• |
ide | kryesore

Në emër të Hashim Thaçit

Arkiva, Ide
mand edit.jpg



Partitë opozitare në Kosovë e mbështetën të gjithë fushatën e tyre zgjedhore në nevojën e largimit të Hashim Thaçit nga pushteti. Po në emër të largimit të Hashim Thaçit, pas humbjes së secilës parti në garën elektorale me PDK, ato krijuan bllokun opozitar. Së fundi, po në emër të Hashim Thaçit, ato po i kërkojnë këtij të fundit t’i lejojë të ndajnë postet sipas dëshirës së tyre. Ngërçin e krijuar tash sa muaj në Kosovë, partitë e bllokut po ia faturojnë përsëri kryeministrit në detyrë, herë duke i kërkuar të hapë rrugë, herë duke e akuzuar se kontrollon Gjykatën Kushtetuese e herë duke u bezdisur thjesht nga prania e tij në jetën politike.
Deri në betejën politike elektorale, partitë opozitare kanë qenë në të drejtën e tyre të shënjestrojnë kryeministrin dhe qeverisjen e PDK. Të kërkojnë largimin e një qeverie të keqe sipas tyre dhe të premtojnë një alternativë më të mirë. Sulmi i përqëndruar ndaj Thaçit nuk i dha megjithatë rezultatet e pritshme. PDK doli parti e parë, duke e lënë të dytën, LDK, 5 përqind mbrapa. Pavarësisht fitores, PDK nuk i kishte dhe duket se nuk i ka ende dhe sot numrat për të krijuar qeverinë. Duke rimarrë një kauzë morale, atë të nevojës së largimit të Thaçit, partitë opozitare bënë zbulimin e vezës së Kolombit dhe deklaruan se të bashkuara i bënin numrat për t’i dhënë Kosovës një qeveri të re. Atë që nuk e bëri përpara zgjedhjeve, për shkak të orkesit të madh për t’i fituar të gjitha, lideri i LDK e bëri më pas, duke tentuar kështu t’i shpëtonte një turpi të dytë, gjashtë muaj pas humbjes së Prishtinës. Isa Mustafa u tregua i gatshëm t’i falte edhe kryeministrin një partie me 9 përqind të votave, vetëm për të kapërcyer dështimin e rëndë elektoral.
Megjithatë, edhe ngjizja e bllokut opozitar, si nevojë për të bërë ndërrimin e pushtetit dhe për të larguar Thaçin, ishte në një farë mënyre e pranueshme. Një lloj vazhdimi i fushatës elektorale, një postbetejë pas humbjes së betejës së parë të madhe. Në këtë moto, partitë e bllokut i përtypën me kifle akuzat ndaj njëra- tjetrës, ndarjet e mëdha ideologjike dhe deklaratat e rënda në fushatë për skandale e afera korruptive. Karta morale u nxorr përsëri nga xhepi dhe “për të shpëtuar Kosovën nga PDK”, partitë opozitare shpallën bashkimin. Edhe në këtë rast, ato përsëri ishin në të drejtën e tyre, pavarëisht shkallës së besueshmërisë tek qytetarët.
Ajo që nuk shkon me partitë e bllokut sot, është se ato duan të dalin nga ngërçi politik duke përdorur përsëri si kartë morale Hashim Thaçin. Ky i fundit po paraqitet përsëri si bllokuesi i madh dhe njeriu që duhet të hapë rrugë. Po a mund t’ia kërkojë blloku një gjë të tillë kundërshtarit kryesor politik? Partitë opozitare e kanë shumicën, (madje mund të mbërrijnë edhe në 83 vota në Kuvendin e ri) dhe u takon atyre të gjejnë zgjidhje. Është koha që blloku të marrë përgjegjësi dhe jo të ankohet ditë e natë ndaj Hashim Thaçit. E kanë shumicën, i kanë ndarë postet, kanë siguruar unitetin, tani duhet t’i japin drejtim të ardhmes politike. Thaçi ishte objektiv i fushatës së tyre, u kthye në justifikim të bashkimit të tyre, por nuk ka kuptim të shndërrohet edhe në bekim të qeverisë së tyre. Kjo është pak si shumë. Të paktën ndarjen e pushtetit të tyre, partitë opozitare ta bëjnë pa ndihmën e Thaçit. 
Për ta bërë këtë do të duhej të sakrifikonin diçka. Postin e kryeparlamentarit, për shembull. Por jo, blloku i do të gjitha. Dhe Hashim Thaçi duhet të jetë mirëkuptues për këtë, të tërhiqet dhe të qëndrojë spektator në një lojë që kërkon ta luajë vetëm njëra palë. Ai nuk ka të drejtë as të negociojë e as të pengojë. Thjesht duhet t’i bindet vullnetit të bllokut. Këtu, partitë opozitare janë duke e tejkaluar të drejtën e tyre. Zgjidhja që do i japin ato ngërçit politik është përgjegjësi e tyre dhe jo e Hashim Thaçit. Në këtë pikë çdo kartë morale zbehet. Lideri i PDK nuk mund të jetë përgjegjës edhe për hallet e brendshme të bllokut. Ai është në të drejtën e tij që me mjete legale edhe të bllokojë, edhe të bëjë presion politik. Blloku nuk mund të ankohet edhe për këtë. Hashim Thaçi në fund të fundit përfaqëson mbi 30 përqind të votuesve të Kosovës, ka një diferencë të thellë me liderët e tjerë dhe nuk ka arsye për t’u bërë ura ku do të kalojë blloku pa i hyrë një gjemb në këmbë. Blloku i kërkon të gjitha pushtetet, por nuk dëshiron të ketë as telashe.
Gjithë këtë periudhë, partitë opozitare kanë qenë të angazhuara vetëm për të sistemuar postet e reja dhe marrëveshjet mes tyre. Ramush Haradinaj kryeministër, Isa Mustafa dy vjet kryetar Kuvendi e më pas President i Republikës, të tjerët ministra e kështu me radhë. Hashim Thaçi duhet të tërhiqet e të mos ua prish skemën. Por edhe tërheqja ka një limit. Thaçi u tërhoq nga ideja për të qenë kryeministër në rast se do të kishte një qeveri gjithpërshirëse. Blloku nuk tërhiqet as nga posti i kryeparlamentarit. T’i marrësh të gjitha pa i lënë tjetrit asgjë, madje ta shpallësh edhe armik publik e t’i kërkosh të rrijë urtë, është një pretendim i madh për bllokun, gjq që nuk mund ta arrijë pa bërë asnjë sakrificë. Thaçi ka të drejtë të mos qëndrojë duarkryq dhe të bëjë betejën e tij politike. Pushteti nuk është një dhuratë krishtlindjesh që e gjen një mëngjes poshtë bredhit.  Isa Mustafa e Ramush Haradinaj janë të rritur për t’u besuar përrallave të babadimrit.