• |
ide | kryesore

Për ata që e duan atdheun dhe ata që e duan zotin

Arkiva, Ide
arben idrizi.jpg



Qysh prej 8 qershorit, ka një mori pyetjesh të cilave s’arrij t’iu jap një përgjigje të qenë.
Si u bë që dikush që e kishte shkatërruar vendin për 7 vite, si PDK, i fitoi prapë zgjedhjet? Si u bë që partitë rivale nuk arritën asnjëra prej tyre, e sidomos LDK që ka pothuajse elektoratin e njëjtë në numër, ta kalojnë PDK-në? Si u bë që PDK ua ofroi keqqeverisjen e atyre viteve si avantazh të padiskutueshëm për të fituar dhe ato s’ia dolën mbanë assesi ta përdorin, as për së afërmi, këtë dhuratë në të mirë të vetes?
Këto janë vetëm njëra anë e pyetjeve.
Ana tjetër i “sulmon” vetëm humbësit.
Pse nuk i dëgjuam asnjëherë të vetme, këta humbës, ta pranojnë humbjen? Pse – e ky mund të jetë një moralizim edhe qesharak – nuk i dëgjuam asnjëherë t’i kërkojnë falje votusit të vet për këtë humbje në kohë fitoreje?
Dhe – e kjo sigurisht as që iu shkon ndërmend – nuk u treguan të paktën parimisht, ose të shtiren se gjoja janë, të sinqertë dhe t’ia urojnë fitoren asaj partie që për shtatë vite qeverisjeje e ka shkatërruar vendin (pa mohuar se megjithatë edhe ka ndërtuar diçka)?
Do të ishte thjesht një gjest demokratik. Të tjerat, ato që i kanë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëjnë, do t’i bënim prapë.
***
Siç e kam thënë prore, mendimi im është se, parimisht, ky vend nuk do të duhej të udhëhiqej nga asnjëra palë, as nga ky fitues e assesi nga këta humbës. Të paktën jo me këtë strukturë udhëheqësish.
***
Siç kanë plotësisht të drejtë kundërshtarët e PDK-së, PDK do të duhej të shkonte (ata në të vërtetë thonë “duhet të shkojë tash dhe patjetër”), edhe për shkak të ‘kapjes së shtetit’. Termi nuk është krejt i saktë, por sigurisht ka një të vërtetë. Qysh në nismë të qeverisjes së PDK-së, ndoshta krejt rastësisht, por jo pa vetëdije, pata shkruar se PDK është shtrirë edhe në birat e gjirizeve. Ishte një lloj metafore për të thënë se s’ka lënë gjë pa vënë nën kontroll. E megjithatë, ndoshta edhe falë pranisë ndërkombëtare dhe ndërhyrjes së BE-së, vendi ynë nuk është një dikaturë klasike, së cilës do t’i shkonte saktësisht termi ‘kapje e shtetit’.
***
Tani, shqetësimi im është: si vallë këta që po e akuzojnë fituesin e zgjedhjeve se e ka kapur shtetin, po duan ta kapin shtetin duke qenë humbës demokratikë të zgjedhjeve?
A nuk është paradoksale dhe banditeske kjo?
***
Dikush mund të thotë:
Nëse duhet të udhëheqin kriminelët, vrasëst, të korruptarit, atëherë le të udhëheqin kriminelët, vrasësit, të korruptuarit që i kanë fituar zgjedhjet, e jo kriminelët, vrasësit, të korruptuarit që i kanë humbur ato. Është më demokratike, por assesi jo më njerëzore e morale – të kuptohemi.
***
Meqë gjërat janë si janë, ndoshta edhe nuk duhet shqetësuar aq. Ndonjëri prej kapësve të shtetit do të qeverisë gjithsesi, ose të gjithë kapësit e shtetit bashkë (se ka mundësi që edhe ta ndajnë pushtetin, në pamundësi ta kapë njëri dhe i vetëm). Ngase nuk ka kush tjetër të qeverisë. Dhe ata e dinë këtë. Mund të vonohen sa të duan të krijojnë qeverinë. Mund të provojnë lloj-lloj koaliconesh. Në fund do t’ia gjejnë fillin. Dhe do të jenë aty, në kapjen e shtetit, siç e quajnë vetë.
***
Për mua, tani, rreziku kryesor është ai që vjen nga ekstremizmi fetar islamik. Sigurisht, ai do të rritet dhe forcohet sa më shumë që kapësit e shtetit të shtyhen mes vete se cili ka të drejtë ta kapë shtetin.
Me vite kemi vuajtur të çlirohemi, e ende s’ia kemi dalë mbanë, nga kafshët që e duan atdheun. Tash po hyjmë, pa të keqen tonë, në epokën e kafshëve që e duan zotin.
Po s’i ramë në të, s’do të ketë zot as dreq të na shpëtojë.
***
Shikojini… politikanët…: – thoshte Demosteni në Fjalimin e tij të tretë – prej leckamanë janë bërë pasanikë, dje s’i njihte askush sot i njohin të gjithë; disa prej tyre bile i kanë ndërtuar vetes shtëpi më luksoze se ngrehinat publike. Sa më keq që shkojnë punët për qytetin, aq më shumë majmen ata.
Tregim i moçëm!
***
Tamam, sa më keq që shkojnë punët për shtetin, aq më shumë përfitojnë ata. Sa më shumë që shkatërrohet shteti, aq më shumë ndërtojnë për veten ata.
A nuk ia kanë shtëpitë e tyre Hashim Thaçi e Isa Mustafa e Ramush Haradinaj e Jakup Krasniqi e ai i dashuri i avokatëve Fatmir Limaj më luksoze se sa ngrehinat tona publike?
Sigurisht se i kanë.
Sigurisht se pasuria e tyre e krijuar duke vjedhur shtetin është më e madhe se edhe vetë buxheti i shtetit!
Prandaj, pse të mos duan ta kapin shtetin?
Shteti është burim i sigurt dhe i pashtershëm pasuri(mi)e.
***
Dmth sot ende po përpëlitemi nën zgjedhën e kafshëve që e duan atdheun dhe shtetin. Nesër do të digjemi, po nuk e parandaluam, në turrën e druve të kafshëve që e duan zotin dhe shtetin. E s’di a do të kemi guxim, kohë e letër për t’i thënë për Naim Tërnavën, Shefqet Krasniqin, Fuad Ramiqin e Lavdrim Muhaxherin këto që po i themi për Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, e të tjerët.
Lëre më që do të ketë mjaft të atillë që do t’i duan, mbrojnë dhe përkrahin komandantët dhe heronjtë e zotit po ashtu siç i duan, mbrojnë dhe përkrahin komandantët dhe heronjtë e atdheut – pra: vrasësit, plaçkitësit, torturuesit, shkatërruesit e vendit.
(gazetaexprees.com)