• |
ide | kryesore

Rama ashtu si duan ta shohin militantët

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Pothuajse të gjitha gazetat dhe faqet në internet pranë të majtës, ishin këtë të martë, të ekzaltuar me një frazë të kryeministrit Rama, se 21 Janari nuk do të harrohet. Lajmi qe renditur në vendet më të dukshme dhe nga intervista e plotë e Ramës në “5 pyetje nga Babaramo”, kjo fjali e vetme ishte përzgjedhur të vihej si titull.

Në fakt, në gjithë këtë histori nuk ka asgjë të veçantë dhe për tu shënuar. Një pyetjeje të thjeshtë të gazetarit, kryeministri iu përgjigj në mënyrën më të zakonshme të mundshme: “Drejtësia për atë lloj plage mund të vonojë, por kurrë nuk do të harrojë. Nuk besoj se 21 Janari është mbyllur dhe nuk besoj se 21 Janari do të mbyllet pa drejtësi”. Po le ta shohim me kujdes frazën e vetme të Ramës që ekzaltoi shumëkënd nga përkrahësit e tij. Aty nuk ka asgjë të veçantë. Madje ai pranon se drejtësia edhe mund të vonojë. Edhe më poshtë, ai nuk është i vendosur. Përdor dy herë foljen dyshuese “nuk besoj” kur flet për mbylljen e drejtë të kësaj cështjeje.

E pra cfarë ka këtu të jashtëzakonshme? Ç’lajm ka këtu për ta shndërruar në titull kryesor, përpos përpjekjes për ta trukuar kryeministrin sipas orekseve të militantëve të tij?

Vetë Rama as nuk e ka këtë merak. Ai lë hapur të kuptohet se kjo është një çështje e drejtësisë. Po të shkojmë edhe pak më tej, qeverisa e tij i ka bërë të gjithë hapat për 21 Janarin. Ka pushuar nga puna gardistët e përfshirë, ka kallëzuar për ndjekje penale drejtuesit e policisë që nuk zbatuan urrdhër arrestet për të akuzuarit, pra ka bërë administrativisht aq sa mundet.

Po atëherë pse ky preokupim për t'i veshur kryeministrit mantelin e të drejtit? Natyrisht që ka një arsye. Të gjithë e dinë që Rama s’mund të ndërhyjë te drejtësia për 21 Janarin. Të gjithë janë të bindur se politikisht ai ka vënë gishtin mbi fajtorët. Por, të gjithë e dinë gjithashtu se ai ka bërë një kompromis të fëlliqur mbi 21 Janarin. Ditën kur vendosi se duhej të vinte me çdo kusht në pushtet, qoftë edhe në koalicion me LSI-në, ai pranoi të mbante në zyrat e bulevardit atë pjesë të qeverisjes kundër së cilës kishin dalë të protestonin ata që u vranë. Ai pranoi të amnistonte ata që viktimat i quajtën kokëpalërë.

Këtë “tradhëti” shumë nga të majtët nuk ia kanë harruar Edi Ramës. Ndaj kujdestarët e tij të imazhit, sot qëmtojnë çdo frazë që e bën më të zbehtë atë. Ndaj ata kujdesen të vënë titull një mesazh që nuk thotë asgjë, që nuk përmban asnjë zotim. Sepse edhe një fjali e vetme mjafton për të vizatuar një Ramë, ashtu siç e duan militantët.(lapsi.al)