• |
ide | kryesore

Varka po fut përsëri ujë

Arkiva, Ide
economist.jpg



Vetëm pak muaj më parë udhëheqësit e Eurozonës besonin se, pasi kishin përballuar stuhinë, më në fund po lundronin në det të qetë. Kishin mundur të qëndronin mbi ujë prej premtimit të Mario Draghi-t, presidentit të Bankës Qendrore Europiane, se “do të bënte gjithçka që duhej bërë” për të mbështetur monedhën. Në kontinent besimi ishte rritur përsëri. Dukej se rritja ekonomike po rikthehej, ndonëse me ritëm të ngadaltë. Vendet periferikë në telashe po rimëkëmbeshin, pas paketave të shpëtimit dhe masave të dhimbshme për të ulur defiçitet buxhetorë dhe përmirësuar konkurueshmërinë. Papunësia, sidomos mes të rinjve, ishte ende shumë e lartë, por të paktën në shumicën e vendeve europianë ajo po binte. Dhe tregjet financiarë pushuan së “vëni baste” se euro do të pësonte kolaps.

Ishte një iluzion. Në javët e fundit, vendet e eurozonës kanë filluar të fusin sërish ujë. GDP i tyre i përbashkët pësoi rënie në tremujorin e dytë: Italia u zhyt në recesion, GDP i Francës mbeti i pandryshuar dhe madje edhe e madhërishmja Gjermani pa një rënie të madhe dhe të papritur të prodhimit. Tremujori i tretë duket do të jetë “i sëmurë”, pjesërisht për arsye se eurozona do të vuajë një tjetër goditje, për shkak të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Ndërkohë, inflacioni ka rënë në nivele të rrezikshëm, në afro 0.4%, shumë më poshtë se objektivi (afro 2%) që ka vendosur Banka Qendrore Europiane, duke shkaktuar frikë se zona në tërësi mund të bjerë pre e deflacionit. Rendimenti i bonove gjermane ka rënë poshtë 1%, një tjetër lajmëtar i çmimeve në rënie. Eurozona qëndron (ose lëkundet) në kontrast të thellë me Amerikën dhe Britaninë, ekonomitë e të cilave po gëzojnë një rritje të qëndrueshme.

Ajo që nisi më shumë se katër vite më parë si një krizë e bankave dhe borxheve sovranë, tashmë është shndërruar në një krizë të rritjes ekonomike që tashmë po përfshin tre ekonomitë më të mëdha. Gjermania është në prag të recesionit. Franca është zhytur në stanjacion. GDP i Italisë është vetëm pak më shumë se sa niveli i tij kur nisi të përdorej monedha e përbashkët, 15 vjet më parë. Duke qenë se këta tre vende kanë dy të tretat e GDP-së së eurozonës, rritja ekonomike në vende si Spanja dhe Holanda nuk mund të kompensojnë plogështinë e tyre.

Shkaqet në themel të sëmundjeve të reja të Europës janë tre probleme shumë të njohur dhe të ndërlidhur mes tyre. Së pari, ka një mungesë udhëheqësish politikë që të kenë kurajën dhe bindjen të realizojnë reforma strukturore për të përmirësuar konkurueshmërinë, dhe më pas “rindezur” rritjen ekonomike: shtetet e mëdhenj i kanë çuar dëm dy vitet që fituan prej premtimit të Mario Draghit. Së dyti, opinioni publik nuk është i bindur për nevojën urgjente për ndryshime të thellë dhe radikalë. Dhe së treti, pavarësisht përpjekjeve të Draghit, kuadri monetar dhe fiskal është shumë i ngushtë, gjë që e mbyt rritjen ekonomike – dhe kjo i bën më të vështira reformat strukturore.

Në eurozonë mund të shihen manifestime të ndryshëm të këtyre problemeve. Por vendi që mishëron në mënyrën më dramatike të treja këto forca është Franca. Këtë javë, presidenti socialist i saj, François Hollande u detyrua të “rishkartisë” qeverinë e tij për të larguar Arnaut Montebourgun që, pavarësisht se ishte ministër i Ekonomisë, ishte njëkohësisht edhe kritiku më i paepur i partisë së tij nga e majta. Hollande, që u zgjodh president në vitin 2012 duke premtuar një të ardhme pa dhimbje, vështirë se mund të shihet si një reformator Thatcherist. Por që kur emëroi Manuel Vallsin si kryeministër nëmars, ai ka mbështetur të paktën parimin e shkurtimeve në shpenzimet publike, uljen e taksave dhe reformat strukturore.

Në teori, një qeveri e re dhe më e bashkuar mund të bëjë progres, por opinioni publik nuk është aspak i përgatitur për këtë. Hollande nuk është vetëm thellësisht jopopullor; ndryshe nga kryeministri italian, Matteo Renzi, i cili ka folur hapur dhe me guxim për reforma të vështira (ndonëse ende të parealizuara), presidenti francez nuk ka arritur t’i bindë votuesit se ndryshimet e dhimbshëm, duke përfshirë një zvogëlim të përmasës së shtetit, janë të pashmangshëm. Në vend të kësaj, Montebourgu dhe njerëzit e tij ofrojnë idenë mashtruese që, nëse eurozona hedh poshtë rregullat aktualë dhe lejon defiçite më të mëdhenj buxhetorë si dhe shpenzime publikë bujarë, atëherë nuk do të nevojiten më reforma të dhimbshme, sepse ekonomia do të nxjerrë mrekullisht vetveten nga rreziku.

Argumenti i Montebourgut bëhet edhe më joshës, për arsye se ai ka të drejtë sa i përket problemit të tretë të Europës: masa të tepruara kursimi, që kontinentit i janë imponuar kryesisht nga Gjermania. Draghi sapo ka pranuar, në mënyrë indirekte, se politika fiskale dhe ekonomike në eurozonë është shumë e shtrënguar. Ai la të kuptohet se është në fëvor të një lehtësimi sasior (quantitative easing), që si Amerika, ashtu edhe Britania e kanë përdorur, dhe njëkohësisht bëri thirrje që politika fiskale të bëjë më shumë për të nxitur rritjen ekonomike – një mesazh i drejtpërdrejtë për Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Ajo është udhëheqësja që këmbëngul më kokëfortësisht për t’iu përmbajtur rregullave dhe disiplinës fiskale të eurozonës, ashtu sikurse Bundesbanku gjerman është po kaq kokëfortësisht kundër lehtësimit sasior.

Pavarësisht zymtësisë, mund të ketë hapësirë për një ujdi. Nëse Hollande dhe Renzi munden të tregojnë se janë të sinqertë për reformat strukturore, Merkeli duhet të jetë në gjendje të tolerojë një qëndrim fiskal më të lehtësuar (duke përfshirë edhe rritje të shpenzimeve publikë në Gjermani) si dhe një politikë monetare më të liruar. Mbyllni sytë, dhe mund të imagjinoni tre udhëheqësit që punojnë me Komisionin Europian për të përfunduar tregun e përbashkët dhe çuar përpara një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA. Fatkeqësisht, në botën reale, Merkeli ka shumë pak arsye për të besuar, qoftë Francën, qoftë Italinë: sa herë trysnia e jashtme mbi ta është ulur, ta janë sprapsur menjëherë nga premtimet për reforma. Dhe ajo sapo ka vendosur Jean Claude Junckerin, kandidatin që pro idesë “mos bëj asgjë”, si president të Komisionit Europian.

Kështu që, do të jetë e vështirë. Por pa një shtytje prej udhëheqësve të kontinentit, rritja ekonomike nuk do të rikthehet dhe deflacioni mund të ulet këmbëkryq. Japonia vuajti një dekadë me rritje të ulët ekonomike në vitet 1990, dhe po lufton sot e kësaj dite. Por ndryshe nga Japonia, Europa nuk është një shtet i vetëm i bashkuar. Nëse unioni monetar nuk sjell asgjë tjetër përveç se stanjacion, papunësi dhe deflacion, atëherë disa do të duan që me kalimin e kohës të largohen nga euro. Falë premtimit të Draghit për të vendosur një dysheme nën borxhin qeveritar, rreziku në tregje se trysnia financiare mund të shkaktojë një shpërbërje ka rënë. Por risku politik që një apo më shumë vende të vendosin të largohen nga monedha e përbashkët rritet me kalimin e kohës. Kriza e Euros nuk është larguar. Ajo thjeshtë po pret në horizont.

The Economist

Përshtatur në shqip nga bota.al