• |
ide | kryesore

Rilindi ekonomia? Një vit pas

Arkiva, Ide
qorri.JPG



Papunësia e rritur, kreditimi i ekonomisë i tkurrur, rritja e eksporteve e frenuar po rrezikojnë parashikimet e qeverisë për një rritje reale të ekonomisë prej 2% ose rreth 200 milion euro për vitin 2014. Kjo situatë kërkon rishikimin e të gjitha praktikat dhe politikave ekonomike që nxisin punësimin, që shtojnë të ardhurat e bizneseve dhe të punësuarve, që rrisin konsumin dhe investimet etj. Në prognozën e rritjes ekonomike tek Buxheti 2014 qeveria bazohej në rigjallërimin e ekonomisë në eurozonë dhe për pasojë në rritjen e eksporteve shqiptare; në rritjen e konsumit të brendëshëm dhe rritjen e kreditimit nga ana e bankave private. Eurozona në vetvete dështoi në gjysmën e parë të 2014 e vecanërisht partneri ynë kryesor, Italia. Për pasojë eksportet kanë përgjysmuar ritmin e rritjes. Kredia për ekonominë është zvogëluar me 1,8%. Ndërsa konsumi dhe investimet private sipas Bankës së Shqipërisë (duke ju referuar të dhënave të qeverisë dhe INSTAT) flet për një rritje të moderuar të konsumit dhe investimeve private. Por investimet e huaja direkte janë tkurrur me 13,5% që bashkë me shifrat e papunësisë dhe inflacionit të bëjnë të dyshosh mbi këtë optimizëm të zbehtë.

Papunesia ka shkuar në 17,7% në fund të qershorit 2014 nga 17,1% që ishte në kohën kur erdhi në pushtet maxhoranca e re (Burimi INSTAT). Ndërsa inflacioni me bazë vjetore ishte në korrik 2014 1,5% ose një herë më pak se objektivi prej 3% i vendosur nga Banka e Shqipërisë. Për më tej vazhdon të përkeqësohet pozicioni i bizneseve ndaj bankave duke cuar në 25% kreditë me probleme në fund të korrikut 2014 nga të cilat gjysma (ose rreth 500 milion euro) duken krejtësisht të humbura. Duket se pagesa e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve nuk po jep rezultatet e pritura as në reduktimin e kredive me probleme dhe as në nxitjen e investimeve e konsumit.

Një dorë në këta tregues të përkohshëm të gjysëm vitit ka dhënë edhe vetë qeverisa që ka “kursyer” rreth 160 milion euro të disponueshme për ti shpenzuar, nga të cilat 50 milion euro vetëm për investimet publike.

Maxhoranca e majtë erdhi në pushtet duke u angazhuar për zhvillim ekonomik bazuar në “manifakturë, bujqësi, turizëm” për PS dhe punësim për LSI. Jo vetëm vota populore, por edhe ekspertët në atë kohë (dhe sot) ranë dakort se punësimi është një objektiv që garanton dhe rrit mirëqenien, ndërsa prodhimi, bujqësia dhe turizmi janë potencialet që vendi ynë mund të shfrytëzojë për të prosperuar. Dhe kur objektivi nuk arrihet do të thotë që potencialet nuk po shftytëzohen sic ishin programuar.

Bujqësia jep 2 miliard euro kontribut në Prodhimin Kombëtar vjetor, ka zënë në punë rreth 50% të popullsisë dhe përfiton vetëm 3% të financimeve në rang ekonomie. Këto shifra tregojnë se ky sektor nuk ka nevojë për lëmosha financiare që maten me lekë për rrënjë apo kile, po për një reformë strukturore urgjente e cila po shtyhet prej 23 + 1 vjetësh. Eshtë sa turp aq edhe qesharake që një vend gjysëm agrar (nga pjesa e popullsisë në fshat) importon rreth 800 milion euro në vit produkte të ngrënëshme. Eshtë e papranueshme që në shekullin e 21 Shqipëria ende nuk e di se si ta orjentojë bujqësinë e saj në dobi të zëvendësimit të importeve dhe synimit të eksporteve.

Turizmi me të drejtë gjykohet si potencial të ardhurash dhe punësimi, por diskutimet mbi të janë vetëm për lejet e ndërtimit të ortakëve të qeverive dhe jo për modelin. Shqipëria është ndër të rrallat vende ku shpenzimet për udhëtime dhe pushime jashtë shtetit janë më të mëdha se ato që sjellin turistët. Sipas Bamkës së Shqipërisë  turizmi arkëtoi 400 milion euro për 6 muajt e parë të 2014, por shqiptarët shpenzuan 555 milion euro jashtë shtetit për udhëtime dhe turizëm. Këto shifta dëshmojnë se turizmi ka nevojë urgjente për një model që të përmbysë bilancin negativ duke garantuar tërheqjen e turistëve dhe për pasojë të investitorëve në konkurim me Greqinë, Italinë, Malin e Zi, Kroacinë etj. Në vitin 2005 është bërë një studim dhe ka ardhur një propozim shumë interesant për zhvillimin e turizmit shqiptar të cilin qeveria e djathtë nuk denjoi ta marrë asnjëherë në konsideratë qoftë dhe për ta hedhur poshtë. Qeveria aktuale duhet ti kthehet studimit McKinsey për dy arsye; 1). Resurset për zhvillim ekonomik të identifikuar nga maxhoranca aktuale dhe McKinsey përputhen (bujqësia, manifaktura, turizmi). 2) një nga ministrat aktual ka qenë pjesë e grupit të punës që coi në raportin paraprak prej mbi 200 faqesh të McKinsey dhe që duket se është marrë në referencë në programin e Rilindjes.

Për manifakturën nuk kam cfarë them më mirë apo më keq se bujqësia dhe turizmi. Vetëm se jam tërësisht kundër modelit “fason” nëpërmet të cilit vendi importon të themi 10 euro lëndë të para dhe exporton 11 euro produkte të gatshme duke përfituar vetem 1 euro.

Buxheti 2015 dhe rishikimi i buxhetit afatmesëm është një rast që nuk mund të humbet për të bërë korrektimet e duhura në politikat ekonomike për të prodhuar punësim dhe mirëqenie. Së pari kërkohet që qeveria të pranojë situatën ashtu sic është dhe mos harxhojë energji për të zbuluar armiq, dashakeqas apo kundërshtarë. Përpos kësaj në ekonomi është shumë e vështirë të gënjesh. Se psh mund të dalë një raport i BE që konfirmon tërësisht apo pjesërisht shqetësimet e ekspertëve vendas të etiketuar “armiq”. Së dyti duhet të hiqet dorë nga praktikat e përdorimit të FMN si gogoli i që do ti shkaktojë dhimbje popullit dhe sipërmarrjeve kundër vullnetit të qeverisë. FMN është doktori që përcakton diagnozën dhe rrugët e shërimit. Qeveria është ajo që vendos nëse duhet të shërohemi dhe me cfarë ilaci.

*Autori është opinionist i Lapsi.al