• |
ide | kryesore

Vetëvrasja e së majtës

Arkiva, Ide
6096623-alain-duhamel-50-ans-de-journalisme-39-ans-d-editoriaux-matinaux.jpg



Qysh në fillim të Republikës së V-të, e majta në Francë ka kaluar shumë fatkeqësi, ka pësuar shumë disfata, madje dhe gjëma. Ato kanë filluar me njëzet e tre vitet e një syrgjynosjeje të brendshme (në vite 1958-1981), para se të bashkëqeveriste. Ajo ka përjetuar fitoret simbolike (në vitet 1981, 1988, 1997, 2012) që ndërfuten midis dështimeve (në vitet 1986, 2007) apo shpartallimeve (në vitet 1993, 2002).

Këtë rradhë, si kurrë më parë, ajo po shkon në fund të greminës, sepse rrethanave të errëta si në një tabllo të Soulagesit (piktor abstraksionist francez), i shtohet një shpërbërje e fuqishme që po shndërrohet në vetëvrasje kolektive.

Në vitin 2014, e majta franceze është duke bërë hara-kiri. Ajo po hap barkun si e majta gjermane në vitet ‘30. Konjuktura ekonomike e ankthshme, situata sociale e gjëmshme, zgjedhjet e ndërmjetme “vdekjendjellëse”, sondazhet që kumbojnë si këmbana, me një dekor i cili të ngjan me një shpallje vdekjeje.

Aktorët janë në unison: trockistët janë në luftë kundra qeverisë, Partia Komuniste ka hyrë në opozitë, të gjelbërit i kanë përplasur portën shumicës, radikalët e majtë janë rënduar shpirtërisht. Më keq: në gjirin e Partisë Socialiste, militantët janë shkallmuar, zgjedhësit, plot hidhërim dhe mëri shpartallohen, deputetët kritikues janë kthyer në snajperë fanatikë.

Kësaj po i shtohet kriza qeveritare, më e forta qysh prej vitit 1976 dhe prishjes me bujë midis Jacques Chirac dhe Valéry Giscard d’Estaing. Arnaud Montebourg, Cincinnatus de Frangy-en-Bresse, janë prishur me presidentin Hollande dhe kryeministrin Valls me një ton kornelian. Ministri i Arsimit Benoît Hamon, i cili e braktisi ministrinë një javë para fillimit të shkollës, dhe Aurélie Filippetti (ministre e Mjedisit), janë kthyer në një spektakël politik me ndërprerje.

Zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017, që sot e tutje duken pakthyeshmërisht të humbura.

Sigurisht, punët në Francë shkonin shumë keq që përpara hyrjes së François Hollande në pallatin e Elysée, apo të Manuel Valls në hotelin e Matignon (kryeministria). Ajo po ecën akoma më keq. Si gjithnjë, pushteti ka shërbyer si zbulues. Socialistët nuk ndihen mirë në qeveri.

Dikur, Laurent Fabius, Michel Rocard dhe sidomos Lionel Jospin (kryeministra të Francës) jepnin shpresën se do të pajtonin të majtën me pushtetin. François Mitterrand ndofta nuk ishte me të vërtetë i majtë, por askush nuk mundej të diskutonte peshën e tij si president i Francës.

Sot, shumica parlamentare po plasaritet, po shpërthen dhe po ngushtohet deri në një nivel, që po bëhet artificiale. François Hollande dhe Manuel Valls disponojnë vetëm një shumicë parlamentare negative. Në Francë, e majta është një minoritet i kapur ngushtë, e cila mbahet vetëm nga institucionet e fuqishme. Pikërisht për këtë Jean-Luc Mélenchon (kryetari i Partisë Komuniste) ëndërron për një Republikë të VI-të: duhet thyer parapeti i fundit.

Në fakt, më tepër se kurrë vërehet që ekzistojnë dy të majta të bëra për mos e marrë vesh. Trockistët, komunisët, të gjelbërit dhe një fraksion i PS- i dobët në majë dhe i fortë në bazë – ëndërrojnë për një shoqëri tjetër në gjirin e një bote tjetër. Mungon pushteti për të ndryshuar botën, dhe kjo e majtë e dërrmon sistemin dhe të metat e saj të mëdha, duke i parë social-demokratët si bashkëfajtorët e një universi të përbuzur.

Shumica parlamentare e PS dhe gjysma e elektoratit të saj si dhe radikalët e majtë marrin përsipër kulturën e qeverisjes me kompromiset, dështimet, gabimet dhe zhgënjimet. Pra kemi një të majtë që nuk arrin asnjëherë, dhe e majta e vendit që arrin gjithmonë. Nganjëherë ato flasin me njëra-tjetrën, por nuk kuptohen asnjëherë.

Ato arrijnë të bashkëjetojnë vetëm pas një kalimi të përbashkët të shkretëtirës dhe kur ekziston vetëm një personalitet i fortë në gjëndje t’i bashkojë nën autoritetin e tij (rasti i Mitterrand President, dhe Jospin, Kryeministër). Ky është rasti aktualisht më tepër se kurrë .

E majta që ëndërron i largohet në mënyrë të pandalshme të majtës që vozit.

Mekanikisht që të dyja janë pra qartësisht minoritare tek francezët, e para si gjithmonë, e dyta si ndodh shpesh.

Rrethanat mund të përmirësohen deri në pranverën e vitit 2017, por klima ka pak shanse që të përmbyset. Frakturat e së majtës veçse theksohen: Jean-Luc Mélenchon, Cécile Duflot, Arnaud Montebourg (ministri i ekonomisë që dha dorëheqjen nga qeveria e Valls 1) zbatojnë tashmë një strategji personale presidenciale, e cila sëpari është e drejtuar kundra presidentit François Hollande. Në vend të një konkurence legjitime e majtë – qendër – e djathtë, rreziku i dukshëm është se po arrihet në një përballje brutale e djathtë – ekstremi i djathtë, me një të djathtë qartësisht më të ndarë se sa në vitin 2012, dhe në një të djathtë ekstreme shumë më të fortë.

Liberation

Përshtati bota.al