• |
ide | kryesore

Liderët e rinj të europës, gjithnjë e më të dobët

Arkiva, Ide
Redei_WeakandWeaker.jpg



Natën vonë, një javë më parë, udhëheqësit europianë e bënë Bashkimin Europian krejt  të parëndësishëm në çështjet botërore. Përmes zgjedhjes së kandidaturave për dy postet më të lartë të BE, dhe vendimit të tyre për të shtyrë sanksionet ndaj Rusisë edhe në një kohë kur trupat e saj pushtuan Ukrainën, ata e bënë të qartë se preferojnë një Europë që është jokoherente së brendshmi dhe e paaftë të mbrojë interesat e saj së jashtmi. Nëse udhëheqësit europianë vepruan nga injoranca apo burracakëria, pasojat do të ndihen nga qytetarët e zakonshëm në të gjithë kontinentin.

Nuk ka diskutim që politika e BE është më jokoherente se kurrë më parë. Samiti special i BE emëroi Kryeministrin polak, Donald Tusk si presidentin e ardhshëm të Këshillit Europian, organi që mbledh udhëheqësit e shteteve anëtarë të BE për të përcaktuar drejtimin e politikave. Qëllimi i shpallur i presidentit është që të përfaqësojë dhe mbështesë interesat e të gjithë kontinentit (dhe jo të shteteve të veçantë), si dhe të përpiqet të arrijë konsensusin mes kryeqyteteve të ndryshëm përmes komunikimit intensiv dypalësh. Tusk mund të jetë një politikan i talentuar: Ai është i vetmi kryeministër i rizgjedhur i Polonisë postkomuniste. AI mund të jetë gjithashtu një figurë e pëlqyer në Bruksel – në fund të fundit, ishte ai që riforcoi pozicionin e Polonisë brenda qarqeve europianë, pas udhëheqjes së trazuar të të Lech dhe Jaroslav Kaczynskit – respektivisht ish presidenti dhe ish kryeministri i Polonisë – dhe njihet si një negociator i fortë në Këshillin Europian.
Por megjithëkëtë, Tusk nuk ka gjasë të jetë një arkitekt i konsensusit kontinental. Ndryshe nga paraardhësi i tij, presidenti në largim Herman Van Rompuy, puna e të cilit në politikën e federalizuar të Belgjikës i dha atij dekada të tëra përvojë në ndërtim urash mes shumë fraksioneve, Tusk nuk njihet si një ndërtues i mirë koalicionesh. Të dy qeveritë e tij në Poloni u mbështetën tek vetëm një partner koalicioni në dhomën e ulët (dhe asnjë në Senat). Plus, Tusk nuk flet frëngjisht dhe ka një përdorim të kufizuar të anglishtes. E vështirë të besosh se ai do të mund të ndërtonte marrëveshje kreative mes ish kolegëve të tij, duke parë gjithë problemet që do të ketë, thjeshtë edhe në komunikimin me ta në një gjuhë të përbashkët.
Mesazhi në emërimin e tij është i qartë: Udhëheqësit e shteteve të Europës do të preferonin që askush të mos çonte përpara një agjendë europiane, e cila do të bëhej penguese për qasjen e tyre të “emëruesit të përbashkët”.
Së dyti, dhe kjo i përkeqëson gjërat, e emëruara e samitit si Përfaqësuese e Lartë për Marrëdhëniet me jashtë dhe Politikën e Sigurisë është Federica Mogherini, ministrja e jashtme e Italisë. Ndryshe nga Tusk, Mogherini flet disa gjuhë. Ajo është gjithashtu një prurje e freskët në politikën italiane të mbushur me politikanë të vjetër. Por Mogherinit i mungojnë dy prej karakteristikave më thelbësore për të qenë një zëdhënëse efektive në politikën e jashtme të BE-së: eksperienca në drejtim dhe statura ndërkombëtare.
Mogherini nuk ka përvojë në institucionet kompleksë të bE-së. Ajo nuk ka eksperiencë të drejtpërdrejtë me burokracinë e ndërlikuar të Shërbimit Europian të Cështjeve të Jashtme që do të drejtojë, as edhe ka kaluar shumë kohë pjesëmarrjeje në Këshill – në fund të fundit, ka qenë ministre e jashtme e Italisë për vetëm gjashtë muaj. Mogherini nuk ka qenë as ministre as drejtuese ekzekutive më parë – postet e mëparshëm brenda partisë kanë qenë të një tjetër kalibri. Ajo ka qenë politikane e zgjedhur për vetëm gjashtë vite. Ajo nuk është e njohur jashtë Europës, ndryshe nga disa kandidatë potencialë, emrat e të cilëve kanë qarkulluar së fundmi në Bruksel (përfshirë Ministrin e Jashtëm gjerman, Steinmeier, Ministrin e Jashtëm polak, Sikorski, apo Ministrin e Jashtëm suedez, Bildt).
Ndikimi i Mogherinit kur të përpiqet të flasë në emër të Europës, si pasojë do të jetë minimal – qeveritë e huaja nuk do ta marrn seriozisht. Si për t’i përkeqësuar gjërat, ajo lë përshtypjen si e prirur pak si shumë për të kënaqur interesat ruse. A është e vërtetë apo jo, vetëm koha do ta tregojë. Megjithatë, qoftë edhe vetëm perceptimi e bën emërimin e saj një sinjal të rrezikshëm për Rusinë, sidomos në një kohë kur përballimi i Moskës është sfida më e rëndësishme e politikës së jashtme të BE-së. Qëndrimi më i ashpër i Tusk kundër Moskës nuk mund ta shuajë këtë shqetësim. Eshtë Përfaqësuesi i Lartë, ndonjëherë bashkë me Presidentin e Komisionit Europian, që do të duhet të përfaqësojë BE-në në bisedime apo takime me Moskën.
Së treti, udhëheqësit e samitit vendosën t’i shmangen sanksioneve të mëtejshëm ndaj Rusisë. Edhe pse presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ishte i pranishëm – duke paralajmëruar se tanket rusë po kalonin kufirin – udhëheqësit europianë mundën të bien dakord vetëm që t’i kërkojnë Komisionit Europian të fillojë punën përgatitore për të paraqitur propozime brenda një jave. Ka patur zëra për sanksione të rëndë ekonomikë (duke përfshirë ndalimin e blerjes së bonove qeveritare ruse) dhe hapa të fortë simbolikë (si bojkoti nga europianët i Kupës së Botës 2018 që do të zhvillohet në Rusi). Megjithatë, ndjesia e përgjithshme në fund të samitit ishte se koha për sanksionet është e paqartë, ashtu sikurse dhe kriteret për t’i miratuar ata. Vështirë se kjo mjafton për të frenuar Vladimir Putinin.
Këta vendime nuk e zhysin Ukrainën në harresë. Tusk mund të rezultojë i aftë në rolin e tij si president i Këshillit Europian – ashtu si ka qenë edhe presidenti në largim, Van Rompuy. Parlamenti Europian mund të zgjedhë të ushtrojë fuqinë e vetos ndaj të gjithë Komisionit Europian, nëse postin e Përfaqësuesit të Lartë nuk e merr dikush që ka staturën, përvojën dhe aftësinë për të mbrojtur vlerat dhe interesat e Europës në botë. Dhe Komisioni Europian mund të miratojë sanksione që “kafshojnë” vërtetë.
Megjithatë, mësimi më i thellë, është sërish i errët, pasi ai flet shumë për udhëheqësit aktualë të shteteve anëtarë të BE-së. Ata kanë frikë të plotësojnë postet e lartë të BE me figura politike të profilit të lartë, të cilët mund të sfidojnë interesat e tyre kombëtarë në emër të të mirës së përbashkët europiane. Dhe individualisht, ata janë të dobët dhe të pafuqishëm – asnjë shtet europian nuk mundet të ndikojë i vetëm në çështjet botërore. Kështu që, duke emëruar personalitete me profil jo të lartë në poste të rëndësishëm, udhëheqësit europianë po dëmtojnë vetë aftësinë e tyre për të përballuar sfidat e madhe të kohës sonë, si përshembull një Rusi ekspansioniste.
Samiti i fundit u pa me vëmendje si në Moskë, ashtu edhe në Uashington. Për rusët, vendimet ishin në fund një dritë jeshile për të përshkallëzuar sulmet e tyre në Ukrainë – Putini e di se BE nuk ka gjasa të jetë një pengesë serioze për planet e tij. Për SHBA, samiti provoi edhe një herë që, edhe për çështje që me të drejtë duhet të jenë problem i Europës, europianët do e “lëshojnë topin” dhe do i largohen përgjegjësisë. Të vetëm, shteteve të BE u mungon fuqia. Të bashkuar, u mungon ambicia. Dhe në secilin rast, Putini do i “tërheqë për hunde”.
/Foreign Affairs/
Përshtatur në shqip nga bota.al