• |
ide | kryesore

“Kali mbi shtyllë” dhe rrëfimi i Anri Salës për The Guardian

Arkiva, Stil
kali.jpeg



"Anri Sala ka lindur në Shqipëri, më 1974-ën. Ai ka përfunduar studimet në Shkollën Kombëtare Superiore të Arteve Dekorative, në Paris. Ndikimi në art ka ardhur më së shumti prej një artisti që më vonë u bë edhe profesori i tij, por që për fat të keq iu ndalua të punonte gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri si dhe Edi Ramës, si artist e aktualisht Kryeministër i Shqipërisë". Ky është prezantimi që i bën gazeta e mirënjohur britanike artistit Anri Sala dhe më pas jep të plotë në vetë të parë rrëfimin e tij për realizimin e kësaj fotografie impresionuese, që po e japim më poshtë:

"Natyrisht që nuk e gjeta kalin kështu. E kam fotografuar atë skenë në vitin 2002. Më ishte kërkuar të krijoja një vepër për shtëpinë e arkitektit të njohur, Luis Barragan në Meksikë. Përpara se të shikoja shtëpinë, bëra një tur virtual dhe u ndala tek skulptura e një kali që qëndronte mbi një shtyllë, e cila gjendej në pjesën e tarracës. Kur shkova më pas në atë vend, pashë se kali nuk ndodhej më aty, kështu që pyeta shoqëruesin tim se çfarë mund të kishte ndodhur me të. Ai u duk paksa i çuditur nga kjo pyetje dhe më shpjegoi se pas vdekjes së Barragan, sendet e shtëpisë ishin zhvendosur e me siguri bashkë me to, edhe ai kalë. Pra, ajo që më pati mbetur më shumë në mendje nga ai imazh, fatkeqësisht nuk ishte më aty.
Disa kohë më vonë, isha në Guadalajara për të punuar me një galeri arti, e cila ishte vendosur në një qiellgërvishtës. Sapo u ngjita në majë të tarracës, menjëherë më erdhi në mendje shtëpia e Barragan dhe kali mbi shtyllë. Barragan jo vetëm që ishte nga i njëjti vend, Guadalajara, por kishte qenë gjithashtu edhe mik me ndërtuesin e grataçelës. Megjithatë, këto detaje ishin të parëndësishme: ajo që ishte më kryesorja ishte ndjesia ime e brendshme se ai vend dukej shumë i zbrazët. Atëherë thashë me vete se aty duhej patjetër të vendosej një kalë. Në radhë të parë duhet të kujdesesha që struktura të suportonte peshën e kalit aq lehtë sa ai të mos dëmtohej, por edhe të qëndronte i sigurt mbi të. Nuk kishte asgjë dramatike në gjithë këtë skenë, pasi pronari i kalit ndodhej aty, që të mbante situatën në kontroll. U deshën 4 veta për ta ngritur kalin. Ata kryqëzuan duart në mesin e poshtëm të tij, ndërkohë që njëri mbante platformën të palëvizshme.
E gjithë puna u realizua brenda 20 sekondave. Mendoj se kali nuk e kuptoi ç’po ndodhte me të dhe menjëherë sapo e vendosëm mbi platformë, ai arriti të lirohej duke u kthyer sërish në tokë. Atëherë na u desh ta përsërisnim procesin edhe disa herë të tjera derisa të arrija të fotografoja atë që doja. Më pëlqen tensioni që perceptohet nga fotoja: duket sikur kali është përjashtuar apo trajtuar keq, por në fakt ai është trajtuar me shumë kujdes.
I gjithë imazhi i kafshës mbi shtyllë e bën të duket fotografinë sikur nxjerr në pah një ekuilibër absurd dhe e gjitha duket sikur është në mungesë të plotë të gravitetit. Nëse fotoja do të ishte konceptuar brenda një konteksti të zakonshëm, kali duhet të ishte duke vrapuar i lirë, pa u penguar nga asgjë. Pyetja që ngrihet kur sheh këtë imazh nuk ka të bëjë shumë me atë çfarë duket, por më shumë me perceptimin që ne krijojmë për vendndodhjen dhe pozicionin e kafshës.
Çfarë është ajo që na bën të ndjehemi “të penguar”? Dhe pse e perceptojmë këtë si një kusht të pandryshueshëm? I gjithë procesi, që nga ideja e deri tek realizimi ka zgjatur më pak se 48 orë".

The Guardian, Përktheu: Silvi Bakiri/Mapo