• |
ide | kryesore

Albin, a je ti?

Arkiva, Ide
mushkolaj.jpg



Dikur e quante parti të haraçit, por me AAK’në e Ramush Haradinajt lidhi marrëveshje për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Dikur fliste për parime në qeverisje dhe thoshte se do të ishte pjesë e Ekzekutivit veç kur të dilte partia e parë në zgjedhje, por të mërkurën ndryshoi gjithçka.
Dikur deputetët e Listës Serbe i quante çetnikë, por krimin e korrupsionin do ta luftojë edhe me ta në bashkëqeverisje.
Albin Kurti u shfaq krejt tjetër nga ai që është njohur nga publiku, të mërkurën, kur nënshkroi marrëveshje me qëllim që, siç tha, Kosovën ta hedhin në binarët e drejtësisë, të zhvillimit, të barazisë, të luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Ata që nuk i ka tradhtuar kujtesa mund të sjellin ndërmend edhe deklaratat se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të qeveriste me asnjë subjekt politik që ka qenë në pushtet. E, të gjitha partitë ose zyrtarë partish, me të cilat nënshkroi marrëveshje kanë qenë në qeverisje dhe janë përgjegjëse për gjendjen në të cilën e kanë sjellë vendin. Se si u bënë këto parti tash të pranueshme për Kurtin, veç ai e di.
Para zgjedhjeve të fundit, Kurti thoshte se vetëm kur Lëvizja Vetëvendosje të fitojë dhe ta udhëheq ekzekutivin, do të shohë se më kë do të qeverisë. “Pasi të jemi subjekti i parë do të shikojmë të bëjmë koalicion me subjektet e tjera, varësisht nga përputhjet programore dhe besueshmëria e ndërsjellë. Pra, propozojmë alternativën qeverisëse dhe shikojmë se çfarë kanë të tjerët”, thoshte ai.
Madje, ai kritikonte Ramush Haradinajn se me çdo kusht donte të bëhej kryeministër, duke thënë se ai nuk ka parime. Se si u bë tash lideri i AAK’së parimor, veç Kurti e di.
* * *
Mbase Albin Kurti ka përgjigje edhe për këto deklarata të tij dhe të zyrtarëve të subjektit të tij politik:
“Këto parti duhet të ndryshojnë. Vetëm më pas ne mund të bashkëpunojmë në koalicione”. Partitë nuk kanë ndryshuar, e ai ka bërë marrëveshje me to.
“Haradinaj nuk ka as program, as parime dhe as ekip. Ai ecën duke parë se çka i jep gjasë të bëhet kryeministër. Kaq”. Çuditërisht, tash Haradinaj i ka të tria.
“LDK’ja… e ka dëmtuar shumë opozitën dhe mbi të gjitha Kosovën”. Tash, me këtë LDK, po duan ta zhvillojnë Kosovën.
“U thoni jo çetnikëve të Listës Serbe se kështu i thoni po republikës dhe historisë sonë”. Tash, republikën do ta çojnë përpara me këta “çetnikë”.
“LDK’ja dhe AAK’ja nuk e kanë luajtur rolin e opozitës, sidomos në çastet vendimtare i janë bërë patericë qeverisë në proceset e dëmshme në të cilat ajo e ka katandisur vendin”. Kush është patericë e kujt tash?
“Frika nga pushteti dhe lakmia për pushtet kanë bërë që LDK’ja e AAK’ja t'i nënshtrohen Thaçit”. Kush po e lakmon pushtetin tash?
“Kur krijon subjekt me njeriun që ka aktakuzë për korrupsion dhe thua dua të bashkëqeveris me Vetëvendosjen, i vetmi konkluzion që më bie në mend është nevoja e këtij subjekti për 'vanish' apo 'pastrim kimik'”. Bëhet fjalë për Fatmir Limajn dhe Nismën. A jeni lodhë?
Ka edhe shumë të tjera, pa fund delarata, si këto.
* * *
Me lëvizjet e fundit, Albin Kurti ka befasuar edhe skeptikët më të mëdhenj. Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje tash e kanë të vështirë t’i njohin edhe militantët më të zjarrtë. Ata nuk mund t’i përmendin më parimet si arsyen kryesore pse e kanë votuar dhe simpatizuar këtë subjekt politik.
Ndër parimet themelore të një lideri është: të mbajë fjalën!
Kurti nuk është më ai i vjetri, e as VV’ja ajo që ka qenë.
Pyetja legjitime është: Albin, a je ti?
www.gazetaexpress.com