• |
ide | kryesore

Fshatrat e Potemkinit në ministrinë e turizmit shqiptar

Arkiva, Ide
salihu.jpg



Saranda, nga US Today, u radhit në vendin e tetë të gjireve më të bukura në botë. Në vend se të jetë nxitje për rritjen e përgjegjësisë për këtë vend, më duket se shfrytëzohet si argument për të kamufluar të pabëmat dhe mungesën e vizionit të qeverisjes lokale, Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, njëherit edhe qeverisë Shqiptare.

Gregory Potemkin një gjeneral i Rusisë cariste i ka siguruar vetes vendin në histori. Jo me ndonjë shkathtësi veçuese ushtarake. Ai ka hyrë në histori si figurë e fuqishme për konstruksionet e rrejshme sociale e politike. Ai kishte ndërtuar fshatra të rrejshëm të mirëqenies për të impresionuar perandoren ruse të asaj kohe Katarina II. Potemkini është bërë emër për të shenjuar të gjitha manipulimet në krijimin e impresioneve të rrejshme për dicka që nuk është. Më duket që e njëjta është duke ngjarë edhe në ministrinë e turizmit shqiptar. Nuk është kjo paralele e sforcuar siç mund të duket në shikim të parë. Marrim si shembull Sarandën, njërën pikë sinjifikative të turizmit shqiptarë dhe çdo gjë bëhet e qartë; se si në dy nivelet e pushtetit atij lokal dhe qendror i kanë funksionalizuar mekanizmat identik të manipulimit me qytetarët prej se kishte filluar sezoni turistik 2014.
Fillimi i qershorit, së paku sipas përshtypjeve të krijuara nga aktivitetet e minstres së turizmit, ishte përplotë shpresë, se ky vit do të jetë ai i ndryshimeve të dukshme në organizmin e këtij vendi për të mirëpritur pushuesit që për destinacion kanë përzgjedhur këtë vend mahnitës. Dhe diku në fillimin e qershorit e shoh në TV ministren e turizmit në vizitë në Sarandë. Kisha përshtypjen se më në fund filluan levizjet e para, filloi trajtimi i duhur i çështjes së turizmit, filloi vendosja e rregullit në këtë qytet, filloi mbikqyrja e instancave qeveritare mbi fodullëkun dhe arbitraritetin e pushtetit lokal të këtij qyteti. Ardhja e qeverisë Rama e pritur me shpresën e madhe për ndryshimet eventuale në qasjen dhe në mendësinë e këtij vendi, dukej se ka filluar të ketë efektet e pritura.
Nuk po shpalos këtu impresione të rastit, pasi që, Sarandën, ka tash 10 vite që e vizitoj radhazi. Madje kam blerë një apartament me idenë se një ditë do të zhvendosem dhe të kaloj jetën këtu, në këtë qytet të rrallë të mesdheut. Ndryshimet i përcjellë në çdo anë, kur ato ndodhin diku. Por, tash e 10 vite në Sarandë nuk është bërë asgjë. Nuk është investuar asgjë – përveç një rruge që lidhë Sarandën me Ksamilin – asnjë gjë tjetër nuk është bërë. Në qeverisjen socialiste të këtij qyteti, përvec ndryshimeve kozmetike tek limani dhe një fushe të lojës në qendër asgjë tjetër nuk është bërë. Ky qytet i është lënë në pamëshirë qeverisjes lokale pa ide dhe pa vizion; një qeverisjeje të korruptuar e cila nuk qanë fare kokën për mundësitë që ka ky qytet dhe për nevojën akute të adresimit të nevojave të pushuesve, por edhe formësimit të atillë urban që do të krijonte bazën e shëndoshë për të ardhmen e këtij qyteti. Gjithçka në këtë qytet është vepër e investimeve private gjë që mund të konstatohet në shikim të parë nga reliefi arkitektonik në të cilin përvijohet qartë çdo  mungesë e pranisë së shtetit dhe ligjit. Forca e verbër e kapitalit është shprehur qartë në muskujt e betonuar të objekteve që ndrydhin njëri tjetrin. Askund hapësira rekreative, fusha sporti për pushuesit, shëtitore ose pedonale për ata që kanë nevojë të shijojnë bukurinë e brigjeve të Jonit.
Megjithatë, ky është kapitali i vetëm i investuar në Sarandë. Kjo është ajo që tashmë ky qytet ka. Këto investime, sado pa ndonjë sistem të qartë zhvillimor, janë shndërruar në levë të vetme të zhvillimit ekonomik të qytetit. Këto investime kanë ngritur deri diku cilësinë e ofertës së akomodimit të pushuesve. Por edhe kjo iniciativë private,  lëre se nuk është suportuar me asgjë, por i është nënshtruar një voluntariteti të oligarkëve lokal dhe qendror. Bashkia e Sarandës ende nuk i ofron as shërbimet minimale për të cilat është e obliguar. Në Sarandë shërbimi i menaxhimit të plehrave është jashtë çdo norme. Në lagjen e Turizmit mund të vëreni mungesën evidente të kontejnerëve të plehrave. Edhe ato në shfrytëzim janë shpesh të stërmbushura, ndodhë shpesheherë të ketë ndërprerje të dritave. E më e keqja që aty nuk ka fare ujë. Tash e ca ditë ka filluar të jepet ujë me pipetë që nuk arrin as të mbushë ndonjë depozitë. Ndërkaq, me mija kub ujë në sekond derdhen së bashku me ujërat e zeza në kanalin e Çukës – një vend ky idilik, me një kanion të vockël ku derdhet Bistrica në detin Jon. Një vend ideal për ndonjë konkurs ndërkombëtar arkitekturor për të implementuat një vend unik për pushuesit. Impianti tashmë i instaluar ende nuk është funksional – arsyet nuk i di, sikurse që askush nga pushuesit nuk e ka kuptuar asnjëherë pse lagjja Turzimi nuk ka ujë, por furnizohet me bote të cilat gjithë kohën i sheh në këtë pjesë të qytetit si pjesë bllokadës së trafikut. Arsyeja mund të jetë vetëm një dhe nuk ka tjetër: korrupsioni, Kusarët e këtij qyteti, nuk kanë fare simpatinë e atyre të karaibeve – këta janë të paskrupullt. Këta shesin një bot me 10 metro kub ujë për 3000 lek të reja. Një hotel mesatar në këtë lagje ka nevojë, së paku, për dy deri në tri bote të tilla në ditë – po ashtu edhe pallatet me banimet private të njëjtën. Nëse bëhet një kalkulim i vrazhdtë, të shumëzohet numri i pallateve dhe hoteleve me numrin e boteve që hargjojnë, e shohim se fjala është për shuma marramendëse të cilat janë në qarkullim e që janë arsyeja e vetme pse në bashkinë e Sarandës askush nuk është i interesuar që të zgjidhë këtë problem. Është e pakuptueshme se si një qytet i cili fton vizitorët dhe pushuesit, me kaq lehtësi shpërfill faktin që ata nuk kanë ujë. Si nuk ekziston asnjë shenjë alarmi, apo pse nuk trajtohet si çështje emergjente, mungesa e ujit së paku për dy muajt e sezonit? Pse deri më tani bashkia nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të menaxhuar situatën e emergjencës? Pse bashkia nuk është ajo që me paratë e taksapaguesve të saj, në këtë rast shumica e bizneseve turistike të qytetit, nuk i siguronë atyre ujin për të zhvilluar një biznes normal?
Më e keqja që këto pyetje nuk vlejnë vetëm për nivelin lokal, por edhe atë qendror – për qeverinë shqiptare.
Pse qeveria shqiptare lejon një gjendje të tillë? Pse minsitrja e turizmit, në vizitën e saj në Sarandë, pozon në shetitoren e Sarandës e jo në pjesët ku do të akomodohen turistët, për të parë se cila është gjendja reale në këtë qytet? Pse ajo sillet si një kukull pa ide nëpër qyetin turistik sikurse Katarina II, të jetë e pranishme në promovimin e fshatit të Stefan Çipes sipas modelit të Potemkinit?   
Këto pyetje shtrohen rreth një qyteti çfarë është Saranda. Nuk ka një muaj që gazeta prestigjioze US Today kishte radhitur Sarandën në vendin e tetë të gjireve më të bukura në botë që duhet gjithsesi vizituar. Disa ditë më vonë të njëjtin vlerësim, me përshkrim më të detajuar e gjejmë në shkrimin për Shqipërinë në përgjithësi në NY Times. Nuk mungojnë as vlerësime tjera nëpër media të ndryshme me renome gjithandej.  Kjo vetëm flet se me çka posedon shteti shqiptar. Ky duhet të jetë një tregues i qartë për qeverinë shqiptare se turizmi është pikë neuralgjike e ekonomisë shqiptare në të ardhmen. Se ky resurs ende nuk është shfrytëzuar dhe ende nuk është trajtuar me prioritet ose me ndjeshmërinë për rëndësinë që ka për ekonominë shqiptare. Dhe më e keqja: në vend se vlerësimet e këtilla të shtojnë përgjegjësinë menaxhuese, qoftë lokale, qoftë qendrore, ato vetëm shfrytëzohen për të kamufluar të pabëmat dhe mungesën e vizionit.