• |
ide | kryesore

Aty ku djegin librat, djegin edhe njerzit

Arkiva, Ide
ai-foto-express (1).jpg



Po e marr mundin dhe kënaqësinë në të njëjtën kohë t’i dal në mbrojtje një libri që s’e kam lexuar, e ndoshta s’do ta lexoj kurrë. Në të vërtetë, i bie se po i dal në mbrojtje Librit. Dhe nuk them se më bën ndonjë nder ky akt, në këtë rast më shumë do të më nderonte ta kisha lexuar librin.

Në mungesë, le të më lejohet një diskutim në parim.

Arsyeja e shëndoshë na thotë se s’ka libër për t’u djegur; s’duhet të ketë libër për t’u djegur. Megjithëse, në përditshmërinë tonë, pa të keqen tonë, aq herë na ka bërë, na bën, e do të na bëjë vaki të djegim libra, jo aq fizikisht po thjesht figurativisht: në shtëpinë tonë, në privatësinë tonë, në heshtjen e shenjtë, pa ndonjë mëri individuale a kolektive, pa fanatizëm, pa ndikimin nga një individ a grup të cilit i përkasim, andaj në të drejtën tonë individuale.

Do të mund të thoshim se, po ashtu, në fëmijërinë tonë, sidomos në fëmijërinë e ne të skamurve të përhershëm, sidomos për sa kohë që dimrave ngroheshim me dru, pothuajse në familjen e se cilit ka pasur libra që janë përdorur për të ndezur zjarrin. Po kjo është tjetër histori dhe gjithsesi një mungesë e turpshme kulture.

Po, sigurisht, është ndryshe kur fanatikët dalin në qytet e djegin filan librin. Në këtë rast, është ndryshe kur fanatikët e luftës – të cilët, le të na lejohet edhe pakëz paragjykim, s’kanë lexuar, s’lexojnë as s’do të lexojnë kurrë në jetën e tyre një libër – dalin dhe e djegin librin e Veton Surroit. Sepse është e thjeshtë, apo jo, sikur të kishin lexuar një libër në jetën e tyre, do ta kishin kuptuar se nëse ka diçka që na duket e pavërtetë te një libër, mund të shkruhet po ashtu një libër për ta nxjerrë në dritë të vërtetën e pretenduar. Kështu që bëhet një lloj barazimi, ose tamam lihet nën hije e pavërteta dhe del mbi sipërfaqe e vërteta e pretenduar.

Sikur ta kishin lexuar një libër në jetën e tyre, do ta kishin kuptuar se të vërtetat e një libri fiksioni, i përkasin fiksionit.

Dhe, natyrisht, sikur ta kishin lexuar një libër në jetën e tyre, do ta kishin kuptuar se në Histori aq herë janë djegur libra dhe ato akte, ne, sot, duke qenë njerëz të edukuar dhe qytetëruar, i konsiderojmë akte makabre krimi.

***

Po ky është vetëm një interpretim.

E vërteta (e interpretimit tjetër) është se kur digjen librat, bëhet për arsye të njohura, konkrete. Në përgjithësi, djegia bëhet për shkak të përmbajtjes së librit. Personave, grupeve, ideologjive të caktuara iu pengon secili libër që vë në dyshim të vërtetat e tyre, secili libër që kritikon, tall apo përqesh idetë, veprimet apo qëllimet e tyre. Në pamundësi të polemizimit, në mungesë të vullnetit për të debatuar, nga frika se ai filan libër do të ketë ndikim te masa a qoftë vetëm para një individi, apo tamam duke mos pasur asnjë argument për t’ia kundërvënë atij asaj përmbajtjeje, përgjigjja e parë dhe e fundit është djegia.

***

Në Histori, rasti i parë i djegies së librave mendohet të jetë ai i shkrimeve të Protagorës, në Agorën e Athinës, në vitin 411. Bile duke e pësuar edhe vetë autori, me internim. Pas kësaj, historia është dëng me raste të këtilla. Vetëm dua të them se në aq raste, djegia e librave është bërë një “lojë pingpongu”. Një palë që një kohë e vuante persekutimin, kur i vinte radha të jetë më e fuqishme, persekutonte në të njëjtën mënyrë ish persekutuesit. Kjo ka ndodhur për herë të parë në Perandorinë e vonë romake: një herë pushteti shtetëror i persekutonte autorët e krishterë dhe digjte librat e tyre, e më pas, të krishterët, me ta marrë pushtetin, digjnin librat paganë (Stipçeviq, Historia e Librit, Toena, 2000).

Një nga rastet tjera të njohura është djegia e Bibliotekës mbretërore të Aleksandrisë, bërë me urdhrin e kalifit Omar, i cili, paska pas thënë: «Ato libra ose janë tashmë të pranishme në Kuran, ose janë gjëra që s’bëjnë pjesë në Kuran: nëse janë të pranishme në Kuran janë të kota, nëse nuk janë të pranishme atëherë janë të dëmshme dhe duhet të shkatërrohen».

Dhe sigurisht, nga rastet e fundit, më i njohuri është ai i regjimit nazist.

***

Veteranët e UÇK-së, ata që po merren me djegien librave, si dhe ata të tjerët, të cilës do përkatësi politike e ideologjike që e përkrahin aktin, janë pjesë e asaj Historie të mbuluar nga turpi, dashakeqësia, injoranca, krimi.

***

Për t’u kthyer tek ajo që aq pamendshëm e quajta “lojë pingpongu”: përderisa në vitet ’90 regjimi serb na kishte privuar nga shkollat dhe bibliotekat, ne shqiptarët, menjëherë pas luftës, kur uzurponim pronat e serbëve, hidhnim në bërllok librat e tyre, ose tamam i digjnim në mes të rrugës.

***

Unë, për shembull, rrëqethem kur e gjej Surroin të kërkojë dhe ndikojë që në vitet e ardhshme ta kemi për kryeministër një të dyshuar për vrasje të ndryshme, ama kjo në asnjë mënyrë nuk është një arsye të kërkohet linçimi i tij (qoftë edhe si ëndërr do të ishte krim). Si Njerëz dhe si njerëz të edukuar, e gjitha që duhet të bëjmë, është të debatojmë. Gjithmonë duke e pasur parasysh se sa do të bindur që të jemi në të drejtën tonë, mund të jemi thellësisht gabim.

***

Borges ka një poezi, (Atlas, 1984), të titulluar ‘El principio’. Në të, siç ishte e rëndomtë për të, imagjinon, ose propozon një gjendje si kjo: dy grekë, ndoshta Soktrati dhe Parmenidi, bashkëbisedojnë. Në të vërtetë, nuk polemizojnë, as nuk duan të bindin a të jenë të bindur; nuk kërkojnë të fitojnë. Për t’i rënë shkurt, ata: «Janë dakord vetëm për një gjë; e dinë se diskutimi është rruga e vetme jo e pamundshme për të arritur te një e vërtetë».

***

Djegia e librave është akt ideologjik. Një nga shoqëritë distopike është ndërtuar pikërisht mbi këtë parim: në të s’duhet të ketë asnjë libër (Ray Bradbury, Fahrenheit, 451).

Tek Elias Canetti, protagonisti i romanit të tij të vetëm, në fund, i vë flakën bibliotekës. Vetë Canetti, në librat e tij autobiografikë, ka bërë me dije se ai finalizim i tillë nuk i pëlqen më aspak.

***

Surroi kishte të drejtë në reagimin e tij: «pas djegies së librave, i veshin këmishat e zeza».

Freudi e merrte më me shaka. Vetëm djegien e librave të tij e quante përparim, se «në mesjetë do të më kishin djegur edhe mua».

Është e udhës ta citojmë edhe Heinrich Heinen, i cili i kishte mëshuar edhe më kësaj të vërtete: «Aty ku digjen librat, në fund fillojnë t’i djegin edhe qeniet njerëzore».

***

Le të më lejohet edhe kjo: me kafshët patriotike, megjithatë, e kemi përfunduar. Nëse vjen epoka e kafshëve religjioze ashtu siç po paralajmërohet të vijë, atëherë do të shohim turra të vërteta të djegieve të librave-qenieve njerëzore.

***

Të kthehem edhe një herë, për fund, te “mllefi” im ndaj Surroit: ai po harron se ai kryeministri i dëshiruar nga ai është një djegës potencial i librave-qenieve njerëzore.

Pra lavdi librave!

Por, lavdi edhe demokracisë dhe parimeve!