• |
ide | kryesore

Tronditja e Sarandës përtej pedofilisë. (Dhe pse nisma e qeverisë për të përgjuar qytetarët me anë të IMEI-t është e pavlerë)

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Skenat rrënqethëse të një 60 -vjeçari që kërkon seks me një të mitur, nga zyrat e Partisë Socialiste, nuk janë vetëm një objekt zemërimi për mijëra njerëz të pashpresë, që jetojnë në kufijtë e varfërisë, që duan punë dhe një mundësi më shumë në jetë, por ato janë edhe një pasqyrë prej nga mund të shohim situatën në të cilën ndodhemi, një moment i madh reflektimi që na tregon për shoqërinë tonë, për pjesën e saj të errët dhe për fijet tejet të dobëta që mbajnë lidhur raportet e kësaj shoqërie me ata që e qeverisin.

Kjo ngjarje na bën të mendojmë se sa e sa raste të tilla, të vdekura në heshtje, të padenoncuara, sa e sa drama të këtyre përmasave, ku dikush që ka një gjë në dorë, qoftë ky pushtetar, mësues, punëdhënës, apo çfarë do lloj gjëje tjetër, abuzon me të varurin prejt tij. Jo si në rastin e Agron Canës (rasti i plotë i tij në rubrikën lajme në Lapsi.al), nga përgjimi i të cilit pothuasje duket hapur se ai ka arritur të marrë favoret seksuale të një gruaje të pashpresë, nënë e 4 fëmijëve, por edhe më keq akoma, kur njerëzve fatkeqë u kërkohet të sakrifikojnë atë që kanë më të pastër dhe më të shtrenjtë, fëmijën e tyre. Po pyetja që del nga ky vëzhgim është: sa raste të tilla ka? Nëse kjo ngjarje nuk do të kishte një prapavijë politike, a do të bëhej e madhe? A do të denoncohej pedofili në tentativë? Duket sikur edhe në këtë rast, media, opozita, madje edhe policia që u vu në lëvizje prej tyre, më shumë interesoheshin për agresorin, që ish' mëkëmbës i Koço Kokëdhimës, sesa për viktimën. Pyetja që shtrohet është: po të mos ishte “interesant” Agron Cane, a do të kishin mundësi të jetonin pa frikë dhe të pa trazuara vajza 14 -vjeçare dhe nëna e saj? Më mirë se kushdo përgjigjjen e kësaj pyetjeje mund ta japin viktimat e heshtuara të qindra rasteve të tilla, që mbeten jetimë në dyert e komisariateve, apo që s’denjojnë fare të ankohen pranë tyre, sepse nuk kanë besim se halli mund t’u zgjidhet.

E ky vëzhgim i parë na çon tek një shqetësim i dytë. Tek pandjeshmëria e shoqërisë sonë për viktimën, të dobëtin, të pafuqishmin. Është skandaloze ajo pjesë e deklaratës së deputetit Kokëdhima, ku flitet për gruan që ka denoncuar (seksioni lajme Lapsi.al). E para, se në deklaratë, në mënyrë perverse, ajo tregohet për herë të parë më emër, gjë që nuk e bën as policia dhe as media. "Harrohet" se ajo është nënë e katër fëmijëve, se jeton në një qytet të vogël, ku gjithkush e njeh gjithkënd dhe vendoset përballë gjykimit të opinionit. Madje edhe në mënyrë më të neveritshme, lihet të kuptohet se ajo është regulluar në punë, një herë më parë, nga zyra e PS-së. E çdo të thotë kjo: mos është bërë vallë për të treguar se gjithësesi ajo e ka fituar punën në bazë të shërbimeve që ka kryer (insinuatë e ulët)?. Apo mos bëhet për të treguar se edhe tani pas ngjarjes, pra me më shumë publicitet dhe me më shumë vëmendje, njerëzit duhet të vazhdojnë të trokasin në zyrat lokale të Selisë Rozë, sepse aty mund t'i zgjidhin problemet e tyre?

Dhe këtu dalim tek një problem i tretë, që i largohet disi kontekstit pedofilo-seksual: Ç’punë kanë zyrat e PS-së me punësimin e njerëzve? Kryeministri është zotuar me dhjetëra herë se do ta ndryshojë këtë praktikë të së shkuarës. Por, rasti në fjalë është dëshmia më e qartë se ai ka dështuar. Episodi i Sarandës tregon se partia-shtet vepron njësoj si në kohë të Berishës. Se ajo është kthyer në zyrë punësimi për militantët. Se ata vazhdojnë të trokasin, aty, edhe me çmimin e lartë të çnderimit e nëpërkëmbjes. Ky rast tregon gjithashtu atë që tashmë e dinë të gjithë, nga baza deri në selinë qëndrore të PS-së, se për të filluar punë duhet të trokasësh në këtë seli, ku një Flamur i dytë, këtë rradhë ngjyrë rozë, valëvitet me të njëjtën babëzi mbi shtetin, ashtu si paraardhësi i tij blu. 

Një problem i katërt është ai që e ngrinte në editorialin e tij edhe Mero Baze, atë se çfarë njerëzish vijnë për të menaxhuar pushtetin e fituar me votë. Se kush i kontrollon këta qehallarë të nivelit të dytë dhe abuzimet e tyre. E më tej akoma, një pyetje edhe më shqetësuese, pse pranë partive tona afrohen shpesh njerëz me profile të tilla? A mos janë ata qënie të veçanta që dinë të zvarriten pas pushteti? Apo kjo është një shenjë që tregon se si në qendër, po ashtu edhe në bazë, rreth pushtetit politik është mbledhur llumi i shoqërisë dhe jo ajka e saj. Sepse ndoshta këta përfaqësues lokalë janë vetëm kopje të këqija, më pak të reklamuara, të sivëllezërve të tyre pompozë, në parlamentin e Tiranës.

Një problem i pestë në lidhjen e këtyre kopjeve të këqia me partinë dhe pushtetin, është edhe fakti se ata, në provincë duken të paprekshëm. Se kanë bekimin e dikujt lart, në parti, në qeveri, apo ndonjë miku të kryeministrit dhe ndaj tyre askush nuk mund të ngrejë zërin. Ndoshta këtë e tregon edhe fakti se nëna e katër fëmijëve në Sarandë, nuk zgjodhi rrugën zyrtare të denoncimit, të besimit tek policia, por asaj iu desh të vinte emrin dhe dinjitetin e saj në lojë, për t’u siguruar se përndjekësi i vajzës do të ndëshkohej. Ajo besoi më shumë tek një gazetar sesa tek përfaqësuesi i shtetit. Edhe ky mosbesim tek policia duhet të jetë një sinjal alarmi, për qeverinë njëvjeçare të Rilindjes.

E në fund edhe një problem tjetër që rikonfirmohet me rastin e sapondodhur në Sarandë. Edhe Shqipëria, pra edhe provinca e saj, nuk ka mbetur e pa prekur nga ajo që rëndom e quajmë “diktatura e transparencës’. Mjafton një mikrofon i vogël, një kamera e padukshme, qoftë një celular që e mbajmë në dorë, për të na dhënë fuqi ndaj atyre që mund të ngjajnë të paprekshëm. Rasti Pango, rasti Meta, rasti i Sarandës e dhjetra të tjerë më të vegjël, tregojnë se gjithkush mund të jenë viktima të kësaj “diktature të re” të erës së globalizmit. Përballë saj nuk ka më të paprekshëm, as në qendër të pushtetit, as në skaj të tij. Prandaj dhe të gjithë njerëzve të pushtetshëm, kudo ku janë, u kërkohet një sjellje e re, një kujdes më i madh, një virtytshmëri më e lartë, së paku në formë. Tani edhe ata janë të përgjuar. Ky duhet të jetë shqetësimi i ri i tyre. Sfida me të cilën pritet të përballen. Dhe jo siç po sillet qeveria shqiptare, me mendësi të shekullit të kaluar. Kur me një mentalitet oruellian do të veprojë si një “big brother” gjigand, për të përgjuar qytetarët e saj. Vendimi për dorëzimin e numrave IMEI dhe kontrolli shtetëror përmes tyre i bisedave të facebook-ut, whatsapp-it, viberi-it, bbm-it etj, është i kotë. Kjo mendësi tashmë ka marrë fund, sepse kohët kanë ndryshuar. Tashmë qytetarët nuk janë më të përgjuar, tani ata kanë të drejtën të mbrohen përmes kësaj arme. Dhe rasti i pedofilisë, i mbetur në tentativë në Saranadë, është edhe njëherë një konfirmim i kësaj ere të re.