• |
ide | kryesore

E vërteta e lajmit për arrestimin e Berishës

Arkiva, Ide
Robert-Goro-300x225.jpg



Janë të panumërta “lapsuset” dhe “gafat”, madje edhe të mediave serioze e që kanë lënë gjurmën e tyre të pashlyeshme në historinë e re të shtypit të lirë shqiptar. Një media e tillë është Gazeta “Shekulli”, në versionin online të së cilës kumtohet mbrëmjen e 17 shtatorit 2014, se “Po përgatitet arrestimi i Berishës”. Ja se si fillon lajmi i Shekullit: “Sipas medias greke “VORIA.gr” e cila citon burime nga Tirana zyrtare, qeveria e Edi Ramës po përgatit arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas saj, qeveria ka hartuar një plan që do të çojë në prerjen e një fletë-arresti ndaj Sali Berishës, duke u përqendruar tek akuzat për korrupsion e tradhti ndaj atdheut, lidhur me ngjarjen e 21 janarit, marrëveshjen e kufirit detar Shqipëri-Greqi, ngjarjen e 14 shtatorit 1998, korrupsionin me rrugën Durrës-Kukës dhe ngjarjen e Gërdecit” (http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=55911&kat=95).
Para Shekullit, ky lajm – me “garnitura edhe më pikante” -, ishte publikuar në disa sajte të tjera dhe postuar në Facebook (“Mediat greke: Athina sponsorizon 10 milionë euro qeverinë Rama për arrestimin e Berishës dhe nacionalistëve shqiptarë”).
Sigurisht, të mësojnë shqiptarët prej medias greke se po përgatitet arrestimi i Berishës dhe se Athina ofron edhe 10 milionë euro për këtë operacion, nuk është një lajm që kalon pa vëmendje e madje edhe pa indinjatë. (Ç’na qenkan këta grekë që po përzihen kaq harbutërisht në punët tona”, mund të ketë menduar edhe shqiptari më indiferent ndaj zhvillimeve në vend e më gjerë).

Mirëpo, si qëndron e vërteta? Ju lutem, lexoni me durim e me vëmendje:
Media që i referohet gazeta “Shekulli” (voria.gr), më 14 shtator, nën titullin “Plan për arrestimin e Berishës nga qeveria Rama”, e thotë që në krye se “sipas publikimeve të mediave shqiptare, qeveria shqiptare po përgatit arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha” (http://www.voria.gr/index.php?module=news&func=display&sid=193730&cat=10011.
Pra, është e qartë se sajti grek citon si burim të lajmit të vet mediat shqiptare. Dhe e bën këtë, sepse që më datën 10 shtator, sajti shqiptar Dosja.net, publikon nën okelion “Ekskluzive” lajmin: “Gati plani për arrestimin e Berishës dhe disa ish-ministrave. Deputetët juristë të PS po përgatisin dosjet” ( http://dosja.net/2014/09/ekskluzive-gati-plani-per-arrestimin-e-berishes-dhe-disa-ish-ministave-deputetet-jurist-te-ps-po-pergatisin-dosjet/).
Pra, ato blogje apo dhe media shqiptare që e servirën lajmin si të “importuar” nga media greke, në fakt, vetëm se kanë riprodhuar vetëveten në versionin – le të themi- greqisht.
Dhe, nëse ndokush mund të thotë se mediat greke kanë specifikuar edhe akuzat që do të përmbajë dosja (hipotetike) kundër Berishës, gjë që nuk e gjejmë në mediat shqiptare, edhe kjo e ka shpjegimin e vet. Akuzat që rendit Shekulli duke cituar “voria.gr”, janë publikuar po te Shekulli, dhjetë muaj më parë, më 9 dhjetor 2013. Madje edhe renditja dhe teksti i akuzave që publikohet tani te Shekulli (supozohet, sipas sajtit grek), janë pikë për pikë të njëjta me ato që botoheshin te Shekulli në dhjetor 2013, nën titullin “Nismë për arrestimin e Berishës”, një lajm që fillonte kështu: “Pas presionit në rritje të Brukselit për arrestimin e Sali Berishës dhe ministrave të tij të korruptuar, në rrjetet sociale ka nisur firmosja e një peticioni për dërgimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, para drejtësisë. Shqiptarët kanë nisur të firmosin pasivisht (me gjase kanë dashë me thënë “masivisht”) peticionin për arrestimin e Sali Berishës për pesë krimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike në historinë e pluralizmit shqiptar. Peticioni pritet të firmoset nga 1 milion shqiptarë, i cili do të përdoret si mjet presioni për të vënë në lëvizje prokurorinë dhe gjykatat, për arrestimin e Berishës, i cili konsiderohet si koka e korrupsionit në Shqipëri”. (http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=36310&kat=87).

*(Botuar në gazetën “Tribuna”, Greqi)