• |
ide | kryesore

A ka nevojë shoqëria për përulësinë e milionerëve?

Arkiva, Ide
paul-rugman-oped_3917.jpg



 

Liberalët flasin për rrethanat; konservatorët flasin për karakterin.Kjo ndarje intelektuale është më e dukshme kur tema është vazhdimësia e varfërisë në një komb të pasur. Liberalët fokusohen tek stanjacioni i pagave reale dhe zhdukja e vendeve të punës që sjellin të ardhura për klasën e mesme. Ndërsa për konservatorët, gjithçka lidhet me mungesën e përpjekjeve të mjaftueshme. Kryetari i Kongresit, John Boehner thotë se njerëzit kanë krijuar idenë që “nuk ka përse punojnë”. Mitt Romney qorton amerikanët me të ardhura më pak se mesatarja, se nuk janë të gatshëm “të marrin përgjegjësi personale”. Edhe pse deklaron që në të vërtetë kujdeset për të varfërit, kongresmeni Paul Ryan fajëson për varfërinë e vazhdueshme, mungesën e “zakoneve produktivë”.

Por le të themi të drejtën: disa konservatorë janë të gatshëm të censurojnë edhe të pasurit. Ajo që dominon mes shkrimeve më të fundit të konservatorëve është tema se elita amerikane gjithashtu ka dështuar në këtë drejtim, se ajo e ka humbur seriozitetin dhe vetëpërmbajtjen e një epoke të mëparshme. Peggy Noonan shkruan për “elitat tona dekadente”, që thonë duke u tallur se si nxjerrin fitime në dëm të njerëzve të vegjël. Charles Murray, libri i të cilit “Coming Apart” flet kryesisht për kalbjen e vlerave mes klasës punëtore të bardhë, denoncon gjithashtu “pandershmërinë” e shumë të pasurve, me stilin e tyre luksoz të jetesës dhe shtëpitë gjigande.

Po a ka patur një shpërthim të salltaneteve të elitës? Dhe nëse ka patur, a reflekton një rënie morale, apo një ndryshim të rrethanave?

Sapo kam rilexuar një artikull të spikatur me titull “Si jetojnë drejtuesit e lartë”, i cili është botuar fillimisht në revistën Fortune në vitin 1955, dhe është riprintuar disa vite më parë. Eshtë një portret i elitës së biznesit të Amerikës dy breza më parë, dhe aty kupton që jetët e një elite të një brezi të mëparshëm ishin vërtetë shumë më të përmbajtura, më “të ndershme” po të doni, se sa ato të Zotërve të sotëm të Universit.

“Shtëpia e një drejtuesi biznesi sot”, na thotë artikulli, “me shumë gjasë është e thjeshtë dhe relativisht e vogël – ndoshta shtatë dhoma, dhe dy banja e gjysmë”. Drejtuesi i lartë i një biznesi ka dy makina “dhe i mjaftojnë dy shërbyes”. Jeta është e përmbajtur, edhe në të tjerë drejtime: “Marrëdhëniet jashtëmartesore në majën e botës së biznesit në Amerikë nuk janë aq të rëndësishme sa për t’u diskutuar”. Në fakt, jam i sigurtë që ka patur shumë gili-vili, por njerëzit nuk kapardiseshin. Elita e vitit 1955, të paktën pretendonte të krijonte një shembull të mirë të sjelljes së përgjegjshme.

Por, përpara se të ankoheni për rënien në standarte, duhet të dini diçka: kur lartësonte elitën “esëll” të biznesit në Amerikë, Fortune e përshkruante këtë si diçka të re. Ajo bënte një kontrast mes shtëpive modeste dhe motoskafëve të 1955-ës, me shtëpitë dhe jahtet e një brezi të mëparshëm. Po përse, elita e 1955-ës, kishte hequr dorë prej salltaneteve të të kaluarës? Sepse nuk mund ta përballonte më atë lloj jetese. Jahti i madh, na thotë Fortune, “ishte mbytur në detin e taksimit progresiv”.

Por që atëherë, ai det është tërhequr. Jahtet gjigandë dhe shtëpitë e mëdha janë rikthyer. Në fakt, në disa vende, disa prej “shtëpive me përmasa të tepruara” që Fortune i përshkruante si relike, janë rikthyer me përmasa edhe më të mëdha.

Dhe nuk është mister ai që ndodhi me ditët e bukura të vetëpërmbajtjes së elitave. Thjeshtë, ndiq paranë. Pabarazia ekstreme në të ardhura dhe taksat e ulëta janë rikthyer. Për shembull, në vitin 1955, 400 amerikanët që fitonin më shumë paguanin më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre në taksa federale, ndërsa këto kohë, kjo shifër është më pak se një e pesta. Dhe rikthimi i taksimit të ulët për pasuritë e mëdha ka rikthyer, pashmangshmërisht, Epokën e Artë të salltaneteve.

A ka ndonjë shans që, këshillat morale, thirrjet për të vendosur shembuj më të mirë, mund të nxisë të pasurit që të pushojnë së dukuri kaq shumë? Jo.

Nuk është puna vetëm që njerëzit që munden të jetojnë në mënyrë të kushtueshme, kanë prirjen ta bëjnë këtë. Si na ka thënë Thorstein Veblen shumë kohë më parë, në një shoqëri shumë të pabarabartë të pasurit ndihen të detyruar të përfshihen në “konsumin e dukjes”, duke shpenzuar në mënyra shumë të dukshme për të demonstruar pasurinë e tyre. Dhe shkenca sociale moderne konfirmon këto mendime të tijat. Për shembull, studiuesit në Federal Reserve (banka qendrore e SHBA) kanë treguar se njerëzit që jetojnë në lagje me pabarazi të madhe janë më të prirur të blejnë makina luksoze, se sa ata që jetojnë në vendbanime më homogjenë. Eshtë e qartë që, pabarazia e lartë sjell një nevojë për të shpenzuar para në mënyra të tilla që sinjalizojnë status.

Puna është që, ndërkohë që qortimi i të pasurve për vulgaritetin e tyre mund të mos jetë aq fyes sa këshillimi i të varfërve për dështimnet e tyre moralë, ai është gjithësesi i kotë. Kështu si është natyra njerëzore, do të ishte marrëzi që të presim përulësi, nga një elitë shumë e privilegjuar. Kështu që, nëse mendoni se shoqëria ka nevojë për më shumë përulësi, duhet të mbështesni politika që do të reduktonin privilegjet e elitës.

*Autori është Nobelist editorialist i New York Times