• |
ide | kryesore

Dënohen Tirana e Vllaznia. “Tirona Fanatics”, jashtë stadiumeve për gjithë sezonin

Arkiva, Sport
vllaznia_takimi.png



Tifozët e Tiranës nuk do të mund ta ndjekin ekipin e tyre në stadium për 15 ndeshje me radhë. Fanatikët e njohur si “Tirona Fanatics” nuk do të jenë në stadiumin e skuadrës përgjatë gjithë sezonit. Për 10 muaj, ndeshjet pa tifozë do t’i zhvillojë edhe Vllaznia në stadiumin e saj. Këto kanë qenë denimet e Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Vllaznia do të paguajë edhe një gjobë prej 1 milion lekësh, ndërsa Tirana 500 mijë lekë gjobë. Sipas Disiplinës, Vllaznia dështoi në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e një ndeshje futbolli. Ajo është përgjegjëse edhe për hedhjen e sendeve të forta në fushë nga tifozët e saj, që shkaktuan edhe akte dhune. Tirana ka përgjegjësi se nuk i mbajti nën kontroll tifozët e saj që gjithashtu hodhën sende të forta në fushë dhe shkaktuan dhunë.

Për dhunën që zgjati disa orë në stadiumin e Shkodrës dhe jashtë tij u arrestuan 12 persona. 3 u plagosën ditën e ndeshjes, njëri prej të cilëve efektiv i policisë së Shkodrës. Policisë i iku situata nga duart në stadium dhe nuk arriti të përballonte dhunën e tifozëve. Komisioni i Disiplinës denoi me 500 mijë lekë edhe Partizanin për hedhje fishekzjarresh në fushë.