• |
ide | kryesore

Distancimi i pasinqertë i Kokëdhimës dhe PS

Arkiva, Ide
foto.jpg



Deputeti Koço Kokëdhima nuk vonoi gjatë për të shkarkuar përgjegjësitë për skandalin seksual të sekretarit të tij që shfaqet duke i kërkuar një gruaje seks me vajzën e saj të mitur, 14 –vjeçare, në këmbim të një vendi pune. Zyra e tij publikoi një deklaratë ku e dënoi dhe e quajti “ndodhi të ulët dhe thellësisht të shëmtuar”. Sqaroi, madje, se ai nuk ishte sekretar dhe i ngarkuar me ndonjë detyrë specifike në punësim, por një vullnetar si shumë të tjerë të kësaj zyre. I ndjerë apo i detyruar, distancimi nga ky rast monstruoz ishte veprimi i duhur dhe i pritshëm.

Por a është ai real? A është vërtet dënim pa kompromis i një akti “thellësisht të shëmtuar” apo thjesht një manovër e kondicionuar për t’ia hedhur pa u lagur? Deputeti Koço Kokëdhima nuk është vënë në qendër të kritikave të opinionit publik si përgjegjës për rastin, por për sistemin që ka ngritur, me ndërtimin e strukturave paralele e informale, që sfidojnë strukturat shtetërore.

Ai nuk ka patur tjetër reagim veç kësaj deklarate ( e plotë në rubrikën lajme të lapsi.al). Kryeministri Rama u mjaftua me 2 postime me nga 140 gërma në Facebook. Ndërsa asnjë deputet tjetër, qoftë edhe ata që dalin e flasin deri edhe për rrezikun e qenve pa zot nëpër Tiranë, nuk kanë thënë as edhe një gjysmë fjale për skandalin.

Sot gazeta Shekulli e deputetit të Vlorës, ka në faqe të parë një deklaratë të avokatit të autorit të skandalit seksual, me titullin e madh: Avokati i Canes: Videoja e montuar dhe me prapavijë nga politika.

Më shumë se njohje e publikut me aspekte të tjera të aferës së ndodhur në zyrën deputetit, shkrimi ngjan me një mbrojtje që i ofrohet Agron Canes. Ai shfaqet si viktimë e një kurthi të pastër politik dhe jo si dikush që u kap “me presh në dorë” duke i kërkuar Elvira Gegës seks me vajzën e saj të mitur, për një vend pune. Aq e dukshme është mbrojtja, saqë në shkrim, futet edhe një pjesë e intervistës së Elvira Gegës që dha për A1 Report, por vetëm paragrafi kur ajo thotë se nuk është kërcënuar dhe që nuk e dinte se Agron Cane kishte dhënë dorëheqjen. Nuk publikohet për shembull thënia e saj se Cane po shfrytëzonte postin që kishte dhe vështirësitë e saj ekonomike për t’i kërkuar vajzën 14 –vjeçare vetëm për seks.

Që kjo është një “dalje në krah” dhe s’ka lidhje me distancimin, nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Avokati ka të drejtën ta mbrojë klientin e tij. Por e ofruar publikisht përmes gazetës në pronësi të Kokëdhimës, kjo mënyrë mbrojtje implikon vetë deputetin që i kishte lënë Canes çelësat e zyrës.

Në shyrtimin e çështjes, Gjykata do të vlerësojë vetëm nëse ka vepër penale dhe jo nëse ka apo jo prapavijë politike. Kur të marrë vendimin, do të ketë parasysh shkeljet ligjore dhe (shpresojmë) jo faktin se ka punuar për ndonjë deputet, politikan apo parti politike. Ndaj, politizimi i skandalit, në këtë mënyrë, mund të konsiderohet jo vetëm si distancim i pasinqertë dhe dalje në mbrojtje të skandalit të Agron Canes, por edhe tentativë për të mbrojtur deputetin e Vlorës dhe vetë Partinë Socialiste nga akuzat politike që kanë vërshuar publikisht ndaj tyre, se i shfrytëzojën zyrat e partisë për të bërë punët që u takojnë institucioneve shtetërore.