• |
ide | kryesore

Ministri që i trajton kosovarët si bagëti (Edit dhe Ilirit letër e hapur nga Prishtina)

Arkiva, Ide
BatonHaxhiu.jpg



Të dashur miq,
 
Ditëve të fundit sërish u bë ndalimi rigoroz i hyrjes së mallrave të Kosovës në Shqipëri. Mielli kosovar nuk i paska proteinat e nevojshme që i nevojiten shëndetit të citizenit fierak, i cili paska vendosur ta hajë bukën dhe piten vetëm sipas standardeve evropiane. «Mielli kosovar paska kualitetin e krundeve që u jepen bagëtive», kështu kumtuan mediat të nxjerr nga goja e Ministrit Panariti, me një arrogancë të ulët zbulimi ku kosovarët hanë si bagëtitë dhe shtetasi shqiptar paska vendosur të mos ushqehet më me krunde siç ka bërë deri tani i shtyrë nga emocionet atdhetare, patriotike, idealiste. I njëjti bllokim ushtrohet edhe ndaj patateve, artikujve mjekësorë që nisen nga qytetet kosovare drejt Shqipërisë. 
Dikur vuanim për Shqipërinë se nuk hynim dot në të. Ashtu ishin regjimet. Sot vuajmë nga Shqipëria se na pengon të hyjmë kështu siç jemi – si importues, autorë, biznesmenë, mjekë, sportistë të barabartë, që jo rastësisht flasin të njëjtën gjuhë, kanë të njëjtën histori dhe kulturë me vendorët.
Kam të shkruar një libër për ish-Jugosllavinë, dhe aty kam lexuar me mijëra faqe për raportet tregtare të shtetit të Enver Hoxhës dhe ish-Jugosllavisë, kur Kosova ishte brenda saj. Dhe, marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit, hiq hipokrizinë patriotike të shoqëruar me retorikë të tashme, dhe të vazhdueshme nga e kaluara, ishin më të sinqerta se sa që tash janë ndërmjet dy qeverive ku udhëheqës janë shqiptarë.
 
Pse është kështu?
E nisa kështu këtë letër pasi lexova deklarimin e Ministrit të Bujqësisë, Z. Panariti. Nuk ishte këndshme, as etike  dhe as e dinjitetshme të lexoje diçka e thënë nga një Ministër i qeverisë Rama. Deklarata e tij publike se “ Shqipëria nuk do të lejoi që qytetarët të ushqehen me miell që ka cilësi për kafshë, dhe ai miell me kësi standarde të dyshuara vjen nga Kosova, përkufizon kultin e përçmimit që kanë disa “elitar” karshi Kosovës!!!
Kështu, krejt ngjashëm, ka qenë në kohën e Minsitrit Ruli në qeverinë e Berishës!
Kjo gjuhë që mban thelbin e përçmimit thuhej në sezonin e Patateve, pastaj qumështit, afera e çimentos, miellit, domateve dhe të atyre pak gjërave që eksportohen në Shqipëri.
E kuptoj një zyrtar të lartë kur dëshiron të mbrojë biznese vendore. Natyrisht, që është e drejtë e tij të jetë i lobuar dhe i ndikuar nga njerëzit që përfaqësojnë biznese shqiptare. Edhe të jetë i korruptuar. Por gjuha e përdorur, duhet të jetë e kujdesshme sepse vret shumë.
Të jesh fyes në deklarim dhe i pakujdesshëm iu takon vetëm atyre që nuk çajnë kryet për pasojat e një deklarate. Ose nuk respektojnë palën që ofendojnë. Në këtë rast 2 milion shqiptarë të Kosovës. Pse?
 
Për çka u morët vesh në Prizren?
Sot, është bërë e zakonshme që termi bashkim, vëlla, vëllazëri, jemi një, etj të jetë ekuivalent për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Kështu e kanë thënë patriotët e takimit të Prizerenit. Kështu e pat thënë edhe Berisha për shtetësinë edhe Rama në Prizren për një treg të përbashkët, edhe Thaçi që besonte symbyllazi pa bërë asnjë pyetje të vetme për pengesat dhe paragjykimet që prej kohësh ishin prezente. Vetëm Mimoza Kusari kishte guximin t’i thoshte publikisht gjërat. Bile në një rast bllokadën e kishte quajtur primitive .
E pyeta Mimoza Kusarin për kohën sa ka qenë në krye të Ministrisë si kanë qenë raportet e tregtisë. Si nëpër dhëmbë ma tha se disa veprime të disa ministrive për bllokada kanë qenë jashtë normave etike. Edhe pse Shqipëria ka një përparësi të jashtëzakonshme të shkëmbimeve tregtare. Kosova për dhjetë vite ka një minus prej 800 milionësh në shkëmbim tregtar. Të dy qeverive patriotike,në Kosovë dhe Shqipëri, iu themi thelbin e kujtesës për patriotizmin e shprehur në Prizren. Për ne, shqiptarët, dalja në skenë dhe premtimi se “jemi një” nuk është thjeshtë një sistem besimi dhe kulti, ajo mënyrë e deklarimit është vet jeta politike në tërësinë e saj dhe normat e parashtruara kanë një moment krenarie dhe patriotizmi. As një vit nuk kaloi dhe ky “kult”takimi nuk është më as besim dhe as politikë. Aq më pak patriotizëm.
Vërtet janë standardet përcaktuese të BE-së mbi kualitetin e mallrave ato që e bëjnë tregtinë shqiptare refuzuese ndaj prodhimeve që pjell toka dhe dora kosovare? Ndoshta, mirëpo bllokimet, pengesat janë vite më të vjetra se zgjimi para do ditësh i ministrisë shqiptare për të diktuar vendimin tash e tutje të hahet veç «evropiançe». Dhe për më shumë të njëjtat sanksione nuk vlejnë për miellin serb, malazez apo atë maqedonas që sipas ekspertëve kanë të njëjtin kualitet ose janë më të dobët. Përkundrazi këmbimi, tregtia me fqinjët (tjerë) është thelluar aq shumë deri në humanizim të tij.
 
Çfarë marrëveshje nënshkruat në Prizren?
Miq të mi, nuk besoj se problemi është vetëm i natyrës sipërfaqësore, «tregtare» dhe i standardeve evropiane të kualitetit që saora pamundësojnë bashkëpunimin, ai më duket më i thellë. Shumë më i thellë. Ka vite që në Prishtinë diskutohet e debatohet rreth psesë të padepërtueshmërisë së autorëve, artistëve kosovarë në Shtëpitë Botuese, Galeritë dhe Mediat e Tiranës, Vlorës, Shkodrës. Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për autorë klasikë, të përkthyer, për prozatorë e poetë të së tashmes që promovojnë gjithandej botës; për fotografë e piktorë me çmime qendrave evropiane e që në Shqipëri as janë  dëgjuar ndonjëherë. Janë edhe këta të atij pseudokualiteti krundesh që nuk i ha dot tregu aristokrat i «mëmëdheut»? Autorë kosovarë që shkruajnë mediave të botës, media që citohen e stërcitohen agjencive si reuters, afp e të llojit trajtohen nga homologet e tyre të Tironës si  «mish për ndërsim të injorancës së organizuar komentuese», e cila fyen gjuhën, stilin, temën dhe personalitetin e «kosovarit të pagdhendur», sepse nuk u lexuaka dot pa ato «hëmo-të, ore-të, goxha-të dhe diçiturat» simpatike që qenkan gjuha shqipe e majave.
Është ky modeli i bashkëpunimit kulturor dhe tregtar që e vendosët në Prizren? Apo më shumë ai i ndonjë ministri/je që artikujt e autorëve kosovarë mbi Shqipërinë i konsideron «përzierje në punët e brendshme të vendit» e ato serbe, italiane, franceze, britaneze, kineze «njohje të situatës në vend»?
Miq të dashur, për herë të parë slogani i Klan Kosovës «Jemi një» mu duk aq i zbrazët, aq i pakumptimtë, aq qesharak. Po, ne idealistët, ne kosovarët duam të jemi një. Ju ndërsa silleni sikur mos të donit të jemi as dy. Megjithatë as hiç nuk jemi. Jemi fqinj nëse nuk doni të jemi tjetër. Personalisht, këtë diskriminim që vërehet gjithandej, po ta vëreja se ndodhë ndaj ndonjë fqinji tjetër do të kisha reaguar njëjtë. Ky bashkëpunim njëkahesh, joreciprok – kur kihet parasysh se shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk i bëjnë refuzimet dhe dallimet ndaj mallrave, autorëve, ofertave turistike, përkundrazi ata natyrshëm kanë portën e parë «mëmëdheun» e tyre – ka filluar të ndajë edhe më shumë se sa që na ndanë dikur ideologjitë dhe epokat e rënda tonat. Nuk mund të kërkosh nga Kosova që të të hap krahë, dyer e miq e ju të silleni si ata utilitarët egoistë që vetëm marrin e nuk duan ta japin as minimalen që u takon tjerëve.
E di që shumë miqve të mi në Tiranë u ka hy frika të mos jenë më Qendra e kulturës, elitave dhe punëve të kombit. Nuk e kuptoj këtë gjendje fare. Ashtu siç kanë konstatuar edhe studiues të ndryshëm neutralë shqiptarë Tirana kur nuk ka qenë qendër e kulturës shqiptare. Përkundrazi po të ishte këto shtatë dekadat e fundit do të kishim mbetur edhe ca shekuj më pas se sa që jemi. Po e njëjta qendër do të shërbejë si fabrika intelektuale, politike e gjithë shqiptarëve gjithandej globit, përtej kufijve të Shqipërisë Socialiste. Sot ka filluar edhe historiografie evropiane të pranojë se që nga viti 68 e këndej bashkë me Pragën dhe Budapestin përbënin aortat e rezistencës kundër mohimit të të drejtave, ekonomisë së tregut dhe dinjitetit të njeriut. Ndoshta edhe këto ndikuan shumë që shteti i sotëm i Kosovës të jetë edhe prodhim dhe pikë nevralgjike e politikës globale të paqes.
Për çfarë qendre e kemi fjalën? Në diplomaci? Jo. Në sport? Jo. Me miliarderë botës? Jo. Me arte e kulturë botës? Jo. Me media që citohen gjithandej? Jo. Për çfarë qendrash flasim.
Aktualisht shqiptarët kemi shumë qendra që përbëjnë një periferi dhe me forca intelektuale të derdhura më shumë jashtë se brenda. Sepse edhe ata që me shumë dëshirë do të rrinin brenda i neverisim që të ikin jashtë. S’ka qendër elitash shqiptare, as debati, as diskursi. Dhe nëse po, atëherë Prishtina është qindra herë më dinamike në këtë drejtim se tjerat qytete rurale shqiptare.
Pra është një frikë koti. Një paranojë që pa lidhje. Në asnjë drejtim përveç detit që ia ka falur Zoti Shqipëria s’ka pse të duket më superiore se pjesët tjera. S’ka asnjë arsye të sillet refuzuese, sepse humb, mbetet edhe më pas se sa që është.
Kosova është shtet. Shqipëria është shtet. Të dyja kanë të drejtë të kenë politikat e tyre kulturore, ekonomike të pavarura. Secila për vete mund të zgjedh modelin e bashkëpunimit dhe intensitetin e marrëdhënieve me shtetet e veçanta përreth si të dojë. Asgjë e jashtëzakonshme. Vetëm bëni transparente, qoftë edhe në Prizren të ishte vendosur kjo gjë. Kaq respekt ndaj njëri tjetrit mendoj se kemi merituar të gjithë.