• |
ide | kryesore

Duke kërkuar Ramën e pamundur (pas deklaratës së sotme)

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Reagimi i kryeministrit, lidhur me marrjen të pandehur të dy deputetëve “të fortë” të partisë së tij, është i denjë për të zënë vendet e para, në një antologji të deklaratave ambigue të politikanëve. Sepse më mirë se kushdo, ai shpreh një dyzim. Atë të Edi Ramës si do të donte të ishte në sytë e publikut nga njëra anë dhe atë të një shefi partie të cilit i duhet, që kohë pas kohe, të kapërdijë çorbën që ka gatuar vetë.

Në reagimin e kësaj të mërkure shiheshin dy gjëra njëkohësisht, edhe kujdesi për të mos u dukur sikur sulmonte prokurorinë edhe shqetësimi se mos i mërziteshin dy “të fortët” e partisë së tij. Le ti marrim me radhë argumentat që sjell Rama (Të plotë në rubrikën Lajme te www.lapsi.al), për ta parë më mirë këtë dyzim, të cilit ai nuk po i shpëton dot.

Në fillim ai është brilant në argumentat që sjell, aq sa duket sikur teksti është marrë me “copy paste” nga deklarata e ndonjë lideri perendimor. “…ne, shumica qeverisëse, nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj apo të përdorim policinë, siç kanë bërë paraardhësit tanë”.  Aluzioni është i qartë: në kohën e Edi Ramës nuk veprohet  si në ditët e Berishës pas 21 janarit, kur serverat e kryeministrisë shkatërroheshin, ku gëzhojat zhdukeshin nga vendi i krimit, ku mandat arrestet nuk ekzekutoheshin, sepse nga kryeministria që e trajtonte si një kullë qëndrese, kryeministri i vendit, kishte zbuluar ekzistencën e një grushti shteti. E pra, Edi Rama do të distancohet dukshëm nga kjo trashigimi. Ai kërkon të na tregojë se, që pas 23 qershorit gjërat kanë ndryshuar: “…I siguroj të gjithë se ky do të jetë qëndrimi ynë në çdo rast që organi i akuzës do të ngrejë pandehma të kompetencës së vet ligjore, ndaj kujtdo që përfaqëson koalicionin tonë në qeveri, parlament apo pushtetin vendor. Prokurorinë në këtë vend e kanë penguar prej shumë vitesh shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e kurajos dhe integritetit të shumëkujt brenda saj. Por, prej një viti i është hequr një pengesë e lartë: Qeveria”!

Ja pra, kjo është gjuha që do të donte të dëgjonte gjithkush. Ajo e një lideri që i ka vënë digë të shkuarës dhe që nuk do të përsërisë sërish, pjesët më të errta të historisë sonë. Këtë imazh ka dashur të theksojë edhe vetë Edi Rama. Duke folur kështu, ai e di mirë se bëhet simpatik, se ngjall besim, se i afrohet shumë imazhit që ka të projektuar në kokë për veten e tij.

Por, nga ana tjetër, brenda së njëjtës deklaratë, gëlojnë edhe aluzione që shkojnë krejt në sensin e kudërt të kësaj fryme perendimore. Sepse kryeministri edhe thotë se ka vdekur koha kur qeveria ndërhynte në punët e prokurorisë, edhe nuk rri dot pa bërë të njëtën gjë.  Ai e cilëson si të “paparë” këtë masë të prokurorisë, sepse në parlamentin shqiptar janë thyer dhëmbë e janë zbrazur armë dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Madje ai ka edhe një qëndrim më flagrant, kur e quan grushtimin e deputetëve të tij të fortë: “thjeshtë një skuqe të pjesëve lakuriqe të kokës”?

E pra, pyetjet që shtrohen janë: pse nga njëra anë kryeministri shpall epokën e mosndërhyrjes së qeverisë tek prokuroria, dhe nga ana tjetër e quan asimetrike nismën e saj? Pse nga njëra anë ai do të veshë kostumin e një lideri perendimor dhe nga ana tjetër, as nuk ka guximin të denojë një gjest të neveritshëm të deputetëve të tij?  

Pikërisht tek përgjigjet e këtyre pyetjeve duket qartë ambiguiteti i reagimit të sotëm të Ramës. Sepse në thelb ai e di si duhet të jetë dhe të sillet. Ai e di se si është i pranueshëm dhe popullor. Por, në raste si këto, ai nuk e luan dot të plotë këtë rol. Komplekset e së shkuarës, njerzit më të cilët ka bërë kompromise, detyrimet që ka dhe borxhet e pashlyera e mbajnë atë peng të imazhit që do të krijojë. Sado që përpiqet t’i afrohet, ai nuk arrin të njësohet me të. Dhe kjo është fatkeqësia e tij. Por ky është njëkohësisht edhe konfirmimi i kritikëve të tij. I atyre që e fshikullojnë sepse i kërkojnë të jetë, ashtu si ai nuk bëhet dot kurrë.   (www.lapsi.al)