• |
ide | kryesore

Kërkesa në rritje për spermën e ushtarëve, çfarë na tregon për Izraelin

Arkiva, Ide
340px-Ilan_Pappe.JPG



Debati publik mbi krizën në Gaza ka disa karakteristika të njohura. Publiku në masë dënon veprimet ushtarake të Izraelit duke i quajtur ato si krime lufte, ndërsa qeveria dhe një pjesë e madhe e mediave i justifikojnë ato si vetëmbrojtje. Një nga arsyet kryesore të kësaj diference në gjykim është se aktivistët e shoqërisë e njohin Izraelin shumë më mirë se politikanët, diplomatët dhe disa gazetarë, puna e të cilëve është të merren me Izraelin dhe politikat e tij.

Prania në terren e aktivistëve dhe raportimet e tyre në Internet, ofrojnë më shumë nuanca në tablonë e psiqikës dhe mentalitetit izraelit, të cilat ndihmojnë për të shpjeguar politikat e Izraelit në Gaza përtej analizave konvencionale politike. Dy shembuj në këtë hapësirë të shkurtër janë të mjaftueshëm për të mbështetur këtë vëzhgim.

I pari ka të bëjë me një tendencë të ethshme mes prindërish hebrenj fertilë për të kërkuar spermën e ushtarakëve të njësive elitë që kanë luftuar në Gaza. Kjo bëhet për të siguruar AND-në më të pastër të mundshme dhe supreme për fëmijët e tyre të ardhshëm. Dhe kjo, mbështetet plotësisht nga Banka Shtetërore Izraelite e Spermës.

Për të qenë të ndershëm, këta ushtarë nuk është se ndritën në fushëbetejë. Ushtritë konvencionale kanë vështirësi të ndeshen ballë për ballë me guerilje të dëshpëruar të futur thellë nëpër tunele e bunkere. Me shumë gjasë, AND-ja e HAMAS-it do të rezultonte më luftarake për të përmbushur këtë qëllim, nëse dikush dëshiron ta çojë ad absurdum (deri në absurd) këtë obsession për inxhinjerinë njerëzore të izraelitëve hebrenj.

Ishte keq mjaftueshëm të bazohej e gjithë ideja Sioniste në dëshirën për të krijuar një demokrazi hebreje, supreme dhe ekskluzive në tokën ku hebrenjtë nuk ishin dhe nuk do të jenë kurrë shumicë (vetëm nëse ata zhdukin përmes gjenocidit të gjithë popullsinë vendase.) Por, tani kemi të bëjmë me një shoqëri që duket se po e çon këtë obsession një hap më tutje. Kërkesa në rritje për spermën e ushtarëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit  (IDF), sugjeron se izraelitët nuk dëshirojnë më vetëm një shumicë absolute hebreje, por një të cilësisë më të lartë: të cilësisë që gjendet në njësitë elitë që shkatërruan një hapësirë të madhe të banuar nga civilë, atë te Gazas.

Në internet ju gjithashtu mund të gjeni një pyetësor të shpërndarë mes ushtarakëve të Forcave Ajrore të Izraelit (IAF) me pyetje të ndryshme rreth eksperiencës gjatë aksionit . Një nga pesë pyetjet aty është: “Na trego diçka të këndshme, apo për të qeshur që ju ka ndodhur gjatë operacionit.”  Pyetësori gjithashtu u kërkon të pyeturve të shkruajnë “diçka që kam mësuar për veten gjatë operacionit”.

A mundet dikush të imagjinojë se një pyetësor i tillë të shpërndahet mes gjysmë million civilëve në Gaza të cilët u shndërruan në refugjatë, apo gjithë të tjerëve që jetuan atje përgjatë një muaji pa mbarim bombardimesh 24 orëshe, tankesh e artilerie të rëndë?

Nuk jam një besimtar i madh i fuqisë së HAMAS-it për të ndryshuar realitetin duke lëshuar raketa. Por, kam qenë në Izrael gjatë operacionit dhe kam kuptuar se përveç frikës së natyrshme që këto fishekzjarre krijojnë në publik, shumica e izraelitëve, përgjithësisht, e shohin konfliktin si një aventurë tejet emocionuese.

 Tabloja nga ana tjetër nuk mund të ishte më e ndryshme. Është një tablo vrasjesh masive, duke përfshirë qindra fëmijë të vrarë dhe 10 mijë përsona të plagosur – shumica e tyre civilë. Është gjithashtu një tablo shkatërrimi, në të cilën e gjithë infrastruktura urbane dhe rurale është thërrmuar. Dhe është vazhdimi i getozimit të zonës me dendësi më të madhe banorësh në botë. Asgjë nga kjo nuk është një aventurë; asgjë për qejf, apo e lezetshme nuk mund t’u kishte ndodhur palestinezëve atje.

Kjo shoqëri “e qejfit” e frymëzuar nga vizione të supremacisë dhe pastërtisë etnike nuk është vetëm një rrezik për vetveten dhe palestinezët. Mbështetja e pakushtëzuar që merr nga perëndimi është një faktor themelor në mungesën e stabilitetit në përgjithësi në rajon.

Ka qenë Sir Thomas Rapp, diplomati më  i lartë britanik në Lindjen e Mesme i cili tërhoqi vemendjen e shefit të tij, Ernest Bevin, në vitin 1950 për rrezikun (thikë me dy presa, e quajti ai) e këtij pozicioni pro-izraelit:  

“Gjenerata e re (në Izrael) po rritet në një mjedis ushtarak e kështu po krijohet një kërcënim permanent për qetësinë e Lindjes së Mesme. Kështu Izraeli do të të tentojë të lëvizë nga një mënyrë demokratike e të jetuarit, në totalitarizëm të djathtë, ose të majtë.”

Paralajmërimi i tij profetik shpaloset çdo ditë para syve të mi këtu në Izrael.

 

(Shenim: Ilan Pappe është një historian dhe aktivist i shoqërisë civile hebre. Aktualisht profesor në kolegjin e shkencave sociale dhe studimeve ndërkombëtare në University of Exter, në Britaninë e Madhe. Pergatiti Lapsi.al)