• |
ide | kryesore

Në kërkim të një qëllimi për politikën e jashtme

Arkiva, Ide
richard haass.jpg



SHBA po punon të rrisë sanksionet ndaj Rusisë për destabilizimin e nxitur prej saj në Ukrainë dhe po përpiqet të zgjasë armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Por veprimi në vetvete nuk është strategji. Në të dy rastet, pyetja që ngrihet është: veprim për çfarë qëllimi?
Përgjigjet nuk janë të qarta. Në Ukrainë, SHBA kërkojnë një rezultat që mund të mos jetë i arritshëm; në Gaza, politika duhet të kapërcejë krizën aktuale dhe të rimodelojë dinamikën bazë të konfliktit.
Objektivi i politikës së SHBA kundrejt Rusisë duket se është rritja e dhimbjes ekonomike, deri kur Presidenti Putin të sprapset. Por Putini është investuar shumë në atë që ka bërë dhe nuk mundet që thjeshtë të heqë dorë; nëse e bën, ai vë në rrezik të ardhmen e tij. Nuk duhet harruar edhe fakti që, ajo çfarë ai po bën gëzon një mbështetje të madhe në të gjithë Rusinë; kjo mund të ndryshojë, por ndryshimi do të vijë me ngadalë. Në ndërkohë, rritja e përfshirjes së Rusisë në Ukrainë – dhe ato që po duken si përgatitje për një tjetër pushtim – rrit rrezikun e shpërbërjes së mëtejshme të këtij vendi, një luftë më të gjerë, ose të dyja bashkë. Sanksionet janë një instrument i politikës, jo një objektiv. Ata janë në rastin më të mirë, mjeti për të arritur qëllimin. Po cilin qëllim? Nëse kapitullimi i Rusisë nuk ka gjasa të ndodhë dhe përshkallëzimi i konfliktit është një rrezik real, sfida është të gjendet një përfundim i cili do i linte më mirë SHBA, aleatët e tyre europianë dhe Ukrainën – si dhe do të ruante një marrëdhënie me Rusinë që, pavarësisht gjithë problemeve, do të vazhdonte t’u shërbente disa interesave amerikanë, duke përfshirë reduktimin e arsenalit bërthamor dhe stabilizimin e Afganistanit, Iranit, Sirisë dhe Koresë së Veriut.
Objektivi i politikës duhet të jetë qetësimi i situatës. Moska, nga ana e saj, do të duhej t’i jepte fund mbështetjes për separatistët brenda Ukrainës dhe të heqë dorë nga ndërhyrja ushtarake. Në këmbim, ajo duhet të marrë garanci se Ukraina nuk do të hyjë as në NATO, as në Bashkimin Europian, për një periudhë të caktuar kohe. Sanksionet do të lehtësoheshin, por nuk do të hiqeshin tërësisht, duke parë që asgjë nuk mund të bëhet për të shkëputur Krimenë nga Rusia.
Disa do të thonë se Ukraina duhet të ketë të drejtën të hyjë në NATO dhe BE. Po, Ukraina ka të drejtën të kërkojë anëtarësimin në të dy këto organizata, por anëtarët e NATO dhe BE kanë të drejtën të vendosin nëse lejimi i kësaj do të ishte në interes të tyre. Nuk do të ishte, po të kemi parasysh dobësitë e mëdha të brendshme të Ukrainës dhe pasojat (dhe detyrimet) e pranimit të saj.
Të tjerë do të argumentonin se Rusia nuk duhet shpërblyer për agresionin dhe kanosjen. Por politika e jashtme bëhet me shkëmbime (tradeoffs). Një paralele historike që më vjen në mendje është kriza e raketave në Kubë. Atëherë, ashtu si sot, një njeri i fortë në Kremlin veproi në mënyrë të pamatur. Atëherë, ashtu si sot, kishte kuptim të zbutej politika ruse, pa provokuar përfundime më të këqinj. Gjysmë shekulli më parë, SHBA arriti çtensionimin që kishte kërkuar përmes një përzierje trysnie dhe kompromisi, duke përfshirë edhe një premtim publik për të mos pushtuar Kubën dhe një angazhimi privat për të tërhequr raketat nga Turqia. Politika aktuale duhet të ekuilibrojë njësoj trysninë – duke përfshirë edhe sinjalizimin e çmimit ekonomik, politik dhe ushtarak që Rusia do të paguante për ndërhyrje të mëtejshme – dhe stimujt.
Në Lindjen e Mesme të trazuar, SHBA kanë nxitur arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Por tani duhet ta përdorë krizën për të arritur diçka më të madhe. Ka shenja që administrata Obama po arrin në këtë konkluzion; nëse është e vërtetë, duhet mirëpritur.
Nuk do jetë e lehtë. Nevojitet një udhëheqje palestineze që është e gatshme të veprojë me përgjegjshmëri. Ka ardhur koha t’i bëhet presion Hamasit që të vendosë, do të jetë një lëvizje rezistence, apo një lëvizje politike. SHBA, Izraeli, BE dhe disa vende arabë duhet të ofrojnë një paketë ekonomike bujare për popullin e Gazës, duke përfshirë një reduktim të madh të kontrollit ekonomik – por vetëm nëse tregohet se nuk do të ketë tunele apo raketa në Gaza. Objektivi do të ishte të demonstrohet se rruga drejt standarteve më të lartë të jetesës dhe një shteti palestinez është në dialogun politik dhe jo rezistencën e armatosur.
Nëse Hamasi është gati të pranojë këta kushte, ndihma për zhvillim (dhe jo ajo humanitare, e cila gjithësesi duhet të shkojë tek ata që kanë më shumë nevojë) duhet të fillojë menjëherë. Nëse Hamasi refuzon dhe thyen armëpushimin, fillon të riarmatoset apo rifillon ndërtimin e tuneleve, Izraeli do të ishte i lirë të përgjigjej. Ushtarët e Autoritetit Palestinez, ndoshta të shoqëruar prej një force të vendeve arabë, duhet të inkurajohen të hyjnë në Gaza për të ruajtur rendin dhe të përballen me luftëtarët e mbetur të Hamasit.
Për shumë arsye, kjo qasje mund të mos funksionojë. Palestinezët e Bregut Perëndimor do të duhej të shfaqnin gatishmërinë për të rivendosour praninë në Gaza. Izraeli do të duhej të paraqiste një nismë të rëndësishme politike dhe ekonomike për të përmirësuar standartet e jetesës së palestinezëve si dhe të shtronte rrugën drejt krijimit të shtetit. SHBA nuk mund të këmbëngulin për këta rezultate, por gjithësesi mund të parashtrohen në tryezë.
Administrata Obama duhet të rivlerësojë qasjen e saj ndaj të dy krizave. Në Ukrainë, ka kuptim të vlerësohet se çfarë është e mundur dhe çfarë është e dëshirueshme, dhe të përcaktohet se nga çfarë është gati të heqë dorë SHBA dhe çarë duhet të kërkojë. Në Gaza është koha për kalimin ne një diplomaci më ambicioze. Kriza mundet ose nuk mundet të kenë farat e mundësive brenda tyre; është qëllimi i politikës së jashtme të gjejë këtë.

Autori është President i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA

(Washinton Post -Përkthyer nga bota.al)