• |
ide | kryesore

Që Papa Françesku të mos keqpërdoret

Arkiva, Ide
ljuba.jpg



                               Letër e hapur Kryeipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit, Rrok Mirdita
 
                                              I nderuar Kryeipeshkëv Rrok Mirdita,
 
Përditë e më shumë nëpër mediat tona e të huaja po thuhet se Papa Françesku po vjen në Shqipëri për t’i çuar botës prej këtej mesazhin se duhet të jetojnë të gjithë si në Shqipëri përsa i përket tolerancës e bashkëjetesës fetare. Aq më tepër në këtë kohë konfliktesh. Këtë ma pohoi edhe një gazetar i Radio Vatikanit që e takova në Tiranë. Së fundmi u shpreh edhe vetë Papa, duke thënë se vjen në Shqipëri për vuajtjet e së kaluarës dhe harmoninë e bashkëjetesës fetare.
Atmosfera e krijuar të bën të mendosh se “i madh e i vogël”– siç thuhej në kohën e diktaturës– po përgatitet të presë Papën dhe të festojë bashkë me të edhe demagogjinë e radhës nga kasta jonë politike. Dhe problemi që lind është se për këtë duan të përdorin edhe Papa Françeskun, për të cilin një botë e tërë, ku bëj pjesë edhe unë, ka një respekt të veçantë. Pse e them këtë? Sepse nëse pranojmë se toleranca e bashkëjetesa në thelbin e tyre janë koncepte që tregojnë apo bëjnë thirrje për raporte njerëzore midis të ndryshmëve (toleranca veçanërisht midis më të fortit dhe më të dobëtit), fakti është se raporti i më të fortëve me më të dobëtit në Shqipërinë tonë ka qenë dhe mbetet ndër më tragjikët, me përçarje dhe konflikte të thella që, edhe pse nuk janë fetare për momentin, përmbajnë premisat për këto në të ardhmen.
Dikush ndoshta duhet t’i kujtojë Papës se regjimi i Enver Hoxhës ka qenë më intoleranti përsa i përket pranimit të atyre që mendonin e besonin ndryshe dhe po ashtu ndaj vetë feve, aq sa është i vetmi që i hoqi fetë me Kushtetutë.
Po ashtu, dikush duhet t’i tregojë Papës se një nga problemet më të mëdha që ka ky vend sot është pikërisht konfliktualiteti dhe intoleranca politike ku sapo një maxhorancë vjen në pushtet e injoron krejtësisht opozitën, çka ishte edhe problemi kryesor që vonoi pranimin e statusit të vendit kandidat.
Ka një paradoks pra këtu midis “vuajtjeve të së kaluarës” dhe “harmonisë fetare”: si është e mundur që nga një popull që “ndër shekuj ka aplikuar bashkëjetesën dhe tolerancën fetare” paskan dalë këta shqiptarët kaq intolerantë? Dikush duhet t’ia shpjegojë Papës këtë. Nëse do t’i referohemi historisë, do të thosha se sikur shqiptarët të kishin qenë kaq bashkëjetues e tolerantë, Vaso Pasha nuk do të kishte shkruar, në kapërcyell të shekujve XIX-XX, vargjet e famshme përbashkuese, por sipas meje edhe me pasoja për fatin e feve: “Mos vështroni kisha e xhamia/feja e shqiptarit është shqyptaria”. Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër, duke cituar historianen Nathalie Clayer, kjo ishte një thirrje për të ndryshuar gjendjen në terren, sepse ndarjet fetare ekzistonin mes shqiptarëve osmanë me fe të krishterë dhe myslimane dhe, në atë kohë të shpërbërjes së Perandorisë dhe lindjes së nacionalizmave, mund të ktheheshin në konflikte.
E vërteta historike është se ishin dy ideologji pushteti të shekujve XIX-XX: nacionalizmi që u ndërtua duke vënë shqiptarinë mbi besimet fetare e Zotin dhe komunizmi i Enver Hoxhës, që këtij nacionalizmi i shtoi edhe ateizmin, ato që kanë sjellë “harmoninë” fetare duke i bërë shqiptarët indiferentë ndaj feve, por jo për këtë edhe tolerantë ndaj njëri- tjetrit e të tjerëve. Përkundrazi, bash shtypja në emër të urrejtjeve nacionale e klasore i disa principeve morale universale si ato të dashurisë së njeriut për njeriun, të mëshirës e sakrificës për tjetrin, të faljes dhe pendesës, që kanë përçuar fetë në shekuj, i ka bërë edhe më të dhunshëm e intolerantë.
Pse po i vë në dukje këto të vërteta historike? Sepse, sikurse e thashë, mënyra se si po pritet Papa, të bën të mendosh se kasta e demagogëve që kemi tash njëzet vjet në pushtet, duke na e shitur nacionalizmin dhe ateizmin e trashëguar nga regjimit komunist si “tolerancë fetare e kultivuar në shekuj”, po kërkon të përdorë edhe Papën për të na ushqyer me gënjeshtra e vetëmburrje nacionaliste, çka, sipas meje, më së shumti i shërben pushtetit të kësaj kaste, dhe jo shqiptarëve në përgjithësi dhe besimtarëve të vërtetë në veçanti. E vërteta është se ne vazhdojmë të mbetemi tejet intolerantë dhe jobashkëjetues dhe se kampionët e kësaj intelorance e përçarjeje gjenden në radhët e kësaj kaste në pushtet që vetëm me vlerat e vërteta fetare nuk ka lidhje. Ajo po e pret Papën tek i njëjti shesh ku ky popull është mbledhur nga pushtetarët e vet historikisht për t’u manipuluar. Ky shesh, sikurse e dini, është lënë në ditë të hallit për dhjetëra vjet me radhë për njerëzit dhe u rregullua me ngut për këtë aparencë që kërkon të mbulojë edhe shumë të vërteta, ndër to edhe atë se fetë dhe klerikët e tyre nuk luajnë atë rol humanizues që duhet të luajnë në këtë shoqëri për shkak se vazhdojnë të mbeten nën hijen e kësaj kaste politike nacionaliste e të korruptuar që me pushtimin e turpshëm që i ka bërë hapësirës publike, i ka lënë thuajse jashtë ndikimi shpirtëror mbi njerëzit. E vërteta është se, për klerikët e pushkatuar, fotot e të cilëve Papa do t’i shohë të varura në bulevard, kjo kastë gjatë këtyre njëzet vjetëve s’ka bërë as sforcon më të vogël për t’iu gjetur eshtrat se ku ua ka kallur diktatura. Prandaj them se në këto kushte, Papa nuk do të pritet në sheshin “Nënë Tereza” siç ndodh në shumë vende të botës nga besimtarë të devotshëm të krishterë e simpatizantë të tjerë, por, më së shumti, me vetëmburrje nacionaliste njerëzish trushpëlarë si dhe si vetëmburrje për kastën që e solli në Tiranë për të legjitimuar vetveten. Me të njëjtën mënyrë siç sillen edhe me Nënë Terezën, së cilës i përdorin emrin e njohur për t’u vetëmburrur, por nuk i imitojnë aspak vetësakrifikimin për të tjerët që simbolizon ky emër.
I nderuar Kryeipeshkëv Rrok Mirdita,
Papa Françesku është i njohur dhe simpatizuar në botë si Papa që ka treguar sensibilitet të veçantë për botën e të varfërve dhe është pikërisht kjo që i ka krijuar popullaritet të jashtëzakonshëm. Edhe duke pasur parasysh këtë më duket shumë e rëndësishme që Papa këtu të vijë me dijeninë se po vjen në një vend të varfër që mban rekordin a analfabetëve funksionalë, prandaj dhe të injorancës në Europë. Dhe, sikurse është provuar tashmë, nga injoranca lind shumë shpejt edhe intoleranca dhe manipulimi e instrumentalizimi i njerëzve, veçanërisht instrumentalizimi i feve të tyre. Përbindëshat që shohim sot të vrasin barbarisht njerëz në emër të Zotit në ato vende ku ka pasur në dukje bashkëjetesë fetare midis sunitëve, shiitëve, të krishterëve, si Iraku për shembull, janë bij të politikave të gjata të gabuara kombëtare dhe ndërkombëtare që i kanë lënë njerëzit në varfëri dhe injorancë. Siç tregojnë edhe faktet e kohëve të fundit, Shqipëria nuk mund të shpëtojë nga rreziku potencial i këtyre fenomeneve vetëm me mitin e tolerancës e harmonisë fetare, ndërkohë që kasta që trumbeton këtë mit, jo rrallë edhe duke u vetëshpallur europianiste “me rrënjë kristiane” në një vend me popullsi më së shumti myslimane, krijon përditë varfëri, injorancë, përçarje, padrejtësi.
Unë gjykoj, i nderuar Kryeipeshkëv, se do të ishte në nderin tuaj e në shërbim të shqiptarëve t’ia bënit prezente Papës këto shqetësime që, ju siguroj se janë të shumë shqiptarëve besimtarë dhe jobesimtarë, katolikë dhe jokatolikë. Ai, pastaj, me mençurinë dhe thjeshtësinë e veçantë që e karakterizon, do ta gjejë vetë mënyrën që, brenda kornizave të vizitës së një burri shteti dhe kryebari i komunitetit katolik botëror, të përçojë një mesazh që më shumë të ndriçojë mendjet e zemrat e të varfërve e të paditurve të këtij vendi, sesa të legjitimojë pushtetarët që kanë krijuar këtë varfëri dhe padituri.
(Panorama)