• |
ide | kryesore

Përse Berisha bën mirë të mbyllë gojën

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Ka diçka që nuk shkon dhe që ngjan e pabesueshme në thyerjen proverbiale të heshtjes një javore nga Sali Berisha.

Vërtet ai i’u përgjigj aludimeve të medieve të majta që e bënin atë fajtor për arrestimin e Fullanit duke pretenduar se kryeprokurori Llalla qe emëruar nga ai, dhe se vetëm atij i interesonte destabilizimi financiar i vendit.

Vërtet ai përdori disa argumenta që i mendojnë të gjithë: hakmarrjen e Ramës ndaj një familjeje që e ka përmendur gjatë në librin e tij “Kurban”, procesin që e ëma e Ramës ka humbur ndaj Sali Berishës në Gjykatë të Lartë, e ku gjykatëse ishte Ariana Fullani.

Vërtet ai e dënoi aktin e arrestimit që e quajti Stalinist e kështu me rradhë.

Të gjitha këto mund të kenë një vijë logjike e mund të të shpien tek konkluzioni ku shkon Berisha se arrestimi është “vendosur nga klika mafioze në pushtet”.  (Për më shumë lexo rubrika lajme në www.lapsi.al)

Deri këtu në rregull, po logjika e Berishës mbetet gjysmake, sepse ajo nuk i jep përgjigje një pyetjeje : A është vënë edhe kryeprokurori LLalla në shërbim të kësaj “klike mafioze”, “të këtij shteti policor”?

Për këtë Berisha nuk jep përgjigje duke e zgjatur kështu heshtjen e tij të prej një jave. Dhe Berisha e ka të vështirë ta japë këtë përgjigje. Sepse Llalla është i përzgjedhuri i tij dhe nëse ai është vënë në shërbim të mazhorancës së radhës, kjo është edhe përgjegjësia e tij që e ka shpënë në këtë post. Nuk ka asnjë dyshim që Berisha i zgjidhte njerëzit në bazë të dosjeve që kishte për ta dhe në bazë të aftësisë që ata kishin për t’i shërbyer pushtetit. Nuk ka dyshim gjithashtu se ky profil zyrtari bëhet në vazhdim me pushtetin e radhës. Ndaj Berisha sot nuk mund ta ankohet. As të bëjë denoncuesin.

Ai i ka djegur të gjitha mundësitë për të anatemuar njerëzit që emëron vetë. E ka bërë me kryeprokurorët Theodhori Sollaku e Ina Rama. E ka bërë me presidentët Moisiu e Topi, për të mos vazhduar me listën e gjatë. Ndaj vetëm ai nuk ka gojë të flasë përsëri. Nëse ka një gjë që duhet të bëjë, ajo është që të heshtë. Sepse edhe njëherë ne, po vuajmë pasojat e zgjedhjeve të tij.  (www.lapsi.al)