• |
ide | kryesore

Përballë një konflikti fetar

Arkiva, Ide
ernesto-galli-della-152991.jpg



Pyetja numër një: si mund të arrijë të bëjë luftë një agresor që përmend vazhdimisht Zotin dhe përkatësinë fetare, pa i dhënë përgjigjes së vet ushtarake asnjë tipar, që të jetë edhe ai, pashmangshmërisht fetar? E thënë ndryshe: është vërtetë e nevojshme që të flitet për luftë fetare që të dy kundërshtarët e shpallin të tillë, apo nuk mjafton që ta bëjë vetëm njëri? Nëse dikush më vret sepse jam shiit, i krishterë, hebre apo “i pafe”, unë përpiqem të mbrohem duke goditur dhe unë, atëherë çfarë është ky, nëse nuk është një konflikt fetar?

Pyetja numër dy: nëse një person me fe dhe origjinë kulturore të ndryshme jeton për vite të tërë, që në fëmijëri, me familjen e tij në një vend perëndimor, kupton përsosmërisht gjuhën e tij, frekuenton shkollat, bën miq, adopton zakonet e përditshëm, por në një moment të caktuar vendos që e gjithë kjo ka qenë kaq ngushtësisht përreth tij, dhe që në të vërtetë është e padurueshme dhe e neveritshme, deri në pikën që të meritojë asgjësimin më mizor, çfarë tregon kjo? Cfarë emri meriton? Dhe një fenomen i tillë, i përsëritur në qindra raste, është një fakt rastësor, një aksident i pastër, apo jo?

Janë këto dy pyetjet më të rëndësishme që ngjarjet dramatike që ndodhin në Lindjen e Mesme ngrejnë në këtë pjesë të planetit ku jetojmë ne. Por janë pyetje të cilave debati ynë zyrtar përpiqet t’u shmanget. Shpesh herë u mohon edhe kuptimin apo preferon të japë përgjigje të rehatshme që në fakt nuk janë përgjigje: shembulli i radhës i hendekut që po thellohet mes realitetit dhe politikës, mes masave dhe elitës.

Nuk arrijmë të gjejmë përgjigje, sepse pyetjet në fjalë evokojnë tre fusha – fenë, luftën dhe qytetërimin – që nga një moment i caktuar, kultura jonë dhe rryma e saj kryesor intelektuale – më shumë ajo europiane se sa ajo amerikane – e kanë ndaluar, duke shpallur shthurjen ideologjike e si pasojë duke i dëbuar “me dekret” të tre këto fusha prej diskursit politik.

Feve monoteiste u janë shkëputur tiparet e tyre specifikë historikë, ata që i kanë bërë të ndryshme dhe shpesh herë rivale; dhe kështu ato janë bërë të gjitha të asimilueshme në”fenë”, domethënë në dimensionin e një abstrakti spiritualiteti me aromë -teiste (Të gjithë adhurojmë një Zot të vetëm!: a thua kalifi Al Baghdadi është ateist). Eshtë e qartë se kjo ide është e destinuar të mos ketë asnjë marrëdhënie të mundshme me asnjë aspekt konkret dhe të gjallë të shoqërisë, dhe aq më pak me konfliktet njerëzorë (një luftë për motive fetare? Cfarë cudie e egër! Si është e mendueshme një gjë e tillë që gjatë historisë duhet të ketë ndodhur vetëm disa mijëra herë?).

Sa për luftën dhe dhunën, ato kanë qenë të dyja objekt i një tabuizimi kaq radikal, saqë pothuajse kanë prekur mendimin magjik: duke qenë se i urrejmë dhe nuk duam të ekzistojnë, ato nuk ekzistojnë. Dhe megjithatë nuk mundemi të mendojmë që kemi të bëjmë. Të paktën nuk mund të përdorim fjalët për ta thënë.

Pra, ne qytetarët e Bashkimit Europian nuk bëjmë luftë, na e ndalon moraliteti ynë superior (ne italianët madje kemi shpikur që na e ndalon Kushtetuta). Ne bëjmë vetëm operacione paqeruajtjeje, dhe për të mos marrë asnjë përgjegjësi morale dhe politike, edhe në ato raste kur janë prapa OKB-së dhe NATO-s. Ruajmë paqen: duke qëlluar dhe vrarë kur është e pashmangshme, por jo për të fituar: atëherë kur vetëdijësohemi se në këtë mënyrë paqja nuk vjen, atëherë tërhiqemi me rregull dhe – shihni rastin e Irakut dhe pak më vonë të Afganistanit – e kemi parë se çfarë ka ndodhur.

Edhe termi dhe koncepti i qytetërimit tashmë kanë dalë nga përdorimi i lejuar publik. Në shijen aktuale demokratike, nuk dihet përse, por të dy janë të përjashtuar, janë “barrë e njeriut të bardhë”, në limitet e racizmit; dhe kujtojnë kategorinë e “luftës së qytetërimeve. Për qytetërimin mund të flitet maksimumi në manualet e historisë së lashtë (qytetërimi grek, egjiptian etj), por jo për kohën e tashme. Sot, në fakt, ekzistojnë vetëm “kulturat”: të gjitha në të njëjtin rrafsh barazie, dhe të gjitha të pajtueshme mes tyre, sipas mësimeve të universalizmit human.

Pra, ndryshe nga sa mund të dyshohet, islamiku me nënshtetësi britanike që pak ditë më parë i preu kokën një gazetari amerikan në emër dhe për llogari të ISIS, nuk e kishte me qytetërimin perëndimor: me siguri ishte ndier keq vetëm me kulturën angleze. Po të kishte jetuar në Alto Adige apo në Luksemburg, do të kish qenë krejt tjetër gjë.

Një ripajtim radikal me parimin e realitetit: pikërisht kjo na mungon në mënyrën tonë të të parit të botës. Sigurisht, idetë janë një udhërrëfyes i nevojshëm për të lëvizur brenda saj. Por se çfarë është bota dhe si funksionon ajo, këtë nuk e kanë përcaktuar asnjëherë idetë.

 Ernesto Galli Della Loggia 

Botuar në Corriere Della Sera nën titullin origjinal "Noi in fuga dalla realtà"

(Përkthyer nga bota.al)