• |
ide | kryesore

Një ide për fundjavë/Shkoni në Elbasan, sidomos jo për ndeshjen por…

Arkiva, Stil
kombin.jpg



 

 

 

 

Nëse e keni vendosur të shikoni ndeshjen e kombëtares këtë të shtunë në mbrëmje në Elbasan, mos u nisni me vonesë. Ka një super mundësi për të kaluar të gjithë ditën në këtë qytet vetëm 20 minuta larg Tiranës. Në të hyrë të qytetit, aty ku dikur shtrihej i frikshëm dhe madhështor, kombinati metalurgjik, vepra më e madhe e partisë, tani mund të gjeni një park të tërë atraksioni turistik. Një tjetër projekt artistik është vënë në jetë nga i njejti grup që hapi dyert e vilës së Enver Hoxhës në ish-Bllok.

Në muajin maj të këtij viti vila e Enver Hoxhës në ish-Bllok hapi dyert për artistët, por edhe për një publik të zgjedhur. Një grup artistësh performuan aty art bashkëkohor, siç e quajtën ata. Pas gjashtë muajsh, i njëjti grup organizativ me në krye Ema Andrean do të shfaqen me një tjetër projekt me titull “Informal Mind” (Mendje joformale). Këtë herë është Ish-Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, ai që kthehet në skenë arti, më datat 10,11,12,13,14,15 tetor 2014. 

Me kurimin e Klod Dedjes, projekti “Informal Mind” krijon mundësinë e një laboratori krijues brenda hapësirave alternative, asnjëherë të konsideruara siç ajo e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, e cila tashmë e degraduar dhe e harruar. Kjo ngjarje artistike përpiqet të rizgjojë publikun, në mënyrë që të hedhin sytë nga rinovimi apo rigjenerimi i këtyre hapësirave të degraduara, për t’u dhënë atyre një tjetër identitet dhe shfrytëzim socialo-artistik. E paçka se ç’pretendojnë drejtuesit e projektit, hapësira të tilla sot po degradojnë më shumë, po iu vidhen ç’iu ka mbetur për t’u shitur për skrap nga njerëz që mezi ushqehen dhe përpos të tjerash janë në pronësi të shtetit, një shteti që nuk diti t’i shfrytëzojë pas ‘90-ës, i njëjti shtet që i kanë lënë si kokalla, të vdekura e të padergjura, mes qenies e mosqenies, mes kujtesës se ç’ishin e mosinteresimit ç’do jenë.

Metalurgjiku i rrënuar, si instilacion i krijimit njerëzor

Përzgjedhja e kësaj hapësire nga kuratori është këmbëngulje për të treguar forcën rigjeneruese të artit kundrejt historisë dhe të ardhmes. Dekori aktual dhe fuqia e madhështisë së Metalurgjikut të Elbasanit ka frymëzuar të gjithë artistët e përzgjedhur nga Bordi i M.A.M. “Projekti ‘Informal Mind’ krijon mundësinë e shpërfaqjes së artit bashkëkohor të disiplinave të ndryshme, në një ‘panair’ hapësirash alternative. Krijon mundësinë e bashkëpunimit, të disiplinave të ndryshme dhe të artistëve të ndryshëm ndërkombëtare dhe kombëtare! Ndihmon në rigjallërimin e hapësirave shumë të ‘gjykuara’ dhe të keqpërdorura të qyteteve”, shënohet në konceptin kuratorial. Më tej, thuhet se ky laborator do të informojë e orientojë brezin e ri, dhe jo vetëm, drejt një raporti më të afërt me kulturën bashkëkohore (performancë, teatri bashkëkohor, modern dance, arte pamore, muzikë eksperimentale). Duket se ideatorët e projektit po rreken të përdorin hapësirën e kombinatit dhe historinë e tij për të ndikuar në krijimtarinë e artistëve dhe krijimtarinë e tyre dhe me këtë hap të parë, të hedhin edhe një të dytë, një këndvështrim i ri i artistëve për realitetin që kanë parasysh.

Mandej, “Informal mind”, i drejtuar nga Ema Andrea e Klod Dedja, tenton të kthejë vëmendjen në hapësira, historia e të cilave është një mesazh më vete, tanimë i harruar, por pas kësaj, tenton të sjellë eksperiencën ndërkombëtare të zhanreve të ndryshëm bashkëkohore në krah me eksperiencën shqiptare si edhe të shqiptarëve artistë, në emigrim.

28 artistë

Para aktivitetit do të ketë një takim prezantues ku do marrin pjesë, sipas njoftimit të M.A.M., drejtuesit e takimit dhe pjesëmarrësit e interesuar: Klod Dedja, Ema Andrea si dhe artistët ndërkombëtarë Sislej Xhafa, Anri Sala, Victor Alimpiev, Andrei Roiter, Ultima Vez etj. Mandej, artistët do të jetojnë në Elbasan apo Tiranë, kështu do të njihen me hapësirën dhe energjinë e saj, do t’u ofrohet mundësia të kenë takime me historianë e të njohin jetën sociale e artistike në Tiranë e Elbasan. Eventinis më 10 tetor, ora 19:00 brenda Piramidës në Tiranë dhe më 11 tetor në Metalurgjik Elbasan. Në këtë event marrin pjesë 28 artistë të ndryshëm në skenën e artit kombëtar dhe ndërkombëtar. Tendencat artistike janë shprehjet më të fundit dhe eksperimentale të fushave të ndryshme të artit bashkëkohor.

Do të përfshihen në ngjarje gjithashtu, studentë të Universitetit të Arteve që performojnë tendencat e tyre. Harta lëvizëse e eventit “Niformal mind” do të jenë ish-fabrikat, magazinat e hapësirat e dikurshme të Metalurgjikut, që do të mbulohen me instalacione arti, performanca kërcimi e arti, projektime filmash e muzikë.

Në këtë ngjarje janë përshirë me punët e tyre artistë të ndryshëm, por edhe institucione që paraqesin ide, instalacione dhe performanca. Përmendim këtu: Fatmir Mustafa-Carlos, Anri Sala, Galeria Kombëtare e Arteve, Alban Muja, Victor Alimpiev, Fatos Qerimi, Sadik Spahia, Alban Hajdinaj, Edit Pula, Shelbatra Jashari, Milena Jovicevic, Sislej Xhafa, Brilant Pireva, Marina Markovic & Boris Sirbar, Robert Gligorov, Conny Karlsson Lundgren. Partnerë dhe mbështetës të M.A.M për realizimin e projektit “Informal mind” janë Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Universiteti i Arteve, Ministria e Mbrojtjes, Galeria Kombëtare e Arteve, “Artkontakt”, Bashkia Elbasan dhe biznese private.