• |
ide | kryesore

A ja vlen të shkosh në luftë?

Arkiva, Ide
paul-krugman.jpg



Ka kaluar një shekull që nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, që shumë njerëz në atë kohë e shpallën si “lufta që do u jepte fund gjithë luftërave”. Fatkeqësisht, luftërat vazhduan të ndodhin. Dhe me lajmet nga Ukraina që bëhen përditë e më të frikshëm, kjo duket një kohë e përshtatshme për të ngritur pyetjen se përse kombet shkojnë në luftë.

Një herë e një kohë, luftërat bëheshin për argëtim dhe fitim; kur Roma mposhtte Azinë e Vogël apo Spanja pushtonte Perunë, gjithcka bëhej për flori dhe argjend. Dhe ajo gjë ndodh ende. Në një studim me shumë ndikim të sponsorizuar nga Banka Botërore, ekonomisti i Oksfordit, Paul Collier, ka parashikuar se parashikuesi më i mirë i luftës civile, e cila është shumë e zakonshme në vendet e varfër, është disponueshmëria e burimeve të zhvatshëm, si diamantët. Cdo lloj arsyeje që rebelët përmendin për veprimet e tyre, është arsyetim që bëhet pas faktit të kryer. Lufta në botën paraindustriale ishte dhe është më shumë një përplasje mes familjeve të krimit, për atë se kush do të kontrollojë burimet, sesa një luftë për parimet.

Megjithatë, nëse je një vend modern dhe i pasur, lufta – qoftë edhe një luftë e shpejtë dhe fitimtare – nuk të shpërblen. Dhe kjo ka qenë e vërtetë për një kohë të gjatë. Në librin e tij të famshëm të vitit 1910 “Iluzioni i Madh”, gazetari britanik Norman Angell argumentonte se “fuqia ushtarake është e pavlerë, nga pikëpamja ekonomike dhe sociale”. Siç theksonte ai, një botë e ndërvarur (e cila ekzistonte tashmë në epokën e anijeve me avull, hekurudhave dhe telegrafit) lufta do të shkaktonte domosdoshmërisht dëme të mëdhenj ekonomikë, edhe për fitimtarin. Veç kësaj, është shumë e vështirë të nxjerrësh vezë të arta nga ekonomi të sofistikuara, pa e vrarë ndërkohë “pulën”.

Ne mund të shtojmë se lufta moderne është shumë, shumë më e kushtueshme. Për shembul, sipas një vlerësimi, kostot eventuale (përfshirë edhe kujdesin për veteranët) të luftës në Irak do të përfundojnë në mbi 1 trilion dollarë, domethënë disa herë më shumë se sa e gjithë GDP i Irakut.

Atëherë teza e “Iluzionit të Madh” ishte e drejtë: Shtetet modernë nuk mund të pasurohen duke hyrë në luftëra. Megjithatë luftërat vazhdojnë të ndodhin. Përse?

Një përgjigje është se udhëheqësit mund të mos e kuptojnë aritmetikën. Norman Angell, me që ra fjala, shpesh herë merr ndonjë kritikë të fortë, nga njerëz që mendojnë se ai po parashikonte një fund të luftës. Në fakt, qëllimi i librit të tij ishte të zhbënte nocionet atavistë të pasurimit përmes pushtimit, që ishin ende të përhapur në kohën e tij. Por, iluzionet për fitore të lehta vazhdojnë të jenë të pranishëm. Eshtë vetëm hamendësim, por duket se Vladimir Putini mendoi se do të mund ta përmbyste qeverinë e Ukrainës, ose të paktën do të shkëpuste një pjesë të madhe të territorit të saj, me pakëz ndihmë të pakushtueshme për rebelët, dhe e gjitha do të binte në prehrin e tij.

Dhe meqë jemi këtu, a e mbani mend kur administrata Bush parashikoi se rrëzimi i Sadamit dhe vendosja e një qeverie të re do të kushtonte vetëm 50 apo 60 miliardë dollarë?

Problemi i madh, megjithatë, është se shpesh herë qeveritë përfitojnë politikisht nga lufta, edhe pse lufta në fjalë mund të mos ketë kuptim sa i përket interesit kombëtar.

Kohët e fundit, Justin Fox i Harvard Business Revieë shkruante se origjina e krizës së Ukrainës është në performancën e dobët të ekonomisë së Rusisë. Siç thoshte ai, qëndrimi në pushtet i Putinit reflekton një periudhë të gjatë me rritje ekonomike të shpejtë. Por, rritja ekonomike e Rusisë ka ardhur duke u ngadalësuar – dhe mund të thuhet se regjimi i Putinit kishte nevojë për një ngjarje shpërqëndruese.

Argumenta të ngjashëm janë parashtruar për luftëra të tjera që duken të pakuptimta, si pushtimi i Ishujve Falkland nga Argjentina në 1982, që shpesh herë i atribuohet dëshirës së juntës së atëhershme për të larguar vëmendjen e publikut nga kriza ekonomike. (Me thënë të drejtën, disa studiues e kritikojnë fort këtë pretendim).

Dhe është fakt që gjithmonë, kombet mblidhen përreth liderëve të tyre në kohë lufte, sado marrëzi të jetë lufta dhe sado të këqinj të jenë liderët.

Junta e Argjentinës, për një kohë të shkurtër u bë shumë popullore gjatë luftës së ishujve Falkland. Për një farë kohe, ‘lufta kundër terrorizmit” e çoi mbështetjen popullore për presidentin Bush në nivele të paprecedentë, dhe ndoshta prej Irakut ai fitoi zgjedhjet e 2004-ës. Po kështu, mbështetja për Putinin është rritur shumë që kur nisi kriza e Ukrainës.

Nuk ka dyshim se është thjeshtëzim i tepruar të thuash që konfrontimi në Ukrainë bëhet vetëm për të fuqizuar një regjim autoritar, i cili çalon shumë në drejtime të tjerë. Por, me siguri ka një të vërtetë në këtë version – dhe kjo hap disa shtigje të frikshëm për të ardhmen.

Së pari, duhet të shqetësohemi për përshkallëzimin në Ukrainë. Një luftë totale do të ishte kundër interesave të Rusisë – por, Putini mund të mendojë se nëse lejon rebelimin të humbasë, do të humbiste fytyrën.

Dhe nëse regjimet autoritarë pa një legjitimitet të thellë tundohen të vringëllijnë shpatat, kur nuk mund të ofrojnë më një performancë të mirë, mendoni për stimujt që do të kishin liderët e Kinës nëse, dhe kur mrekullia ekonomike e atij vendi do të marrë fund – diçka që shumë ekonomistë mendojnë se do të ndodhë së afërmi.

Fillimi i një lufte është ide shumë e keqe. Por gjithsesi, vazhdon të ndodhë.