. Nuk do shumë mend se nëse duam gjyqtarë më të pavarur, ashtu sikurse edhe President, d.m.th. kryetar KLD-je të tillë, këta do të ishte më mirë të zgjidheshin me tre të pestat. E kjo kërkon ndryshim kushtetues që ta do mendja se duhet bërë së bashku. Dikush do të thotë se me këtë konfliktualitet që kemi ne dhe me këtë opozitë bllokuese kjo nuk mund të arrihet kurrë. E vërtetë, por sipas meje, më mirë hapa më të ngadalshëm e të sigurt, sesa akte të forta konfliktuale. Aq më tepër kur përditë dalin akuza që provojnë se ata që do të bëjnë reformën në mënyrë konfliktuale vetëm me Drejtësinë nuk kanë lidhje.