• |
ide | kryesore

Sherr në Hollivud: me Izraelin apo me Palestinën. Shtohen zërat kundër në vatrën e hebrejve

Arkiva, Paparazzi
cruz-bardem-009.jpg



Mund të jetë ndoshta tabuja e fundit në Hollivud, por kasaphana në Gaza ka shtyrë një numër në rritje artistësh dhe personazhesh të njohur që të bëjnë të pamendueshmen: të kritikojnë Izraelin.  

Personazhe aq të ndryshme nga njëri tjetri si Rihanna, Jonathan Demme dhe Selena Gomez kanë thyer rregullin kardinal duke rezikuar t’u shkaktojnë personave që merren me PR-in e tyre pushim zemre dhe kanë shprehur publikisht solidaritetin me palesitinezët.  

Deklarimet e tyre kundër dhunës në Gaza, kanë shkaktuar një reagim të ashpër nga peshat “e rënda” të industrisë si Jon Voight, Joan Rivers dhe Howard Stern, përmes një volejbolli intervistash dhe kundërpërgjigjesh në rrjete sociale.

"Emri im është Jon Voight dhe jam më shumë se i zemëruar,"  ylli i Midnight Cowboy shkroi në një letër të hapur “Më sëmur ideja që njerëz si Penelope Cruz dhe Javier Bardem mund të përhapin nëpër botë anti-Semitizëm, duke e ditur dëmin që mund të shkaktojnë.”

Aktori, në këtë mënyrë i përgjigjej një letre nga më shumë se 100 artistë spanjollë, përfshirë Cruz dhe Bardem (ne foto), të cilët akuzonin Izraelin për “gjenocid”.

Rreth 1,800 palestinezë, shumica civilë, janë vrarë dhe më shumë se 9,000 kanë mbetur të plagosur gjatë katër javëve të fundit. Izraeli nga ana e tij ka humbur 2 civilë dhe 64 ushtarë. 

Hollivudi ka lidhje shumë të ngushta me Izraelin, një kauzë që bashkon hebrenj liberal si Steven Spielberg, Jeffrey Katzenberg dhe Barbra Streisand, me konservatorë jo- hebrenj si Voight. Megjithatë, bombardimi i shkollave të ngritura nga OKB dhe rritja e numrit të civilëve të vrarë në Gaza  ka shtyrë shumë personazhe të njohura të shprehin kundërshinë e tyre – e në disa raste dhe të tërhiqen lehtë nga ajo që kanë thënë më parë. Aktorët Mark Ruffalo dhe Wallace Shawn, Roger Waters i Pink Floyd dhe regjizori Jonathan Demme, kanë përjetuar shumë sulme që kur vendosën të mbanin një qëndrim.

"Nuk e shoh këtë si çështje politike, apo mbështetje për Palestinën, aq më pak për Hamasin.” tha  për Associated Press Demme, regjizor i Silence of the Lambs, "Mendoj se ka të bëjë me marrjen e jetëve të pafajshme dhe shkatërrimin e një kulture. Nuk më ka ardhur kurrë turp nga këndvështrimi im pacifist i të parit të gjërave, që kur në vitet ’60 bëra hipi”

Edhe prezantuesi i The Daily Show, Jon Stewart hyri në këtë debat duke i zgjedhur me shumë kujdes fjalët: “Thjesht përmendja e Izraelit, apo ngritja e pyetjeve mbi efektivitetin, apo humanitetin e politikave të Izraelit, nuk mund të barazohet me një qëndrim pro Hamas.”  

Dy javë më parë Rihanna u shkroi në Tëeeter 36 milionë ndjekësve të saj  FreePalestine (Palestinë e Lirë) dhe vetëm 8 minuta më vonë e fshiu, pas një rrebeshi kritikash. Ajo u justifikua duke thënë se kishte qenë një aksident. Një burim pranë këngëtares u tha gazetarëve se ajo ishte pro paqes, por nuk po mbante anë. 

Edhe Cruz dhe Bardem u tërhoqën pjesërisht, duke nxjerrë deklarata për shtyp për të sqaruar se ata ushqenin shumë respekt për izraelitët, ndjenin keqardhje për humbjet e tyre dhe se dëshironin paqe në rajon.

Rivers, një komendian veteran dhe mbështetës i flaktë i Izraelit, pavarësisht diferencës në moshë, e pa më të arsyeshme të merrej me 22 vjeçaren Selena Gomez, e cila kishte shprehur më parë solidaritetin e saj me popullin e Palestinës. “Ku e ka bërë shkollën ajo? Pyeteni nëse di ta gërmëzojë fjalën Palestinez,” u shpreh ai. 

Pjesa më e madhe e industrisë së filmit dhe asaj artistike ka qëndruar në heshtje- ndryshe nga opinionet e derdhura pa fund për kauza e çështje të tjera si martesat gay, ndryshimet klimaterike, apo për Sudanin e Jugut – dhe i janë përmbajtur rregullit të ngurtë të Hollivudit, rregullit nr. 1 “Flit për çdo gjë politike që të të dojë qejfi në Hollivud… përveç Gazës.
E megjithatë pasioni për këtë temë po vlon kaq shumë, sa edhe heshtja e atyre si Spielberg, Streisand dheKatzenberg tashmë konsiderohet si një lloj deklarimi.

"Disa prej mbështetësve në të mëdhenj e më të njohur të Izraelit, nuk po bëjnë zë,”vuri në dukje Jewish Journal. “ Ata duken shumë të dhënë për ta mbështetur Izraelin në kohë të qeta, por preferojnë të heshtin kur gjërat nxehen.”

(Marrë nga The Guardian. Lapsi.al)