• |
ide | kryesore

Kur Basha kërkon falje me ngërç

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Më në fund, një vit pas humbjes dërrmuese në zgjedhjet e 23 Qershorit, Lulzim Basha u  ka kërkuar ndjesë nëpërdhëmbë demokratëve dhe qytetarëve të vendit për atë që nuk shkoi mirë gjatë qeverisjes 8-vjeçare të PD-së.

Por, pavarësisht tonit solemn dhe përuljes për të cilën zotohet, kreu i demokratëve nuk është ngritur dot në lartësinë e atij që ka vendosur të kërkojë falje. Analiza për humbjen përshkohet më tepër nga meraku për të mos prekur trashëgiminë e Berishës, sesa nga shqetësimi për t’u bërë i besueshëm për publikun e gjerë.

Le t’i marrim një nga një, argumentat që sjell Basha, në fjalën e tij në konventë.

Në fillim, sa për të larë gojën, ai deklaron se do të qe e dëmshme për PD-në, ta mbështeste analizën e saj për humbjen, vetëm në shkaqet e jashtme. Por, si për paradoks, ai vë në krye të arsyeve pikërisht këto shkaqe: “Mijëra qytetarë, që janë joshur e mashtruar nga premtimet e legalizimeve falas, të shërbimit shëndetësor falas, të listës së gjatë të lehtësimeve për njerëzit në nevojë, e tjera e tjera, sot ndihen të gënjyer. Manipulimi i zgjedhësve, shit-blerja masive e votës dhe efektet e krizës globale, ndikuan në rezultatin zgjedhor “ (flala e plotë në rubrikën lajme www.lapsi.al).

Duke kaluar më pas tek përgjegjësitë e forcës së vet politike, në krye të listës, ai rendit distancën me qytetarin dhe me antarësinë e partisë. Në Shqipëri vërtet nuk ka sondazhe të besueshme opinioni, por çdo mendje e shëndoshë do ta kishte vështirë ta besonte këtë si një nga arsyet kryesore të disfatës së PD-së. Kjo ngjan me llogjikën e një aparatçiku burokrat, që shqetësohet më shumë për proçedura, sesa me vizionin e një lideri që merakoset për komunikim të hapur e të sinqertë me publikun.

Por edhe këtë mëkat që e pranon me gjysmë zëri, Basha ia vesh "drejtorëve e zyrtarëve lokalë", që në fund të mandatit arritën të jetonin “në një botë paralele me qytetarët, deri në moskuptim te tyre”. Pra edhe këtu, “autokritika” e Bashës nuk ka forcë të ngjitet më lart. 

Po në të njëjtin nivel fajsimi ai qëndron edhe kur flet për moszbatueshmërinë e ligjit. Ai thotë: “Sundimi i ligjit çaloi në disa sektorë të rendësishëm të jetës publike sidomos nga fundi i mandatit të dytë. Kthimi i pronave nuk ruajti ritmet e parashikuara, legalizimet gjithashtu. Rastet e mitmarrjes, abuzimeve dhe korrupsionit që sipas demokratëve erdhën duke u shtuar me kalimin e  kohës,  kompromentuan besueshmërinë e premtimeve tona në sytë e publikut”.

Si argument të fundit, Basha rreshton arrogancën dhe shpërfilljen që u tregua ndaj biznesit të prekur nga kriza botërore.

Dhe këtu ai u vë pikë shkaqeve që sipas tij shpunë në humbjen e PD-së një vit e ca më parë. Këto ai i quan argumentat e nevojshëm që e bëjnë të kërkojë falje me përulje.

Por a janë këto shkaqet e vërteta të humbjes? Natyrisht që jo. Ndoshta ato janë pjesa më e parëndësishme e saj. Sepse në 23 Qershor, shqiptarët nuk u gënjyen (me përjashtim të ndonjë idioti të dobishëm që besoi tek Rilindja) nga premtimet e opozitës. Më 23 qershor ata dënuan me votë dhe në mënyrë plebishitare, Sali Berishën dhe modelin e tij. Ata nuk u zëmruan me “drejtorët dhe drejtuesit lokalë” që ishin vetëm kopja e zbehtë të një peshku që qelbej në kokë. Ata dënuan dhe i dhanë dërrmën një modeli dhe një lideri.

Ata ndëshkuan një politikan që u krekosej çdo mbrëmje në TV, se do të qëndronte edhe tre dekada në pushtet. Ata ndëshkuan një butafori, që kur njerëzit varfëroheshin përditë, u bënte karshillëk duke u thënë se jemi po aq mirë sa Gjermania. Ata ndëshkuan një pushtet klientelist që e shndërroi biznesin në vasal të “vajzës dhe të djalit”. Ata ndëshkuan një model që vriste në mes të ditës për të ruajtur pushtetin dhe thoshte se kjo kish ndodhur nga thikat dhe çadrat me helm të opozitës. Ata ndëshkuan një hipokrizi që ua dha privatizimet më të mëdha në vend sharlatanëve që i kish denoncuar më parë.

Ata ndëshkuan një mënyrë komunikimi që e shndërroi mashtrimin në stil jetese dhe që fshikullonte barabarisht çdo zë kritik në këtë vend. Ata ndëshkuan një mentalitet prej të ngujuari në kullë, që i hapte luftë prokurorëve dhe presidentëve, gazetarëve dhe intelektualëve të pavarur, federatës së futbollit dhe ambasadorit të ShBA-së.

Ky pra qe modeli i ndëshkuar në 23 Qershor. Por ai nuk gjendet kërkund në ndjesën e përunjur të Bashës. Ai ka zgjedhur të rendisë elementët më të parëndësishëm në “autokritikën” e tij në kuvendin kombetar.

Arsyet sepse Lulzim Basha e ka të pamundur të shkojë përtej, tani nuk ka shqiptar që nuk i di. Në to është e kotë të zgjatesh. Por, problemi më shumë se tek zbërthimi i kësaj mundësie, është tek raporti që lideri i PD-së po vendos mes të shkuarës dhe të ardhmes. Sepse në përmbyllje të këtij proçesi një vjeçar, Basha u kujdes më shumë për të amnistuar të kaluarën, sesa për të ndërtuar të nesërmen. Dhe ky është problemi i tij real.

Pamundësia e tij për të bërë katharsis, po e dëmton opozitarizmin. Dhe jo vetëm në këndvështrimin moral. Mënyra se si ai sheh të shkuarën ka të bëjë para së gjithash me një strategji të mirfilltë politike. Sa më i thellë të jetë kërkimi i përgjegjësive të së djeshmes, aq më e besueshme do të bëhet opozita e sotme.

Në kuvendin e tij të parë Lulzim Basha e humbi këtë shans. Dhe ky nuk është vetëm problem i tij. As i fatit të tij personal. Historia në Shqipëri, ka treguar se vjen një ditë dhe mazhorancat abuzojnë aq shumë sa shemben vetë. E në këtë kuptim, dita do t’i vijë edhe Bashës ta rikthejë PD-në në pushtet. Por, zotësia e një lideri dhe një force politike që do t’i shërbejë, përveç vetes, edhe vendit është që ta bëjë këtë sa më shpejt. Me paaftësinë e tij për t’u përballur me të shkuarën, Lulzim Basha na tregoi edhe njëherë, këtë të shtunë, se e ka ndarë mendjen për opozitë të gjatë. (www.lapsi.al)