• |
ide | kryesore

Dhjetë vjet mbrapa me LSI-në

Arkiva, Ide
Andi_Bushati.jpg



(www.lapsi.al) – Pashë sot në mëngjes numrin e gazetës "Integrimi" të LSI-së që festonte dhjetë vjetorin e krijimit të kësaj partie. Ajo që të binte në sy qe pretendimi se kjo forcë politike, lindi një dekadë më parë, me ambicjen për të reformuar Partinë Socialiste, aso kohe në pushtet. Shumë kush atëbotë besoi te kjo fabul. Jo vetëm tek ajo e modernizimit të së majtës, por edhe për më tepër, tek emancipimi i skenës politike shqiptare, duke i dhënë asaj një forcë të madhe të tretë, e aftë të luante mes dy partive tradicionale, herë duke i mbajtur në frena e herë duke i korigjuar ato, në interes të publikut.

Dhe kjo pandehmë nuk është se nuk zgjati. LSI, atëherë, plot me figura të së majtës që kombinoheshin mirë me të rij modernë dhe të shkolluar në perëndim, pati suksese jo të vogla. Ajo qe vendimtare në rrëzimin e klikës së korruptuar të Fatos Nanos, në vitin 2005. Ajo u bë digë për etjen për pushtet të Berishës në vitin 2007, duke i dhënë fitoren opozitës si në Tiranë, po ashtu edhe në qytetet më të mëdha të vendit. Ajo luajti një rol ekzemplar duke u munduar të marrë në muajt e parë të vitit 2008 edhe spektrin e opozitës morale, kur mblodhi jo vetëm partitë e vogla, por edhe një numër intelektualësh e firmëtarësh që u afruan pranë saj në mbrojtje të kushtetutës, që binomi Berisha- Rama e shkallmuan me një të rënë të shqelmit, fare pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Dhe këtu fabula e saj pozitive mbaron…

Nuk e di pse duke shfletuar gazetën e sotme “Integrimi” mendja më mbeti tek togfjalshëi: forcë reformatore. Mu kujtua se atherë dhjetë vite më parë, një nga arsyet e të qenit të LSI-së ishte lufta kundër monopoleve, beteja (e përbashkët me PD-në në opozitë) kundër klanit të Zemunit. Ndërsa sot ata që dje në mënyrë të pakuptimtë Ilir Meta i quante zemunarë, i ka propozuar si ministra të qeverisë së re. Por, kjo nuk është kontradikta e vetme e tij. Të njëjtin ndryshim ai pati edhe me vetë Nanon, që e ribekoi si babain shpirtëror të së majtës, vetëm pak ditë përpara garës elektorale të vitit 2009. Që prej kësaj kohe, piruetat e LSI-së u bënë të pabesueshme. Gjatë kësaj fushate ai ishte betuar se nuk do t’ia kalonte kurrë votat e tij Berishës, madje vinte baste në studio televizive që gazetarët t’i ruanin këto deklarata dhe t’ia kujtonin më vonë.

Nuk kaluan as dy muaj dhe ai i harroi deklaratat për Sali Gërdecin dhe për mjekun e bllokut e shkoi e u ul pa asnjë kusht në tryezën e bisedimeve për ta mbajtur Berishën në pushtet.

Historia u përsërit katër vite më pas me Edi Ramën. Atë që e kish quajtur si njeriun që shiste leje ndërtimi për kapital politik, ndyrësirën, drogaxhiun dhe spiunin më të madh të këtij vendi, e solli në pushtet me logjikën prej kapitalisti të ri: se po mbyllte një kontratë dhe po niste një tjetër.

Kjo është sot LSI-a nga e cila janë larguar pjesa më e madhe e profesorëve, dhe intelektualëve duke e shndëruar në një universitet të kristaltë për gjithë të paaftit që duan të mbijetojnë në këtë shoqëri jo falë meritokracisë, por falë shkërdhatokracisë (term i huazuar nga Dritero Agolli).

Por, problemi me LSI-në në këtë përvjetor të dhjetë, nuk është tek piruetat e saj politike, tek mungesa e qëndrimeve dhe sharlatanizmi i aksionit (mjafton të përmendim se edhe sot, ende LSI nuk ka qëndrim për 21 janarin, për sistemin e drejtësisë, për aferën e armëve kimike, për zgjedhjet e Tiranës në 2011, për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, për të cilat ka deklaruar gjithshka dhe të kundërtën e tyre).

Problemi është se ajo është kthyer në një forcë regresive për shoqërinë. Në sistemin tonë demokratik, sado i keq e problematik qoftë, ka mbetur ende një fije ekuilibri që qëndron pikërisht tek vota. Tek ajo votë që megjithëse shpesh e cfilitur dhe e sakatuar, ka sjellë ndëshkimin e atyre që abuzojnë me pushtetin.

Mënyra se si është sjellë LSI, së paku dy herët e fundit, është pikërisht një tentativë për ta prishur edhe këtë mekanizëm të brishtë që kemi në dispozicion. Duke bërë fushatën më të ashpër kundër Berishës në 2009 e pastaj duke vajtur në prehërin e tij, për ta mbajtur për katër vite në pushtet, LSI tregoi se vullneti i qytetarëve nuk ka pikë rëndësie. Të njëjtën logjikë përsëriti edhe mandatin pasardhës, duke qeverisur katër vite me demokratët e duke mos pranuar të gjykohej së bashku me ta, për ato që kish bërë në periudhën 2009-2013. Kërceu në kampin tjetër pa u përballur me gjykimin që do t’i bënin njerzit për aktivitetin e katër viteve të fundit. Le të imagjinojmë për një çast sikur të përsërisë prapë të njëjtën fabul e të mos përgjigjet për qeverisjen e së majtës duke u bashkuar në 2017 me kundërshtarët e saj.

A nuk krijon kjo një rrezik për demokracinë tonë të dobët? A nuk bën kjo një shmangie nga e vetmja garanci që kemi në duar: asaj që përball me votën ata që na qeverisin?

Por, e keqja nuk përfundon këtu. Duke gjetur këtë rrugëdalje për t’i shpëtuar sistemit, LSI-a po krijon edhe një problem më të madh, sepse në kapërcimet e saj ajo merr me vete edhe një pjesë të bashkëpunëtorve që kanë abuzuar me pushtetin e vjetër, që duhej t’i nënshtrohej votës. Ajo mer me vete një shpurë të fortësh, biznesmenësh, mediash, që i afron me pushtetin e ri. Duke krijuar në këtë mënyrë një pushtet paralel. Të paprekëshëm e të pandëshkueshëm në cdo kohë. Ajo bëhet njëkohësisht kalcifikuesja dhe mbrojtësja e kësaj kaste. Duke prishur rregullat e ekuilibreve dhe të ndryshimit, që e bëjnë të pranueshme për të gjithë, lojën demokratike.

Në këtë kuptim, LSI, është shndërruar në një forcë konservatore dhe reaksionare në këtë shoqëri. Larg aspiratës për të qenë reformatore ketu e dhjetë viteve më parë, që na kujtonte këtë mëngjes gazeta “Integrimi”.  (www.Lapsi.al)