• |
ide | kryesore

Po rriten taksat? S’keni pare gjë akoma …

Arkiva, Ide
shano.jpg



FMN erdhi dhe iku. U kthye në Washington. Pa folur për publikun. Është ndoshta hera e parë që FMN nuk është transparente me publikun shqiptar. Sa për qeverinë, tashmë jemi mësuar me mungesën e transparencës së saj. Në deklaratën e FMN lexohet se do të vazhdojë diskutimet me Qeverinë shqiptare nga përtej oqeanit. Mosmbyllja e diskutimeve ndoshta është arsyeja pse FMN nuk është shprehur ende. Vazhdimi i diskutimeve do të thotë se Qeveria dhe FMN ende nuk kane rëne dakord mbi çështjet në tavolinë gjatë dy javëve të fundit të Gushtit 2014.
Natyrisht që “molla e sherrit” mes FMN dhe Qeverisë eshte garantimi dhe rritja e të ardhurave duke mbajtur parasysh performancën e deritanishme buxhetore. Edhe pse qeveria raporton rritje të të ardhurave, këto rritje janë të pamjaftueshme për të ngrohur FMN-në.
Në krahun e shpenzimeve buxhetore ka mbetur pak ose aspak hapesirë që Qeveria të nikoqirisë paratë që u merr nga xhepi qytetarëve dhe sipërmarrjes. Rreth 85% e shpenzimeve buxhetore janë “shpenzime të detyrueshme” – rroga, pensione, interesa të borxhit publik, programe të ndihmës sociale, mirëmbajtje etj. Këtu në këto shpenzime qeveria nuk kursen dot. Shkurtimi i këtyre shpenzimeve do të rrezikonte funksionet e shtetit. Shkurtimi i këtyre shpenzimeve do të nxirrte 2 milionë shqiptare në rrugë, me synimin e vetëm që ta kapin qeverinë me dru pas koke për ta hequr qafe.
Në pjesën që mbetet, ku janë edhe shpenzimet kapitale, pikërisht atje ku shfaqet edhe vullneti (ose mos-vullneti) i qeverisë për të nxitur e lehtësuar zhvillimet në ekonominë reale, atje ku krijohet pasuri dhe punësim për shqiptarët, Qeveria e ka mbajtur dorën. Shpenzimet kapitale në fund te Korrikut 2014, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë jane realizuar vetëm në masën 36% të parashikimit vjetor.
E gjithë kjo do të thotë se FMN, e cila i ka dhënë një kredi prej 331 milionë Euro Qeverisë Shqiptare, duhet doemos të vendosë mbi baza të shëndosha rritjen e të ardhurave buxhetore në të ardhmen, në atë masë që Qeveria shqiptare pas 4 vjetësh të ketë mundësi te ripaguajë huanë e marre tek FMN. Dukshëm ekonomia shqiptare po calon. Operatorët ekonomikë nuk kanë besim tek qeveria. Kjo e fundit nuk e nxit zhvillimin ekonomisë, përkundrazi rriti tatimin mbi fitimin me 50 përqind në Janar 2014. Rriti akcizat dhe çmimin e karburanteve, si dhe tatimin mbi klasën manaxheriale të Shqipërisë. Në këto kushte dhe duke parë që nga krahu i shpenzimeve Qeveria nuk ka cfarë të shkurtojë më, FMN qysh me nënshkrimin e marrëveshjes i ka kërkuar asaj rritjen e mëtejshme të taksave ekzistuese dhe futjen e taksave të reja mbi qytetarin shqiptar.
Diskutimet për rritje taksash do jenë për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë si puna e kukulles ruse babushka së paku për 3 vitet e marrëveshjes me FMN. Sa herë të vijë e të ikë misioni i FMN në Tiranë, do nxjerrë një kukull-taksë të re nga barku i asaj të mëparshmes. Kësaj rradhe mes rivendosjes së taksës mbi udhëtimet jashtë shtetit, asaj mbi makinat e përdorura, taksimit të telefonatave nga jashtë etj., çështjet në diskutim janë taksimi i të ardhuarave të qytetarëve nga interesat bankare të kursimeve të tyre dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Dora e qeverisë ka shkuar thelle në xhepin e shqiptarëve, por asnjë qeveri e mëparshme nuk e ka shkuar ndërmend se mund të taksonte kursimet e qytetarëve. Me një hesap të thjeshtë qeveria e sotme e koalicionit PS-LSI do të marrë nga xhepat e shqiptarëve 20 milionë Euro. Me një të rënë të lapsit. Shqiptare KUJDES!!! Asgjë nuk do t’i shpëtojë dorës së gjatë kësaj Qeverie. Në këtë rast asgjë nuk do t’i pengonte, shqiptarët t’i tërheqin kursimet e tyre nga bankat. Ata do të kishin pak ose aspak arsye t’i mbajnë kursimet e tyre nëpër banka, me ato interesa të mjera. Ndoshta vendosin që është më mirë t’i mbajnë në shtpi të vet.
Taksa tjetër e drejpërdrejtë, më e rëndë akoma, është rritja e lajmëruar se fundmi e çmimit të energjisë elektrike. Rritje që filloi të dukej në horizont me marrjen e një kredie tjetër prej 150 milionë USD nga Banka Botërore. Rritjen ose jo te çmimit të energjisë do ta bëjë ERE në Dhjetor 2014. Por Qeveria do ushtrojë presion mbi Entin që atij as mos t’i shkojë në mend të mos e rrisë. Pse do rritet çmimi  i energjisë? Arsyeja e parë zyrtare është që të mbulohen kostot e prodhimit dhe të ripaguhet kredia e Bankës Botërore. Arsyeja e dytë jo zyrtare është se të ardhurat që vilen në buxhetin e shtetit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar nga vetë shitja e energjisë elektrike, pa llogaritur efektin rritës zinxhir që kjo rritje ka mbi të gjitha produktet e tjera te konsumit, janë shumë të lehta për t’u mbledhur. Kështu qeveria arrin të mbledhë aq të ardhura sa te jetë në gjendje të shlyejë të gjitha borxhet e pakuptimta që ka marrë. Ëdhë ato 220 milionë dollarët për reformën në sektorin financiar. Në këtë rast, pra të rritjes së cmimit të energjisë qytetarët shqiptare nuk kanë se ku të shkojnë. Ata janë në kurthin e shtëpive të tyre. Ata nuk kanë burime alternative energjitike, dhe as alternativa të tjera furnizimi. 
Ndoshta qeveria ka të drejtë tek thote se duhet të rritet çmimi i energjisë për të mbuluar kostot e prodhimi të saj. Le ta besojmë se është për shkak të arsyes së parë, dhe jo asaj të dytës. Po a është e drejtë kjo? A janë trajtuar në kompleks problemet e përhershme që e shoqërojne prodhimin e energjisë, transmetimin e saj, shitjen dhe arkëtimin e faturave të shitjes së saj. A mundet qeveria të thotë se në 1 Janar 2015 humbjet nga energjia e futur në rrjetin energjitik shqiptar nga 43% i totalit do të jenë 0%? A mundet qeveria të thotë se deri ne datën 1 Janar 2015 do të mbledhë 510 milionë euro të prapambetura që nga viti 2009? Nga këto, 102 milionë euro janë TVSH që i mungojnë buxhetit të shtetit. Rreth 65 milionë Euro janë detyrime të administratës dhe ndërmarrjeve publike. A mundet qeveria të garantoje minimalisht se 100% e konsumatorëve të energjisë kanë paguar faturat, kur 73% e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike janë nga konsumatorët familjarë? Përgjigjia është jo, nuk mundemi. Do e bëjmë gradualisht. Por çmimin e energjisë po e rrisim tak-fak. Mos u mërzisni. 
Kemi një situatë ku dukshëm vetëm një pjesë e qytetarëve dhe e bizneseve e paguajnë energjinë elektrike që konsumojnë. Pjesa tjetër nuk paguan. Nuk i shkon kush në derë, dhe me ç’duket as ka per t’i shkuar. Qeveria shton se nuk do të preken shtresat në nevojë. Dhe sikur të jetë kjo e vërtetë, është i pakuptueshëm ngulmimi i qeverisë për t’i kthyer shtresat jo-në nevojë në shtresa në nevojë. Duke u rritur tatimin mbi të ardhurat, mbi fitimin, dhe tani edhe çmimin e energjisë elektrike. 
Sidoqoftë, është e pamundur që rritja e çmimit të energjisë të mos rëndojë në mënyre direkte në portofolin e cdo intelektuali, punëtori, student dhe pensionisti shqiptar në mënyrë proporcionale tek çdo produkt tjeter që ai do blejë për të siguruar jetesën, ushqim, veshje, libra etj. Prandaj është e rëndësishme që qytetarët t’i kërkojnë qeverisë garanci me përgjegjësi politike, civile dhe penale që i ka mbledhur të gjitha detyrimet, që i ka arkëtuar të gjitha faturat e energjisë nga të gjithë, institucione shtetërore, biznese individe nga veriu në jug, nga lindja ne perëndim të Shqipërisë, dhe vetem pastaj t’i “lejojnë” asaj pa-aftësinë dhe dëshirën për përfitime nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Deri atëherë qeveria e PS-LSI nuk duhet lënë të fshihet pas FMN dhe BB. Kjo qeveri nuk mund ta fshehë pa-aftësinë e saj pas stemës së këtyre institucioneve ndërkombëtare, që ndoshta për herë të parë në këto 23 vjet e kane kredituar qeverinë shqiptare me kaq shumë para, me kaq pak mundim. Por një gjë është e qartë, Qeveria Socialiste për Integrim në marrëveshjet që ka nënshkruar me FMN dhe BB nuk ka lënë si kolateral angazhimin, vullnetin, aftësinë dhe kapacitetin e saj për të kryer reforma që do garantonin rritje dhe prosperitet për shqiptarët, siç kanë bërë të gjithë qeveritë më parë. As FMN, as BB nuk e kanë besuar kur, siç shpresoj, mund t’i ketë belbëzuar formalisht këto argumenta. Kjo qeveri ka lënë si kolateral xhepat e shqiptarëve që paguajnë për borxhet e shumta që ka marrë nga këto organizata ndërkombëtare për rehatin e vet dhe për të mbuluar pamjaftueshmërinë e saj totale për të qeverisur.
Viti 2015 duket se do të jetë një vit shumë më i vështirë për qytetaret dhe bizneset shqiptare. Deri tani është e sigurtë që në Shqipërinë Socialiste të vitit 2015 do paguhen akoma dhe më shumë taksa. S’kemi parë gjë akoma?
(Panorama)