• |
ide | kryesore

Luli dhe plaku

Arkiva, Ide
2014-08-18-11-18-08-700454752.jpeg



Kur kundërshtari politik arrin të mbijetojë duke ia përcjellë tjetrit trajtat e ligjërimit të vet prej humbësi, atëherë kushedi mund të fillojmë të flasim për shpagim.

 
Në një deklaratë (që nuk po e marr vesh se ku e ka bërë), deputetja e P.S.-së Esmeralda Shkjau u drejtohet kolegëve të vet Lulëzim Basha dhe Sali Berisha, duke i quajtur, përkatësisht, “Luli” dhe “plaku”; dhe më pas, duke e quajtur kreun e opozitës “papagalli i katragjyshit.”
 
Këto stilema pijanecësh e gjetën njëfarësoj rrugën deri në gojën e një përfaqësueseje të popullit:
 
Ndërkohë që Policia e Shtetit bëri detyrën e saj dhe e arrestoi keqbërësin, Luli dhe plaku sulmuan policinë. Ndërkohë që Ministri i Brendshëm iu gjend pranë viktimës, Luli dhe plaku sulmuan ministrin e Brendshëm. Ndërkohë që zyra e deputetit e dënoi me forcë aktin e turpshëm të një punonjësi, Luli dhe plaku sulmuan deputetin,
 
deklaroi z. Shkjau.
 
Të poshtërosh tjetrin, kundërshtarin, duke e quajtur “ndryshe” – këtë e patën kthyer në art pikërisht eksponentët e opozitës, që nga vetë z. Berisha; çka edhe pastaj ua shkaktoi humbjen – së bashku me arrogancën, padijen dhe virtuozitetin në gënjeshtra.
 
Luli dhe plaku – këtu kemi dalë nga politika, për t’ia shkelur syrin rrugës, kafenesë dhe alabakërisë.
 
Pse askujt nuk i shijon më mirë përdhosja e emrit, sa atij që s’ka emër e që gjithnjë është ndier pjesë e turmës.
 
Në fakt, nga të zgjedhurit e vet, publiku nuk pret të bëjnë folklor, as estradë; por që të operojnë në pajtim me besimin që u është dhënë.
 
Luli dhe plaku – këto marka tregtare të lëvereve të medias dhe të anonimëve që shkruajnë atje me gishta – dashur pa dashur e rreshtojnë z. Shkjau në po atë turmë së cilës i përkasin edhe viktimat e retorikës së saj.
(Marre nga blogu"Peisazhe te fjales")