• |
ide | kryesore

Një akt i guximshëm i Bashës

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Për shumëkënd që ndjek politikën, asocimi i emrit të Lulzim Bashës me epitetin i guximshëm, do të shkaktonte humor. Por ja, që lideri i PD-së ka kryer një akt nga ato që rrallë i ndeshim tek politikanët tanë, një nga ato që marrin krahun e qytetarëve, kundrejt pushteteve të paprekshme, qofshin edhe ato ekonomike.  Basha ka dalë dje përpara shqiptarëve për t’u bërë atyre thirrje që të bojkotojnë masivisht vendimin e qeverisë që detyron çdo qytetar të dorëzojë që nga data 6 gusht numrin IMEI të celularit të tij. Dihen tashmë efektet shkatërruese të këtij vendim mbi privatësinë e qytetarëve. Pas hyrjes së tij në fuqi, një “Big Brother”, si në fantazitë më të këqia të Oruellit, mund të na gjejë më anë të celularit se ku jemi, mund të kontrollojë fotografitë që mbajmë në smartphone-t tanë, mund të na përgjojë bisedat, komunikimet e faceboouk-t, whatsapp-it, viberi-it, bbm-it etj.

Dhe të gjitha këto tashmë janë të mundura pa kërkuar leje nga një prokuror dhe pa vendime gjykate.

Duke bërë detyrën e saj, opozita e ka sulmuar këtë vendim, ka bërë padi në Gjykatën Kushtetuese, duke u mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në një vendim të pranverës së këtij viti, ku Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg, që ua ndalon qeverive të BE-së dhe kompanive të celularëve dorëzimin e numrit IMEI.

Por kjo është një praktikë rutinë në punët e pakicës parlamentare. Ajo që ka bërë këtë të martë lideri i PD-së, e tejkalon këtë. Një ditë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ai jo vetëm e ka denoncuar edhe njëherë, jo vetëm u ka bërë thirrje qytetarëve për mosbindje civile dhe bojkot të kësaj padrejtësie që u bëhet, por këtë herë e ka kapërcyer ylberin. Ai u është adresuar ashpër edhe kompanive celulare, në fakt, mbajtëseve të pushtetit më të madh ekonomik në vend: “Partia Demokratike u bën thirrje kompanive celulare në Shqipëri të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe të mos ia dorëzojnë Edi Ramës të dhënat personale të abonentëve. Në të kundërt ato do të përballen me paditë civile dhe penale të opozitës dhe qytetarëve të vendit dhe me bojkot masiv si dhe do të mbajnë përgjegjësi për këtë paligjshmëri skandaloze”.

Po pse kjo deklaratë e fortë  është një moment kyç në drejtimin njëvjeçar të opozitës nga Basha? Pse ajo duket e guximshme dhe në ndryshim edhe me atë që publiku e mendon si profilin standart të liderit të PD-së?

Për faktin e thjeshtë se këtë rradhë kreu i PD-së ka tentuar të sulmojë të paprekshmit; kompanitë celulare. Duke prishur kështu një traditë të keqe. Sepse prej kohësh në Shqipëri jemi mësuar me një zakon: kur ndodhin skandale si ai i Gërdecit, fillon sherrnaja politike, po nuk preket verbalisht Delijorgji. Kur ndodhin privatizime skandaloze si ato të Armos, telendiset Berisha, por nuk përmendet Rezart Taçi. Kur jepen hidocentrale me konçesion, akuzohet familja Berisha për korrupsion, por nuk flitet për ata që e kanë ushqyer me para këtë allishverish. Duket sikur për politikën është krijuar një tabu, një shtresë e paprekshme që u shërbën për të financuar fushatat, për të ndarë paratë e korrupsionit, për të zgjeruar rrethin e lidhjeve e miqësirave. Pikërisht kjo oligarki duket sikur nuk preket kurrë.

Me aktin e kësaj të marte Lulzim Basha ka hedhur një hap për të shkelur mbi këtë tabu. Ai vërtet i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e vendimit, ai vërtet u ka kërkuar qytetarëve mosbindjen civile dhe mosdorëzimin e numrave të tyre IMEI, por këtë radhë ai ka shkuar edhe më larg. Ka guxuar të fusë në rrethin e atyre që  kanë përgjegjësi (dhe bashkëfajsi nëse i dorëzojnë numrat) edhe kompanitë e fuqishme  të telefonisë. Madje ai ka shkuar deri atje sa të flasë për bojkotim të këtyre kompanive dhe përgjegjësi ligjore për to. Pra, me këtë lëvizje, binomin e zakonshëm qeveri- qytetar, ai e ka shndërruar në trinom, duke përfshirë në këtë lojë edhe një shtresë të tretë, atë të “tëpaprekshmëve” që duhet të jenë njësoj të përgjegjshëm dhe të japin llogari. Pikërisht për këtë hapje, për këtë lëvizje që jep një mesazh të ri (sidomos në këto ditë kur është krijuar më shumë se kurrë ideja e një kaste që nuk jep llogari para askujt), kthesa e Bashës duhet përshëndetur. Shpresoj që ajo të shndërrohet në një parim të tij dhe kjo e martë të kthehet në një datë të rëndësishme për mandatin e tij të parë si opozitar.