• |
ide | kryesore

Si i ka ndryshuar veprat Kadareja

Arkiva, Ide
téléchargement (3).jpg



Nga intervista që dha tani së fundi botuesi i Kadaresë, B. Hudhri, më bëri përshtypje veçanërisht pohimi i mëposhtëm:

Nga përvoja 20 vjeçare me Kadarenë mund të them se kurrë nuk ka patur asnjë rast, që ai të ndryshojë, retushojë veprat e tij, sikundër e hamendëson profesori. Librat janë të ribotuar, cilido mund ta vërtetojë lehtë këtë duke u nisur që nga “Dimri”, “Koncerti”, “Pallati i ëndrrave”, “Kronikë në gur” etj., etj. Ndërsa retushime të karakterit gjuhësor, artistik, po.

Në fakt, I.K. ka bërë ose miratuar rregullisht ndryshime në tekstet e veprave të tij, ndryshime të cilat – të paktën për romanet Kështjella dhe Kronikë në gur nuk janë thjesht retushime ose ndreqje të vogla, por ndërhyrje sistematike me natyrë ideologjike në indin e veprës.

Kronika_NEWE kam studiuar romanin Kështjella nga ky këndvështrim dhe një pjesë të rezultateve i kam sjellë tashmë në librin timKundër purizmit; në një kohë që punimin e plotë (shumë më i zgjeruar se kapitulli në libër) ende nuk e kam botuar. Edhe vetëm nga materiali i bërë publik, duket qartë që një nga synimet e autorit, për ndërhyrjet në tekst, ka qenë të “pastrojë” leksikun e veprës, duke hequr që andej orientalizmat dhe duke i zëvendësuar me fjalë të tjera, me biografi “më të mirë” (një synim tjetër ka lidhje me rrafshin narrativ dhe ka të bëjë me Krishterimin si aspekt të jetës së Arbrit në roman).

Dhe çfarë ka ndodhur me Kështjellën e restauruar nuk kufizohet vetëm me atë vepër; pse e shoh edhe te Kronikë në gur, në kryevepër të fazës së hershme të prozës kadarejane.

Në versionin e ripunuar të këtij romani, dikush – shpresoj jo I.K.-ja vetë, por një redaktor teknik i udhëzuar prej tij – ka dëbuar nga teksti shumë fjalë orientalizma dhe të tjera fjalë “të huaja” (si konture, peizazh, etj.), për t’i zëvendësuar me fjalë  shqipe, për nga origjina.

Është e drejta e autorit që t’i ripunojë veprat e veta sa dhe si të dojë; por – veçanërisht kur bëhet fjalë për kryevepra, të cilat kanë formuar, kulturorisht, breza të tërë dhe kanë hyrë në historinë e letërsisë shqipe – është edhe e drejta e publikut që të njoftohet hollësisht për këto ndryshime, të cilat prekin thelbin më delikat të veprës: ndërfaqen e saj me kompetencën letrare të lexuesit.

Prandaj as Kështjella, as Kronikë në gur në versionet “definitive” të botuara në veprën e plotë të IK-së nuk janë të njëjta me versionet e tyre origjinale; dhe kushedi duhen identifikuar si tekste të mëvetësishme, qoftë edhe thjesht duke i numëruar: Kështjella I, Kështjella II; e kështu me radhë.

Unë gjithashtu mendoj se ndërhyrjet sistematike në leksik i kanë dëmtuar të dy veprat, duke ua hequr një pjesë të mirë të sharmit të origjinalit.

Për ta ilustruar këtë, do të mjaftohem me një shembull të vetëm: skenën e kasaphanës ngaKronikë në gur, ku fëmija rrëfimtar i romanit, së bashku me shokun e tij të ngushtë Ilirin, shkojnë të shikojnë si theret bagëtia në kasaphanën e Gjirokastrës.

Forca e kësaj skene ka të bëjë me kontekstin e saj historik – ose Luftën II Botërore, të cilën shtypi i atyre viteve, sikurse citohet edhe në roman, e quan kasaphanë: njëjtësia leksikore themelon kështu një marrëdhënie metaforike të thellë midis therjes së bagëtisë dhe therjes së njerëzve në luftë.

Tani, në versionin e ri të romanit, I.K. e ka parë të udhës ta heqë fjalën kasaphanë nga teksti, për ta zëvendësuar me neologjizmin thertore.

Ja pasazhi origjinal (nga një botim i vitit 1978, i vetmi që kam në dorë):

“Vemi në kasaphanë?” tha Iliri. “S’kemi qenë asnjëherë.”

“Në kasaphanë? E ç’të bëjmë atje?

“Si ç’të bëjmë? Sehir. Të shohim si theren lopët, delet.”

“Ç’sehir mund të ketë te kasapët? Ne i kemi parë dyqanet e tyre. Mishra të varura në çengel, ca me këmbë përpjetë, ca me këmbë poshtë.”

Dyqanet janë tjetër gjë,” tha Iliri. “Në kasaphanë është ndryshe. Atje shikon si theren demat. Atje s’ka fare dyqane. Më kupton? Atje është vetëm kasaphanë.”

Fjala “kasaphanë” hynte në numrin e atyre fjalëve që përdoreshin kohët e fundit gjithmonë e më shpesh dhe me një kuptim jo shumë të përcaktuar.

Ja edhe i njëjti pasazh, tashmë i ripunuar, sipas një botimi të vitit 2000, që kam në duar:

“Vemi në thertore?” tha Iliri. “S’kemi qenë asnjëherë.”

“Në thertore? E ç’të bëjmë atje?

“Si ç’të bëjmë? Të shohim si theren lopët, delet.”

“E ç’mund të ketë te mishtarët? Ne i kemi parë tregtizat e tyre. Mishra të varura në gremç, ca me këmbë përpjetë, ca me këmbë poshtë.”

Tregtizat janë tjetër gjë,” tha Iliri. “Në thertore është ndryshe. Atje shikon si theren demat. Atje s’ka fare blerës të mërzitshëm që grinden për çmimet. Më kupton? Atje është vetëmkasaphanë.”

Fjala “kasaphanë” hynte në numrin e atyre fjalëve që përdoreshin kohët e fundit gjithmonë e më shpesh dhe me një kuptim jo shumë të përcaktuar.

Hidhuni një sy teksteve. Pasazhi i marrë nga origjinali flet për kasapë dhe kasaphanë duke e lejuar rrjedhshëm kalimin metaforik nga vendi ku theret bagëtia te lufta si masakër; dhe duke futur edhe konceptin e sehirit dhe të sehirxhiut, që gjithashtu shërben si metaforë për asnjanësinë në kohë lufte.

Përkundrazi, pasazhi i ripunuar, nëpërmjet higjienizimit të tekstit, e ka dëmtuar metaforën – sepse tani vendi i therjes quhet thertore, por fjala thertore në shqipe nuk është metaforizuar për të shënjuar edhe masakrën; dhe gjithashtu kasapi i origjinalit është bërë mishtar, pa çka sekasap përdoret, metaforikisht, për të cilësuar një njeri gjakatar dhe mizor, ndërsa mishtar jo.

Po ashtu, nga teksti i ri është zhdukur fjala dhe vetë koncepti unik i sehirit, së bashku me një numër fjalësh të tjera orientale, si dyqan dhe çengel, për t’u zëvendësuar me neologjizmattregtizë dhe gremç, të cilat në fakt tingëllojnë si nota të stonuara, në ligjëratën e drejtë të dy fëmijëve në Gjirokastrën e viteve 1940.

Më tej akoma, për ta ruajtur fushën metaforike e kasaphanës, versioni i ri e vë Ilirin të flasë njëkohësisht, brenda të njëjtit pasazh, edhe për thertore edhe për kasaphanë, duke lejuar një inkonsistencë që, në thelb, e bën pasazhin artificial. Për këtë fjalë, edhe në versionin e ri, rrëfimtari fëmijë vazhdon thotë se “hynte në numrin e atyre fjalëve që përdoreshin kohët e fundit gjithmonë e më shpesh”, teksa lexuesit nuk i shpëton kontrasti i padëshirueshëm midis këtij pohimi, dhe faktit që kasaphanën e kanë mënjanuar, praktikisht, nga teksti i romanit, siç e provojnë edhe replikat mes dy personazheve. Ajo që thotë rrëfimtari i referohet “kompetencës diskursive” të versionit të parë të romanit, jo asaj në të dytin; sepse në versionin e dytë personazhet flasin për thertore, jo për kasaphanë.

Mua si lexues i vjetër, i dashuruar pas romanit Kronikë në gur, më vjen keq për “kasaphanën” leksikore që i është bërë veprës, në emër të atij obsesioni ideologjik që është purizmi. Në një kohë që ndërhyrja e mësipërme do sjellë si shembull didaktik, se si nuk duhet ndërhyrë në një tekst letrar, kushedi ekzistojnë premisat për t’i kërkuar, I.K.-së vetë, shtëpisë botuese Onufri, ose edhe ndonjë institucioni të rijetësimit të trashëgimisë kulturore, që Kronikë në gurtë ribotohet në versionin e vet origjinal.

Shënim: Çfarë ka ndodhur me tekstet e këtyre romaneve do parë në dy aspekte: së pari, për të hetuar impaktin e redaktimit leksikor sistematik në strukturën e veprave dhe në intentio lectoris, ose në llojin e lexuesit që kërkojnë të programojnë veprat; dhe së dyti, për të vënë në dukje se lexuesi, kritika dhe publiku nuk janë lajmëruar për këto ndryshime, të cilat në rastin më të mirë janë paraqitur si retushime me karakter gjuhësor ose artistik; por le të shpresojmë se ata që janë shprehur kështu, nuk e dinë se për çfarë po flasin. Retushim me karakter gjuhësor unë do të quaja ndreqjen e një gabimi drejtshkrimor, rregullimin e sintaksës së një fjalie, shtimin ose heqjen e një pikëpresjeje, etj.; ose ndërhyrje redaktimi teknik të tekstit – në një kohë që zëvendësimi sistematik i një kategorie të caktuar fjalësh nuk është më gjuhësor, por ideologjik nga natyra. Retushimi me karakter artistik, nga ana e vet, nuk mund të jetë sistematik, por gjithnjë individual – sepse mund të ndryshosh një metaforë të caktuar në tekst ose të rregullosh ritmin e një pasazhi; por jo të ndryshosh metaforat si të tilla, ose ritmin e prozës në tërësinë e veprës, pse kështu ke krijuar një vepër të re.